Tregu i sigurimeve u rrit me 9.2% për vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rritja u ngadalësua ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur tregu kishte regjistruar një rritje me 16%.
Pandemia që goditi vendin në vitin 2020 solli mes të tjerash edhe luhatje të bazës krahasuese, që shpjegon në një masë të madhe edhe rritjen dyshifrore të vitit 2021, së bashku me rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike.
Primet e shkruara bruto arritën një vlerë totale prej 21 miliardë lekësh ose rreth 181 milionë eurosh. Me një prim mesatar sigurimi prej afërsisht 62 eurosh për frymë, Shqipëria ngelet një ndër tregjet me densitetin më të ulët të sigurimeve në Europë.
Tregu dominohet nga segmenti i sigurimeve të Jo-Jetës, që për vitin 2022 përbënin afërsisht 91.75% të primeve të shkruara bruto. Ky segment megjithatë shënoi një rritje më të ulët se mesatarja e tregut, me 8.35% krahasuar me një vit më parë. Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dukshëm produktet me peshën kryesore në tregun e Jo-Jetës, me 67.75% të primeve të shkruara bruo, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 66.7% i një viti më parë.
Një ndër faktorët kryesorë që ndikoi zhvillimet e tregut për vitin e kaluar ishte rritja e turizmit, si në kahun hyrës, ashtu edhe atë dalës. Shtimi i numrit të turistëve të huaj ndikoi në rritjen dyshifrore të produktit të detyrueshëm të policës Kufitare apo të produktit vullnetar të sigurimit Kasko të automjeteve (i reflektuar kryesisht në biznesin e makinave me qira).
Ndërkohë, shtimi i turizmit dalës të shqiptarëve jashtë vendit solli rritje të ndjeshme në produktin e detyrueshëm të Kartonit Jeshil apo në atë ligjërisht vullnetar (por faktikisht të detyrueshëm) të sigurimit të aksidenteve.
Sigurimi i pronës dhe jetës
Ndërkohë, produktet më të rëndësishme të sigurimit vullnetar, ato të lidhura me sigurimin e pronës, shënuan rritje modeste, poshtë mesatares së tregut. Sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të tjera të natyrës u rrit me 5%, ndërsa sigurimi kundrejt dëmeve të tjera në pronë me vetëm 3%.
Me gjithë rreziqet e konsiderueshme nga katastrofat natyrore, ndërgjegjësimi për nevojën e sigurimit me qëllim zbutjen e riskut financiar ngelet në nivele të ulëta. Edhe tregu i sigurimit të pronës mbështetet kryesisht në detyrimin për sigurimin e kolateraleve të lëna si garanci për kreditë bankare.
Segmenti më i vogël i tregut, ai i sigurimit të jetës, shënoi ritme më të larta të rritjes se mesatarja, me 17.8% krahasuar me vitin 2021. Kjo solli një rritje të lehtë të peshës specifike të këtij segmenti, në 8%, nga 7.4% që zinte një vit më parë. Edhe në këtë segment dominon produkti faktikisht i detyrueshëm i sigurimit të jetës së debitorit, me 66.4% të primeve të shkruara bruto.
Ndërkohë, e shprehur në numër kontratash, rritja e tregut gjatë vitit 2022 ishte disi më e kënaqshme. Kontratat e sigurimit u rritën me 12.9% krahasuar me një vit më parë dhe arritën një numër total prej 1.32 milionë. Edhe në numër kontratash rritja më e lartë u shënua në segmentin e Jetës, me 18%, ndërsa në tregun e Jo-Jetës rritja ishte 12.4%. Edhe në numër kontratash sigurimet e Jo-Jetës dominojnë, me 90.5% të totalit./Monitor
Discussion about this post