“Tetori i librit” po shkon drejt fundit, me takime letrare me të shumta në numër se në muajt e tjerë të vitit. Kjo, edhe për faktin se gjatë këtij muaji futen në valle me planet e tyre institucionet publike të sferës së kulturës. Në tërësi këto janë takime rutinore, që u shkojnë përskaj problemeve reale që ka sot letërsia dhe libri dhe kalojnë pa lënë ndonjë gjurmë. Flitet më shumë për librin- kjo është e vërtetë. Shumë mirë që flitet. Por libri si i tillë nuk ka rënë, as ka për të rënë ndonjëherë aq poshtë sa të trajtohet qoftë edhe dashamirësisht si për sevap. Libri është krenarisht, edhe në ditët më të këqija sa i takon vëmendjes dhe respektit, në një mision të dorës së parë.
Origjinal apo i përkthyer, libri mban dhe pasuron pikësëpari gjuhën, pasurinë më të madhe të kombit. Bashkë me format e tjera të artit, libri zhvillon shijet dhe estetikën, formimin kulturor e shpirtëror të brezave. Në dallim nga artet që komunikojnë me gjuhën universale të ngjyrave, tingujve apo formave statike e dinamike të shprehjes, libri komunikon me gjuhën kombëtare të fjalës. Libri shqip jeton prej shqipes dhe mban shqipen. Kjo është marrëdhënia mes librit dhe gjuhës. Marrëdhënie, e cila dikton sot e gjithë ditën një politikë kulturore të fokusuar me përparësi te gjuha e shkruar dhe e folur. Domethënë te libri dhe teatri. Pse kjo? Sepse në kushtet e hapjes dhe sfidave ekzistenciale të erës së globalizimit gjuhët e vendeve të vogla, që fliten nga një numër jo i madh njerëzish në planet, pra, edhe shqipja, janë më të rrezikuarat. Ndaj ruajtja dhe pasurimi i shqipes është ruajtje dhe emancipim i kombit.
Kjo ndërvarësi ngjan patetike në mënyrën e të shprehurit, por është një e vërtetë e thjeshtë si buka që hamë. Ajo, megjithatë, nuk i ka fryrë shkrimtarët e mirë të vendit në kuptimin që t’i bëjë qesharakë dhe pretenciozë të paarsyeshëm ndaj shtetit. Të shkruarit është një pasion, një veprimtari krijuese vetjake, që në aspektin ekonomik u nënshtrohet ligjësive të tregut të lirë. Askush nuk pretendon sot kthimin në format e djeshme të mbështetjes kur partia unike e konsideronte shkrimtarin ndihmës të saj për edukimin komunist të masave. Letërsia dhe artet janë të lira prej tri dekadash e më shumë. Por shteti demokratik ka politika dhe buxhete për kulturën. Përmes kësaj politike shteti takohet me vlerat shoqërore e kombëtare të krijimit, botimit, tregtimit dhe leximit të librit. Financime janë dhënë e jepen për secilën prej hallkave të zinxhirit të mësipërm. Pak në vlerësimin tim. Dikush mund të dojë të bëjë propagandë me shifra të rrumbullakosura, ku investimet e me lugë kafeje për librin futen në një thes me paratë që jepen me garuzhde për aktivitete të tjera që nuk kanë rëndësinë e librit. Një shembull domethënës është trajtimi financiar tepër qesharak i institucionit të poetit laureat, që u fut për herë të parë në Shqipëri para një viti. Poeti i parë laureat në Shqipëri, siç dihet, u zgjodh poeti i shquar Rudolf Marku. Me misionin fisnik për të qenë një ambasador dhe një promovues par exellance i librit dhe poezisë në publik, poetit laureat i duhet të shkojë me shpenzimet e veta në takimet e planifikuara në rrethe, ndërkohë që shpërblimi i tij për periudhën dyvjeçare të shpalljes laureat është më i vogël se honorari mujor i një analisti emisionesh politike. Ky është vetëm një shembull që tregon sa keq i kanë punët letrat në Shqipëri.
