I lindur më 14 shkurt 1912 në Çamëri dhe ardhur në Shqipëri në moshën 8-vjeçare. Pjesëmarrës në luftë, si zëvendëskomandant i çetës “Çamëria”. Arrestohet më 28 korrik 1960, me akuzën si agjent i zbulimit të huaj për një kohë të gjatë. Në maj 1961 i përmendet emri në gjyqin e Teme Sejkos dhe të 38 personave të tjerë, por nuk u shfaq si person në gjyq. Nga ky moment, nuk dihet më asgjë për fatin e tij.
U përhapën fjalë sikur ishte gjallë, sikur ishte çmendur, që e kishin pushkatuar, që kishte përplasur kokën në murin e qelisë dhe kishte vdekur. Organet zyrtare të shtetit as e pohonin, as e mohonin vdekjen e tij, duke e lënë çështjen pezull të mbuluar me mister dhe duke krijuar idenë e rreme te familjarët se Taho Sejkoja ishte gjallë. Vetëm në vitet e demokracisë familja u njoh me një vendim të Gjykatës së Lartë, të asaj kohe për dënimin me pushkatim të Taho Sejkos, por s’kishte asnjë process-verbal pushkatimi.
Njoftimi më i fundit rreth fatit të tij, ka qenë nga një ish-punonjës i Hetuesisë, i cili pohoi se: Taho Sejko, është torturuar për një kohë të gjatë e në fund i kanë nxjerrë edhe sytë. Midis këtyre të dhënave kaq kontradiktore e të tmerrshme, familja ende nuk e di si është e vërteta e fatit të Taho Sejkos.
Dëshmon i biri, Hektor Sejko As i gjallë, as i vdekur – një jetë e mbetur në terr! Çfarë ka ndodhur me këtë burrë, me këtë njeri? Cili është faji i këtij? Gjyshja ime 80 e ca vjeçe, nga tre djem që pati, mbeti pa asnjërin. Dy i arrestuan në të njëjtën datë dhe i eliminuan. Tjetrin e bënë të mbytej në pus…!
Zoti Hektor, nuk patët asnjë informacion tjetër zyrtar?
Përveç këtyre bisedave që vinin në forma nga më të ndryshmet, s’kishim asnjë lloj informacioni. Pak para se të vdiste nëna, marrim vesh diçka tjetër. Dhëndri im punonte në Rrenc, me nipin e Mark Dodanit, që ishte i Sigurimit të Shtetit. Nipi i Mark Dodanit, i thotë dhëndrit tim: “Tonin, ka ardhur daja mbrëmë dhe unë të përmenda ty, që ke marrë vajzën e filanit. Daja më tha që filani, Tahoja, ka ardhur prej Greqisë, e kam shoqëruar unë vetë, e kam çuar në Tiranë dhe ka takuar ata të mëdhenjtë fare”.
Kush ishin këta të mëdhenjtë, Enveri e kompani?
Po ashtu i bie, se kush tjetër? Për kë tjetër e kish fjalën?! Komplet rrena të sajuara! Të tëra këto që po të them ty janë rrena, se u vërtetuan më mbrapa. Përse është mbajtur kjo situatë kështu, unë nuk e di. Arsyen e kësaj pune s’kam si ta di. S’del e shkruar askund, prandaj s’e di. Dhe dëshmitarët nuk janë, s’ekzistojnë më.
Kanë vdekur…?!
Edhe ata që kanë qenë, s’kanë folur. Atëherë, në dhjetorin e vitit 1990, unë i bëra telegram Ramiz Alisë me kërkesë për këtë problem. Më ktheu përgjigje të shkoja në Ministrinë e Brendshme. Atje më priti një oficer dhe i thashë: “Kërkoj të di të vërtetën për babain tim, Taho Sejko”. “Pse, more, nuk e di ti të vërtetën”? – ma ktheu oficeri. “Kaq idiot të dukem që e di dhe vij të kërkoj. Po ta dija, s’vija të kërkoja”? Edhe i’a shpjegova shkurtimisht të gjitha këto.
