Sot, banorët e fshatrave të Njësia Administrative Thumanë protestuan për të tretën herë radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë–Kashar, duke bllokuar qarkullimin për rreth një orë.
Shkak i protestës është gjendja e rënduar e rrugës së Gramzës, e cila është dëmtuar nga automjetet që devijojnë nga autostrada, si dhe mosinteresi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH) dhe Bashkisë Krujë për investime dhe rikonstruksion të saj.
Rruga prej rreth 500 metrash është thelbësore për banorët e zonës, por prej kohësh është lënë jashtë vëmendjes së institucioneve.
“Këto makinat e mëdha na e kanë dëmtuar, 500 metra rrugës është. Vij prej pune nga Thumana deri në Gramës, dua tre orë të shkoj të shtëpia. 500 metra rrugë është, të na e shtrojnë me asfalt. Të mos kalojnë makinat e tonazhit të rëndë, ose të bëjnë rrethrrotullimin. Erdhën hodhën çakëll për t’i mbyllur sytë njerëzve”, tha njëri prej protestuesve.
“Nuk është hera e parë që po bëhet protesta, nuk po kërkojmë diçka të veçantë, 500 metra rrugë ta shtrojnë se nuk i kushton asnjë. Ky ka qenë asfalt i rregullt, e kanë prishur. Një rrugë 500 metra duam, një ditë punë e kanë. Na premtuan dalje në autostradë, kjo është skandal. Kalojnë makinat e tonazhit të rëndë”, tha një tjetër.
Aktivisti Aulon Kalaja, i cili shpesh parashikon dhe ngrit shqetësimet e komunitetit, ishte prezent gjatë protestës, duke u bërë zëri i banorëve dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Banorët apeluan për investime të menjëhershme në rrugët e dëmtuara të Krujës, një nga zonat më pak të investuara, ku mungesa e infrastrukturës po rëndon jetën e përditshme të komuniteteve rurale.
Protesta u zhvillua pa incidente serioze, por tregoi frustrimin e thellë të banorëve ndaj mungesës së veprimit nga autoritetet dhe rëndësisë së zgjidhjes së problematikave infrastrukturore që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qarkullimin në zonë.










Discussion about this post