Kur flasim për librin, flasim njëherësh për shkrimtarët. Shkrimtarët shqiptarë që nuk janë në pension, e kanë krijimtarinë letrare punë të dytë. Ndonjë përjashtim vetëm e përforcon rregullin. Ata e kanë të vështirë, madje edhe të pamundur t’i dedikojnë një kohë të mjaftueshme njohjes së thelluar me lëndën e subjektit që duan të shkruajnë. Njohja e thelluar, sikurse të shkruarit me disiplinë, pa impenjime të tjera për bukën e përditshme, kanë shumë më tepër shanse për vepra të cilësisë së lartë. Lënda që tepron duhet të jetë më e madhe në sasi se lënda e mishëruar në vepër. Është ky një postulat i njohur i zejes së të shkruarit me mjeshtëri. Shkrimtarët tanë duhet të dalin në pension pa t’i dedikohen letërsisë me kohë të plotë. Merret vesh se kjo nuk është mosha më e mirë për të shkruar dhe veç kësaj, me pensionet që kanë shumë prej tyre mendohen mirë edhe kur blejnë libra. Tregu ynë ky është. I vogël në vetvete, i zvogëluar më tej për arsye të tjera që bashkojnë problemet e organizmit të këtij tregu dhe me ato të cilësisë së produktit letrar. Ky treg nuk mundëson të jetuarit e shkrimtarit vetëm nga shitja e librave dhe të drejtat e autorit. Por të mos mendojmë se nuk ndodh kështu në shumicën e vendeve më një traditë shumë me të zhvilluar leximi e me një treg shumë më të madh të librit se yni. Franca, SHBA dhe mjaft vende të tjera perëndimore janë kapitaliste, por kjo nuk i pengon të japin bursa të llojeve të ndryshme për një periudhë kohore të caktuar që i lejojnë shkrimtarët të organizojnë lëndën dhe të shkruajnë pa pasur nevojë të bëjnë një punë të dytë, që në jetën e tyre të zakonshme është punë e parë. Shqipëria mund të përshtatë në kushtet e veta shembuj të tillë.
Një problem më vete, i madh gjithashtu, është mungesa e kritikës dhe shkrimeve profesionale për librat. Kjo mungesë ka bërë që botimet tona të jenë një rifugio e stërmadhe që kthehet pa pushim mbarë e prapë në rrjetet sociale të amatorizmit dhe konformizmit. Një pjesë e madhe e teksteve janë në një keqkuptim të madh me letërsinë. Vlerat dhe hierarkia e vlerave janë ato që e pësojnë nga ky mishmash. Profesionistët nuk kanë interes të shkruajnë për librat. Shkrimet për librat marrin kohë dhe energji shumë më tepër se shkrimet publicistike për tema të politikës a aktualitetit, por paguhen pak, ose aspak. Si mund të nxitet kritika letrare e formës së shkrimeve në mediave apo eseve dhe studimeve të thelluara? Mediat televizive i kushtojnë shumë pak vend librit në programet e tyre. Libraritë kanë fatin e keq të dalin tepër ose të jenë banakë të dorës së dytë e të tretë në shumicën e qyteteve. Çmimi i librit është i lartë për kushtet e një lexuesi të gjerë në Shqipëri. Këto janë vetëm disa nga problemet e librit në kohën tonë. Lista është shumë më e gjatë. Ato nuk mund t’i zgjidhë vetëm tregu.
Këto probleme njihen, ngrihen, debatohen vit pas viti, tetor pas tetori. E vërteta është se zyrtarët Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dëgjojnë, mbajnë shënime, nganjëherë edhe premtojnë, besoj se edhe përpiqen për t’i zgjidhur, por ngecin në mungesën e vullnetit, pse jo dhe vizionit të qeverisë dhe Kryeministrit Rama për të konceptuar e mbështetur një politikë vërtet të re dhe konkrete për letërsinë, librin dhe teatrin në lidhjen e tyre të ngushtë me gjuhën, kultivimin, civilizimin.
Jetojmë në ekonominë e tregut, e dimë prej tridhjetë vjetësh. Dhe shumë mirë që jetojmë në ekonominë e tregut. Por ekonomia e tregut nuk mund të përdoret si alibi për braktisjen e librit dhe krijimtarisë letrare nga shteti. Edhe po ta trajtonim librin thjesht biznes, çfarë është në të vërtetë, shkrimtarët dhe botuesit si prodhues të tij janë në të drejtën e tyre të kërkojnë dhe të marrin mbështetje me nxitës ekonomikë nga qeveria. Ashtu siç kërkojnë bizneset në përgjithësi. Por e dimë të gjithë se libri si mall dallon nga bizneset a mallrat e zakonshme që gjallojnë ose vdesin në tregun e hapur. Pra, lipset më shumë se inventiva. / NGA PREÇ ZOGAJ