Tri ditë mbasi kishte vdekur nëna ime, erdhi një person e na tha: “Tahoja ishte në varrim, i fshehur pas një peme. Ka qenë i fshehur pas një peme”. Donte të na bindte, se Tahoja jeton!
Duket që është metodë pune: Krijo legjendën që është gjallë dhe kështu mbulo krimin.
Po, po, legjenda se ai gjoja jeton. Historia vazhdon. Varrimi ishte në dy e gjysmë, por sa shkuam ne gjer në varret në Shtoj, dimër ishte, dhjetor, u err fare. U err, u err… edhe ky erdhi e na rrejti si për shtatë palë qejfe: “Ka qenë i fshehur pas një peme”!
Kishte kaluar çerek shekulli nga arrestimi i babait tuaj, apo jo?
Fiks, 24 vjet. Këta vijonin të na mashtronin…! Ne vazhdonim e jetonim me një ëndërr. Nëna ime vdiq me shpresën dhe besimin e saj të madh e të jashtëzakonshëm, se ky njeri jeton. Se ku është, hajde e gjeje, por ky jeton!
Nuk kishit asnjë deklaratë zyrtare?
Në mënyrë absolute jo! Në mënyrë absolute jo! Përveç këtyre fjalëve që shkonin e vinin, jo kështu e ashtu, se cila ka qenë arsyeja, as sot nuk jam në gjendje ta di. Nisur nga fjalët e Feçor Shehut, ‘për ta vrarë e vrasim, frikë s’kemi; njerëzit vdesin edhe jashtë, edhe brenda, e thonë ka vdekur; po të ishte çmendur, s’është as për ne, as për ty…’! Të tria këto versione, na i hodhi poshtë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, që më vonë u bë ministër i Brendshëm i Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Na u krijua një situatë që çfarë të themi. Përfundimisht, janarin e vitit 1991, kam marrë këtë dëshmi penaliteti, sipas së cilës morëm vesh që Taho Sejkoja është pushkatuar.
Është pushkatuar!
Ja, lexoje, se unë e kam pak të vështirë ta shoh.
Me vendimin numër 3, të datës 24 shkurt 1962.
Po. Më 1962.
Vendim i Gjykatës së Lartë, për tradhti ndaj atdheut, për dhënie informatash zbulimit të huaj, për agjitacion dhe propagandë, sipas neneve 64, 67, 76 të Kodit të Procedurës, me vdekje me pushkatim. Konfiskimin e…!
Pasurisë së pjesës së tij! Na i kanë marrë të tëra! S’kanë lënë gjë pa na marrë!
Po kjo? E drejta elektorale…?!
Për 5 vjet. Pasi pushkatohet, s’ka të drejtë të votojë për 5 vjet!
Po ai është i vdekur more! …I hiqet grada ushtarake. Ekzekutuar më datë 13.3.1962. Paska vdekur që në ’62-shin?! Tiranë, më 29 janar 1991. Pra, sa ka ardhur demokracia, informacioni i parë i demokracisë, që nuk u’a kishin dhënë kurrë më parë.
Ne s’kemi lënë vend pa e kërkuar, more burrë. Në ’62-shin e kanë pushkatuar këta, në ’62-shin thonë këta. Të vërtetën është shumë vështirë ta gjesh sot. Nuk ka proces-verbal pushkatimi, nuk e di unë çfarë ka ndodhur me të…!
A u tregua ndokush i gatshëm për ta ndriçuar situatën në lidhje me arrestimin, pushkatimin dhe zhdukjen?
Në qershor të vitit 1992, unë kam ardhur në Tiranë, si nënoficer i Gardës së Republikës. Detyra që i vura vetes, ishte të nxirrja të vërtetën për problemin e babait tim. Pjetër Arbnori, në vitin ’94, më ka ndihmuar të shkoj te kryetari i Gjykatës së Kasacionit, për të marrë dosjen e Taho Sejkos.
Kush ishte kryetar i Gjykatës së Kasacionit?
