Nga Gerti Çarçani
Ditët e fundit Qeveria shqiptare ka servirur për të gjithë dynjanë faktin e buxhetit më të madh të të gjitha kohërave, atë të 10 mld-shit shtetëror. Duke shtuar këtu edhe rritjen e disa taksave, por kjo është tjetër cështje.
Por, në paketën fiskale të propozuar së fundmi reflektohen edhe disa pika në lidhje me sponsorizimin, atë që kryeministri e refuzoi ta kalonte si ligj më vete dhe tani, shteti ka zgjedhur ti bëjë një grim tërësisht bajat sportit, duke i pasqyruar disa anekse të limituara sponsorizimit në këtë paketë. Dhe fare thjeshtë këtë do e shesë sërish si një sukses, duke ua futur për të disatën herë sportit dhe futbollit. Një tjetër mashtrim me stil mjeshtërisht të kuruar, që con mesazhin të sporti e futbolli që: nuk është se unë nuk e po e rruaj për ju!
Reflektimet e sponsorizimit në paketën fiskale janë nje truk shumë i bukur për të ulur pak valvulën e “revoltës” sportive që nesër nuk do të jetë asnjë cudi të bashkëngjitet edhe si një “flamingo” sportive. Fakti është i thjeshtë: shmanget ligji bazik për sponsorizimin, si një vullnet i munguar dhe i certifikuar i ketij shteti dhe këtij kryeministri për sportin, dhe si për të tall trapin reflektohen disa pika për sponsorizimin në paketën fiskale. Që është sërish ligj, por me fuqi vetëm një-vjecare, sepse nëntorin tjetër do miratohet tjetra, me të tjera kritere, e mos më keq. Dhe cili është konteksti që ky mashtrim i bukur konvertohet si faturë suksesi? Pikërisht fakti që Rama kërkon të zhbëjë një tjetër lëvizje revolte, duke e përcjellë sportin e futbollin me stil, e natyrisht me një të futme spektakolare që dhëmb për momentin.
Sporti, dhe futbolli në vecanti duhet të kërkojnë ligjin bazik dhe të drejtpërdrejtë “Për Sponsorizimin”. Të gjitha piruetat e tjera të Edi Ramës janë zbythje për to, duke i injoruar dhe mashtruar pabesisht, për të miliontën herë. Minimalisht u detyrohet një spjegim këtyre burrave. Sepse vetë Rama, brenda në shtëpinë e futbollit, vetë Gonxhe brenda në Asamblenë e futbollit, kanë artikuluar me zë dhe figurë që: sponsorizimin do e bëjmë ne. Ka qenë një angazhim publik shtetëror dhe individual, por faktet kanë treguar që Rama thjesht dhe vetëm e ka përdorur dhe mashtruar sistematikisht sportin dhe futbollin në vecanti për këtë ligj. Dhe për këtë nuk del e flet. As ai, as ministri i linjës, as zotëria i financave, as edhe kryetifozi i kombëtares z.Balla. Kjo lëvizje me paketën fiskale ishte një tjetër e futme e bukur, teksa ligji i sponsorizimit, thjesht mbetet një trill i bukur me efekt besues, vetëm kur kemi zgjedhje.
Duke u ndalur pak edhe te z.Taulant Balla, njeriu më prezent në futboll, në stadium dhe në facebook për sukseset që prodhon futbolli.
Duke mirëkuptuar deri diku faktin që ndoshta nuk e vërshëllen kush në këtë pikë sado mund të ketë lobuar, sërish Z.Balla është shumë prezent dhe suportues kur ne fitojmë në Serbi, kur cunat kuqezi bëjnë sukses me ekipet e tyre, kur misioni i tyre del mbi gjithcka, kur është pjesë e pandashme e imazhit të tyre, kur ekipet tona avancojnë në europë, kur padeli rregjistron suksese madhështore në arenën europiane. Por, unë nuk e kam dëgjuar qoftë edhe në një moment të vetëm kryetarin e grupit parlamentar të flasë një sekondë, apo të hedhë një gërmë në facebookun e tij politiko-sportiv për ligjin e sponsorizimit, për paratë e taksapaguesve që i gëlltit me një dorë një padel me 2.2 mln euro, për rritjen e buxheteve sportive, për para që furtbolli kërkon për një europian të U-21 që do bashkëorganizojmë më Serbinë, etj etj etj. Natyrisht që ai është vokacion politik dhe jo sportiv, por duke qenë shumë afër sukseseve që futbolli ka prodhuar, kurrsesi nuk mund ti shmanget një detyrimi të tillë sensibilizues sado të vogël.
Kur parlamenti dha me një dorë 2.2 milionë euro për padelin me akt normativ (ndërkohë buxheti vjetor për 28 federata bashkë është 1.5 mln euro) z.Balla nuk tha asnjë fjalë në aktin normativ që referonte Klosi dhe kundërshtoi me forcë Brace. 2.2 mln me një dorë. Teksa po asnjë fjalë nuk pashë në median e tij sociale për rrëzimin e aktit normativ në fund korrikut ku mes të tjerave u rrëzua dhe një financim i kërkuar nga FSHF për Europianin. E shumë të tjera të kërkuara dhe të refuzuara nga ky shtet.
Sidoqoftë, uroj shumë dhe pres shumë që z.Balla do të mund të thotë ndonjë fjalë këto ditë edhe për shpullën e fundit për sponsorizimin që shteti i dha sportit e futbollit, shtuar edhe make-up-in e fundit të paketës fiskale. Natyrisht, shtetit për politikat e tij fiskale dhe incentive nuk mund ti imponohesh, por kur shteti dhe KM vetë e ka premtuar disa herë, lipset një spjegim arësyetues e shterrues se pse nuk e bën, ose nuk ke ndër mend ta bësh.
Boll e tallët trapin, sic deshët, si deshët dhe sa herë deshët me futbollin, me “të cmendurit” pasionantë të superiores e jo vetëm që paguajnë pa kriter, deri sa një ditë ti lënë gjunjët. Dhe kur të lënë gjunjët, natyrisht fillon gjuha…









Discussion about this post