Dy incidente me lëndë plasëse janë shënuar gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës, ndërsa policia dhe grupet hetimore kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Ngjarja e parë është regjistruar rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11 të Durrësit, ku në derën e jashtme të një lokali, në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.
Rreth 40 minuta më vonë, një tjetër incident është raportuar në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq. Sipas policisë, në derën e garazhit të një automjeti është hedhur lëndë plasëse, duke shkaktuar dëme materiale.
Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet për mbledhjen dhe administrimin e provave në vendngjarje, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të dy rasteve.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e ngjarjeve dhe për të identifikuar dhe kapur autorin ose autorët e dyshuar.









Discussion about this post