Zef Brozi. Ai më dha leje në ’96-n për të shfrytëzuar materialet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit Qendror të Shtetit, në lidhje me Mehmet Sejkon, Taho Sejkon, Teme Sejkon, Rexhep Plakun dhe Alush Takën. Kjo është mbështetja që më ka dhënë Pjetër Arbnori, me ndërmjetësinë e Kolec Topallit.
Ja ku kemi: “Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, Dega e Parë, Dosja 278, Tepër sekret, seria C2, Tiranë, 24/3/1961”.
Është e gjitha ajo që jep Kadri Hazbiu, për sa i përket problemit. Këtu jemi një a dy muaj përpara se Teme Sejkoja të dilte në gjyq.
Gjyqi i Teme Sejkos u zhvillua në maj të vitit 1961 apo jo?
Në maj 1961. Atëherë, çfarë thotë këtu Kadri Hazbiu? Mes të tjerave: “Taho Sejkoja akoma nuk flet. Jo vetëm e dobëson deri në njëfarë shkalle procesin gjyqësor të bëhet publik, por pengon zbulimin e fakteve që ai i di si element. Brenda afatit të kërkuar, do të bëjmë përpjekje për ta zbërthyer. Deri më sot, ndër 38 të arrestuarit, flasin vetëm 22, ndërmjet të cilëve, të gjithë kryesorët, me përjashtim të Taho Sejkos, të tjerët flasin vetëm pjesërisht, dhjetë nuk flasin fare, prandaj, që të zbërthehen edhe të tjerët, duhet kohë më e gjatë”.
Kështu që deri në mars të vitit 1962 Taho Sejko nuk ka folur fare. E thotë Kadri Hazbiu. Domethënë, gjatë vitit 1961, ai s’ka folur gjë.
Në dokumentet që kam marrë unë (mund të kem mbi 1.200 faqe dokumente), se kam marrë nga të gjithë arkivat: edhe nga Arkivi i Shtetit, edhe nga ai i Ministrisë së Brendshme, nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme, kuptohet, nuk janë të tëra për babain, por janë edhe për axhën, edhe për djalin e axhës, unë kam ndarë një pjesë, gjërat më pikante. Në këto dokumente, një gjë që më bëri shumë përshtypje që e ka shkruar vetë ai, është shkrimi i tij e i ka rënë vizë me laps. Është e shkruar dy ditë para se të fillojë gjyqi, dy ose tri ditë.
Data 12.5.1961.
Po, i pesti, 1961, 3 ditë përpara se të niste gjyqi i Temes!
Pra, më 15 maj 1961 nisi gjyqi i Teme Sejkos. Çfarë shkruan aty? Me laps e ka shkruar ai, apo të tjerët?
Jo, është e tija ajo!
“Nëpërmjet shpifjeve shtazarake të njerëzve të këtij vendit tonë…” Pra, kjo shprehje është e tij?
Me këtë, i ka dhënë përgjigje shtetit. Është në dosje. Ka, nuk e di sa proces-verbale për shtyrje të hetimit ka, sepse pasi ka mbaruar gjyqi i Teme Sejkos, hetimin e Taho Sejkos e ka marrë Ferhat Matohiti.
Si përfundim, kanë bërë një dosje, ku ky person që s’kishte pranuar asgjë, na i paska pranuar të tëra.
Ku është kjo dosje?
E kam unë të plotë, dosje hetimore dhe gjyqësore. Në dosjen gjyqësore janë të gjitha ato që ka deponuar Teme Sejko, Tahir Demi e kompani. Janë të tëra brenda saj dhe del që i pranon Taho Sejko. Hajde gjeje tani, i pranoi, si i pranoi, kur i pranoi, sa pranoi…?!
Duhet ta kenë torturuar. Atë nuk e nxorën në gjyqin e Teme Sejkos, por i përmendën emrin. Nga ana tjetër, ka plot proces-verbale që ia kanë shtyrë shumë kohë edhe hetimin për ta zbërthyer, siç shkruanin tek ai dokumenti, kështu që patjetër e gjithë kjo kohë “zbërthimi” duhet të ketë qenë kohë torturash.
