Protesta qytetare në Tiranë, ka shënuar ditën e sotme ditën e 68-të të revoltës qytetare për rrëzimin e klasës politike.
Si çdo ditë tashmë, qytetarët kanë mbajtur fjalime përballë godinë së Kryeministrisë ku kanë shprehur kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre.
Një qytetar gjatë fjalimit të tij ka theksuar se do të vazhdojnë të protestojnë deri në largimin e kreut të vendit, ndërsa qëllimi i vetëm mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Rama, qytetarët shprehen të bindur se nuk do të largohen nga bulevardi.
“Jemi këtu së bashku në ditën e 68 të protestës, 68 ditë rezistencë, për një qëllim, dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë së tij.
Sot më 6 gusht, Edi Rama kishte shpresuar se asnjë prej nesh nuk do ishim këtu dhe ai të shijonte i qetë pushimet e tij. Por ne kemi vendosur që të mos largohemi nga bulevardi pa u larguar Edi Rama”, deklaroi ai.
Një aktiviste ka deklaruar nga podiumi para godinës qeveritare se kërkesat e qytetarëve janë rritur.
Sipas saj, gjatë këtyre protestave ka ndodhur një revolucion i vërtetë në shoqërinë shqiptare. Kjo pasi ky tubim i përditshëm i ka mësuar ata të bashkohen përtej dallimeve fetare, krahinore, arsimore dhe ekonomike.
Më tej, e reja artikuloi kërkesat e protestuesve, duke thënë se në krye të listës është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë kabinetit qeveritar. Së dyti, ata kërkojnë shfuqizimin e të gjitha ligjeve që i privatizojnë të mirat publike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, ligjit për investitorët strategjikë dhe anulimin e ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura.
Në fund, ajo tha se qytetarët kërkojnë që mandati i kryeministrit të jetë vetëm një mandat dhe jo për gjithë jetën e tyre politike.
Aktivistja: Jemi në ditën e 68-të, pasi kërkesat që kemi thirrur që ditën e parë jo vetëm që nuk janë dëgjuar, por janë shtuar. Arroganca e këtij shteti dhe e këtij kryeministri, pavarësisht se ka 68 ditë që e ka të gjithë shoqërinë në rrugë, jo vetëm që nuk është pakësuar, por është shtuar.
Sot kemi parë, si çdo ditë tjetër, se si një kryeministër i cili ka vendosur që të bullizojë, të shajë dhe të targetojë protestuesit, e disa prej tyre edhe t’i kërcënojë me “non grata”, në vend që t’i japë përgjigje kërkesave tona. Ky është një tregues që ne të mos e lëmë sheshin. Dhe jo vetëm të mos e lëmë sheshin, por edhe të ftojmë të tjerë, të njohurit tanë, ata që janë lodhur nga qeveria, që janë lodhur duke u vjedhur. Sheshi është i të gjithëve.
Në 68 ditë ka ndodhur një revolucion i vërtetë në shoqërinë shqiptare. Ne mësuam të vijmë këtu, të gjithë së bashku, përtej dallimeve fetare, përtej dallimeve krahinore, përtej dallimeve arsimore e ekonomike. Ne mësuam të vijmë këtu së bashku dhe të kërkojmë jo vetëm një Shqipëri të re, por një Shqipëri të lirë.
Luftëtarët që ka prodhuar kjo shoqëri dhe kjo tokë na kanë mësuar se si është të luftosh kundër pushtuesit. Sot kemi një luftë tjetër, luftën ndaj autokracisë, ndaj korrupsionit, ndaj arrogancës shtetërore, ndaj dhunës policore, ndaj oligarkisë dhe medias së shitur. Luftën për një Shqipëri të re dhe të lirë. Prandaj, sot, si çdo ditë tjetër, jemi këtu për të thënë se kërkesat tona nuk janë realizuar dhe se ne nuk e lëmë këtë shesh pa u realizuar të gjitha kërkesat tona.
Kërkesat tona janë përsëritur dhe janë: Së pari, kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë kabinetit qeveritar. Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje! Së dyti, kërkojmë shfuqizimin e të gjitha ligjeve që i privatizojnë të mirat publike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, ligjit për investitorët strategjikë dhe anulimin e ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura, që i kthejnë ato në rrezik prej babëzisë. Ndaj dhe sot kërkojmë: anuloni ligjin.
Kjo protestë e ka bërë të qartë se kërkon një revolucion jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj të gjithë klasës politike 36-vjeçare, e cila e ka varfëruar dhe e ka përdorur shoqërinë për interesat e saj private. Ndaj dhe sot kërkojmë që mandati i kryeministrit të jetë vetëm një mandat dhe jo për gjithë jetën e tyre politike.
gijotina.com/










Discussion about this post