Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, në dy raste. Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme njofton se gjykata ka miratuar ditën e sotme kërkesën e saj për të caktuar masën e “arrestit me burg” ndaj Goros. Masë që është ekzekutuar po këtë të shtunë pasdite nga policia.
Një nga rastet që prokuroria ka gjetur shkelje në ushtrimin e detyrës nga Jorgo Goro është toka prej 5512 m2 e sekuestruar më herët me urdhër të SPAK, që është përdorur nga bashkëshorti i ish ministres Olta Xhaçka ka për të përfituar statusin e investitorit strategjik. Në këtë rast, sipas akuzës, Goro ka shpërdoruar detyrën duke mos verifikuar dokumentet e tokës, që është tjetërsuar nga tokë shtet, në favor të një tjetër personi dokumenta fasle dhe më pas është shitur te biznesi i Artan Gaçit.
Rasti tjetër lidhet me një sipërfaqe toke prej 5080 m2, po e lidhur me Artan Gaçin. Goro akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në tjetërsimin e tokës, për të cilën është dhënë më pas leje për të ndërtuar kompleks turistik.
Deri në këtë fazë të hetimeve, SPAK nuk ka gjetur elementë të korrupsionit të konsumuar nga Jorgo Goro. Po ashtu, nuk ka akuzë ndaj bashkëshortit të ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, i cili përmes tokës së përfituar me dokumente të falsifikuara, arriti të marrë statusin special të Investitorit Strategjik.
Akuzat
E njëjta akuzë si ndaj Jorgo Goros (Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, në dy raste) rëndon dhe ndaj Jerasimo Bashi, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë, në kohën e ngjarjes. Ndaj tij është caktuar masa e arrestit në shtëpi.
E njëjta masë është dhënë dhe për dy persona të tjerë: Bilbil Aliaj, me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë, në kohën e ngjarjes dhe Vezir Gjikoka, me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë, në kohën e ngjarjes. Të dy akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa arrest me burg është caktuar për Stavri Mëhillin, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë. Mëhilli, sipas hetimeve, ka përfituar 5512 m2 tokë me dokumente false, që më pas është shitur te Artan Gaçi.
Të gjithë të dyshuarit akuzohen lidhur me tokën e përdorur nga Artan Gaçi për tu shpallur investitor strategjik (lexo).
Vetëm Jorgo dhe vartësi i tij në Bashkinë Himarë, Jerasimo Bashi akuzohen edhe për një tjetër rast.
Përveç Jorgo Goros, masat e sigurisë janë ekzekutuar edhe ndaj Bilbil Aliajt e e Vezir Gjikokës.
Toka që bashkëshorti Xhaçkës përdori për tu shpallur investitor strategjik
SPAK njofton se: nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.
Goro, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim Jerasimo Bashi, pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim Stavri Mëhilli. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Rasti i dytë, sërish tokë për burrin e Xhaçkës
Gjithashtu, Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në një episod tjetër objekt hetimi i të njëjtit procedim penal, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës penale. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim Jerasimo Bashi ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Goro ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm, por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Burime bëjnë me dije se shoqëria tregtare në fjalë është e njëjta që ka blerë tokën me dokumenta false në rastin e parë.
Në këto rrethana shtetasit Jorgo Goro dhe Jerasimo Bashi, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
Të hetuarit e tjerë
Ndërsa shtetasit Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka, përkatësisht Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes) dhe Jurist pranë kësaj drejtorie (në kohën e ngjarjes), me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë pranuar dokumentacionin ligjor, përpunuar këtë të fundit dhe lëshuar një vërtetim nga dokumentat hipotekorë, pa kryer asnjë verifikim ligjor apo në terren nga ato që ligji i detyron, duke kryer në këtë mënyrë regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme në pronësi shtet, të llojit tokë buqësore, me sipërfaqe 5512 m2, në favor të shtetasit Foto Mehilli dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. Kjo pasuri, siç ka rezultuar nga hetimi paraprak deri në këtë fazë, buron nga dokumenta tërësisht të falsifikuara. Në lidhje me këto veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të kryera në bashkëpunim, këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Në lidhje me shtetasin tjetër nën hetim Stavri Mëhilli, nga hetimi deri në këtë fazë, ka rezultuar se ky i fundit, ka përdorur më shumë se një herë, pranë disa institucioneve por edhe organeve proceduese, dokumenta dhe formularë të falsifikuar, veprime këto që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të Foto Mehillit (trashëgimlënës) të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5512 m2, ndodhur në Dhërmi, Vlorë. Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin Artan Gaçi. duke sjellë njëkohësisht edhe përfitim material të padrejtë për shtetasin nën hetim Stavri Mëhilli. Në këto kushte, dyshohet se ky i fundit ka konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodi Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se ka regjistruar procedimin penal për rastin vitin e kaluar.
Discussion about this post