I rëndësishëm për mua është trupi gjykues me tre veta. Njëri prej tyre është Andon Sheti. Sa e pashë emrin, shkova dhe e takova. I thashë se s’kisha gjë me të. Ke qenë i detyruar, je paguar, ke bërë detyrën që të ishte caktuar, por unë dua të di të vërtetën
Më tha: “Këtu, te kjo letra, nuk ka në mënyrë absolute asgjë të vërtetë. S’kam marrë pjesë unë në atë gjyq…! Do të ishte kënaqësi e madhe të të jepja informacion për gjyqin e babait tënd. Po aty s’ka absolutisht asgjë të vërtetë. Kjo s’është firma ime. S’kam firmosur unë këtu dhe s’kam marrë pjesë unë në këtë gjyq”.
Kjo është mafie e frikshme…?!
Domethënë, kanë manipuluar edhe dosjen gjyqësore. S’ka pasur fare gjyq! Kanë bërë ca letra, kushedi kush i ka vënë firmat, se aty janë tri firma.
Ky gjyq s’qenka real, porse personi është arrestuar, është mbajtur në hetuesi, është torturuar…! Cila është arsyeja që për 31 vjet ky njeri është mbajtur i fshehur? Ky gjyq, pa proces-verbal pushkatimi, është fals. Çfarë ka ndodhur me babain tim nuk e di, se kërkimet e mia hasin në një mur. Muri janë gjithë plehrat e Sigurimit të Shtetit dhe të qeverisë shqiptare, që i kanë lyer duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe s’pranojnë të thonë të vërtetën.
Në vitin 1994 ka ardhur një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, me origjinë çame, më ka kërkuar te Kryesia e Kuvendit. Më ka thënë: “Kam ardhur të të takoj ty, djalin e Taho Sejkos, për të të thënë një të vërtetë. A e di se cila ka qenë tortura e fundit që i kanë bërë babait tënd”?
Ndenja dhe e pashë kështu, u stepa për momentin.
“Tortura e fundit që i kanë bërë babait tënd është që i kanë nxjerrë sytë”.
Mos, o Zot! E kupton?
Çfarë ka ndodhur me këtë burrë, me këtë njeri? Cili është faji i këtij, more? Cila është arsyeja që neve s’na e thanë për 31 vjet? Cila është arsyeja që na kanë mbajtur në qytetin e Shkodrës e nuk na çuan në internim? S’mund ta harroj! Gjyshja ime, 80 e ca vjeçe, nga tre djem që pati, mbeti pa asnjë. Dy i arrestuan në të njëjtën datë dhe i eliminuan. Tjetrin e bënë të mbytej në pus. Më 1963 ka vdekur axhë Suloja dhe ajo ka vdekur më 1964. Atë skenë, sa të jem gjallë s’mund ta harroj. Një karrocë, një kalë, një karrocier, një arkivol dhe tre persona mbrapa. Unë, nipi i vetëm i saj, kishte nipa të tjerë, por aty isha vetëm unë, Ramiz Draçini, komshi dhe Kujtim Demi, i afërmi ynë që jetonte në Shkodër, të cilin babai e kishte ndihmuar të vinte e të stabilizohej në Shkodër. Këta ishin tre personat që po varrosnin nënën e tre djemve, që mbeti pa asnjë djalë! Pa asnjë!
Sikur rastësisht t’i kishit takuar ata që kanë vrarë e kanë zhdukur njeriun tuaj të afërm, çfarë do të provonit? Si do të reagonit?
Po, mor’, po ta them shqip, shqip, e kam deklaruar botërisht. Kur kam hapur dosjet për të gjetur hetuesin e fundit, Ferhat Matohitin, unë kam qenë oficer i Gardës së Republikës, me pistoletë në brez.
Ferhat Matohiti, për çdo ditë vinte te Kryesia e Kuvendit dhe kalonte përpara Kryesisë së Kuvendit, dhe mua as më ka shkuar e as më shkon në mendje se mund t’i bëj gjë.
Unë besoj në Zot! Besoj në Zot! Personat realë që e kanë bërë këtë punë hëngrën njëri-tjetrin. Unë s’jam për të bërë një veprim jashtë asaj që jam ndërtuar. Duke besuar në Zot, ia lë drejtësinë Atij.
Vetëm një Xhemal Selimi ka paguar nga kjo hata e madhe. Xhemali ka qenë në Shkodër i deklaruar. E ka vrarë dikë dhe i’a ka thyer arrat në kokë. Por dukagjinasit nuk ta falin poshtërimin!
Në çdo shoqëri ka rregulla sjelljeje ndaj kufomës, ndalim të dhunimit, përdhosjes, nderim për të ikurin. Tani, dua të di, a ruani sende personale nga babai juaj?
Çfarë kishte në shtëpi, erdhën ia sekuestruan dhe i morën. Dy kostume që i kishin mbetur, i kam kthyer e i kam bërë për vete, se s’kam pasur mundësi tjetër për t’u veshur. Një pjesë dërrmuese të gjërave jemi detyruar t’i shesim për bukën e gojës.
Prej babës kam një gjë të bukur të fundit. Miku im, Gjovalin Filipi, ka gjetur librezën e punës së babait në Shkodër. Aty baba me dorën e vet ka shkruar punët që ka bërë në vazhdimësi, prej vitit 1945 deri më 1960.
Kam edhe disa letra, fotografi.
Duke qenë se morët këtë vulën e “biografisë së keqe”, si ju kanë parë njerëzit? Po autoritetet? A ju kanë diferencuar?
Në vitin 1968, kur jam liruar prej ushtrisë, një vit ndenja pa punë e me shumë vështirësi mora një fletë pune për në Uzinën Rajonale në Shkodër, që gjendej pas Uzinës së Telave.
Më thanë të shkoja në shtator, se shefja e kuadrit ishte me leje. Shkova në shtator dhe aty po bëhej mbledhje e kolektivit për punën time, se isha nipi i filanit dhe djali i filanit, pra, a do të më pranonin apo jo. Për fat, ai që drejtonte mbledhjen, tha: “Çfarë thoni ju, se unë jam dakord”. Kështu fillova punën me tri turne.
A keni pasur përkrahje nga miq apo ishit nën vëzhgim?
Miq kemi pasur e s’i harroj sa të jem gjallë. Kemi mbetur edhe pa rrogë, por shoferi i Taho Sejkos, Angjelin Toska, dërgonte nusen, Luçien, në darkë dhe më jepte dy mijë lekë, tri mijë lekë…! Na ka dhënë bukë, more! Në kohën kur na i morën të tëra e s’kishim as bukë për të ngrënë. Ka bërë një veprim të jashtëzakonshëm. S’mund t’i harroj Çelin Toskën dhe Luçen unë.
Kur është arrestuar babai, nëna më ka thënë: “Kujdes, bir, jemi vetëm këtu! Të mirën dhe të keqen e bën për vete, s’ia bën kujt”.
A ju ka munguar babai gjatë jetës?
Ah, shumë! Babain e adhuroj – një njeri që s’ka njohur çfarë është servilizmi, s’e ka njohur në mënyrë absolute! Një njeri që i ka thënë komunizmit: “Këtu jeni gabim, aty jeni gabim”. Vështirë të gjesh sot njeri të tillë, por një njeri që është vetë dënuar.
Edhe me tre fëmijë, ai nuk ka bërë kompromis, se mund të kishte mbyllur gojën për hatrin tuaj.
Duke folur, është vetë-dënuar. Ma ka thënë nëna ime: “I kam thënë 100 herë babës tënd: ‘Mos fol! Mos fol, more burrë! Mos fol, se këta shihe çfarë po bëjnë!’ ‘Unë atë që kam brenda vetes do ta them, s’kam frikë…”!
A e keni ndier praninë e tij?
Babai, gjatë gjithë jetës sime, edhe sot që po flasim bashkë, është afër meje. Prania e tij për mua është e pazëvendësueshme. Edhe kur e them emrin tim, unë e them Hektor Taho Sejko. Ka sakrifikuar jetën e tij vetëm për ne. Nëse Taho Sejkoja do të dilte e do të depononte në gjyq…!
Mendoni se do t’ju kishin futur në burg?
Jo, mor’, jo, s’isha gjallë unë sot! Të jesh i bindur për këtë punë. Është merita e tij, është aftësia e tij. Në momentin që një person pranon një faj që s’e ka bërë, ka dënuar jo vetëm veten, por edhe familjen e tij. Qëndrimi i tij dënoi atë, por familjen jo! Ai u dënua, sepse ishte i destinuar për t’u vrarë. Ai nuk mund të dilte më gjallë prej aty, në mënyrë absolute s’dilte më gjallë. Me qëndrimin që mbajti, me rezistencën e tij, logjika më çon në përfundimin se ai na ka mbrojtur.
Në cilat momente e keni ndier më shumë mungesën e babait tuaj?
E kam ndier kur s’kam pasur bukë për të ngrënë në shtëpi dhe nëna ime i merrte dy motrat në shtrat e u thoshte: “Po shkon Hektori të marrë borxh të blejë bukën, e unë po ju kallëzoj ndonjë përrallë sa të vijë”. E kam ndier kur në klasën e dytë gjimnaz, nuk kisha këmishë për të veshur dhe kam shkuar në shkollë me kanotierë, e drejtori i shkollës më nxori para tërë shkollës. Mungesën e babës e kam ndier kur jam detyruar në atë kohë, në atë moshë, të shkoja për të punuar në fermë, kur jam detyruar të shkoj të punoj në Fabrikë të Tullave. E kam ndier kur kam qenë ushtar, që më kanë nxjerrë para komandantit të togës, se duke qenë 49 kile, nuk isha i zoti të prisja me sëpatë 5 m2. pyll. Ishte e pamundur ta prisja.
Më nxirrnin para komandantit të togës e më përmendnin babën e axhën çdo herë: “Djali i armikut, nipi i armikut, s’do të punojë…”!
Si e keni pritur rënien e komunizmit?
E kam pritur si gëzimin më të madh të jetës sime, më të madhin. Pas lindjes së fëmijëve, kjo ngjarje ishte gëzimi më i madh që kam përjetuar në jetën time. Ka shumë njerëz që nga demokracia kanë përfituar materialisht. Unë kam përfituar shpirtërisht. Krijimi i Partisë Demokratike më hoqi frikën. S’kisha më frikë, domethënë, erdha te Hektori, erdha të vetja. Fitorja e Partisë Demokratike, më solli lirinë në mars 1992. Me fitoren e demokracisë vura në vend integritetin e familjes sime, që unë e vlerësoj shumë më tepër se tërë pronat që kanë marrë këta. Demokracia më vuri në vend dinjitetin e familjes.
A dini gjë për vend-varrimin e babait tuaj dhe a jeni vënë në lëvizje për ta gjetur vend-varrimin?
Absolutisht asgjë nuk di, megjithëse jam përpjekur shumë.
Sa shpresë keni që autoritetet shtetërore do të mundësojnë gjetjen e eshtrave të babait tuaj?
Asnjë shpresë. E quaj të humbur.
Kur mendoni se do të mbyllet kjo histori?
Kur të mbyllet jeta ime. Kudo që të shkoj, çfarëdo që të bëj, çfarëdo që të flas, unë kam detyrën më të vështirë – ta mbaj gjallë emrin e babait tim. Është peshë e rëndë shumë. Ai e ka paguar me jetë, unë kam detyrimin t’ia mbaj emrin gjallë!
Ju falënderoj shumë zoti Hektor për intervistën.
Edhe unë ju falënderoj shumë./ Memorie
Discussion about this post