Pista e hakmarrjes është ajo për të cilën Policia e Vlorës ka përqëndruar vëmendjen lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në këtë qytet. Viktima, 41-vjeçari Leartiad Lekaj (Keka), që u qëllua me breshëri automatike nga një makinë në lëvizje, është akuzuar si pjesëmarrës në një garbitje me pasojë vdekjen e një qytetari.
Viktima ishte duke udhëtuar me motor, kur është qëlluar me armë zjarri nga një person i maskuar. Nga hetimet, rezulton se autori i maskuar ka zbritur nga një makinë ‘Audi A6’ me ngjyrë të errët me targa italiane dhe ka qëlluar në drejtim të 41-vjeçarit. Policia gjeti në vendin e ngjarjes mbi 28 gëzhoja.
Sipas raportimeve, mësohet se viktima është qëlluar fillimisht përpara bibliotekës së Vlorës nga një mjet “Audi” i zi tip A6 me targa italiane. Pasi është qëlluar, 41-vjeçari ka rënë nga motori dhe ka ecur për rreth 100 metra, ndërsa autori e ka ndjekur nga pas edhe është siguruar që ta vrasë. Më pas 41-vjeçari është qëlluar sërish para kishës Ortodokse. Viktima e kishte pikasur se ishte duke u ndjekur nga autorët e krimit. Personi i cili ka qëlluar me kallashnikov ka qenë pasagjer në mjetin tip Audi A6.
Autorëve të krimit u janë dashur 12 minuta me automjetin tip “Audi” të zi tip A6 për t’u larguar nga qyteti i Vlorës e më pas për ta djegur atë në aksin Kote-Sevaster. Brenda automjetit të djegur është gjetur edhe kallashnikovi që dyshohet se është përdorur nga autori për të ekzekutuar 41-vjeçarin.
Mësohet se pas atentatit, policia ka shoqëruar 8 persona, që mund të kishin informacione në lidhje me ngjarje. Deri më tani nuk ka as edhe një person të dyshuar si autor të krimit.
Policia po heton mbi veprimtarinë e 41-vjeçarit në vitet e fundit, megjithëse janë ngritur dyshime se vrasja e djeshme është një hakmarrje lidhur me një ngjarje të ndodhur 23 vite më parë.
Viktima nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi më herët në dhjetor të vitit 2005, ai ishte marrë si i pandehur për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim me shtetasin Fjodor Mezyraj.
Çfarë ndodhi 23 vite më parë dhe gjykimi
Lekaj është dyshuar, akuzuar dhe më pas gjykuar për një grabitje me pasojë vdekjen e një qytetari në vitin 2000, ndërsa në vitin 2008 ai u shpall i pafajshëm, referuar një vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, ku çështja u rigjukua pasi u kthye nga Gjykata e Lartë.
Referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë të vitit 2005, ngjarja për të cilën akuzohet Lekaj ka ndodhur më 18 Gusht të vitit 2000 te “Kthesa e Gushajve” pranë Llakatundit.
Në atë ngjarje, që sipas hetimeve të kohës ka qenë një tentativë grabitje, ka mbetur i vrarë Vendim Malaj, ndërsa si autorë janë arrestuar dhe dënuar Leartiad Keka dhe Fjodor Mezyraj, të cilët pas një sage të gjatë gjyqësore kanë fituar pafajësinë.
Referuar rindërtimit të ngjarjes, sipas vendimit të Gjykatës, dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë dalë përpara automjetit tip “Benz” të shtetasit Julian Habili, me të cilin ishin duke udhëtuar dhe 4 persona të tjerë banorë të Llakatundit (midis tyre dhe viktima Vendim Malaj), duke i detyruar këta të ndalojnë, të zbresin nga makina dhe te qëndrojnë në pjesën e përparme të saj, me duart pas kokës, për t’i marrë të hollat që kishin me vete.
Ndërkohë që viktima ka kundërshtuar të zbatojë urdhërat e tyre, njeri prej personave te armatosur e ka kërcënuar, sharë dhe goditur me qytën e automatikut dhe me pas, kur viktima i është kundërpërgjigjur duke i kapur automatikun, personat e armatosur kanë shkrepur armët në drejtim të tij. Edhe kur viktima është rrëzuar përtokë, në një kanal buzë rrugës, personat e armatosur i janë afruar dhe e kanë qëlluar përsëri dhe si janë siguruar se ai kishte vdekur janë informuar për vendbanimin e tij, nga bashkudhëtarët e tjerë.
Leartiad Keka dhe Fjodor Mezyraj janë arrestuar pas një dëshmie të një vajze 14 vjeçe, e cila ka pretenduar se ka qenë në shoqërinë e autorëve të dyshuar kur ka ndodhur ngjarja.
Gjykata e Vlorës, më 23.10.2003, ka deklaruar fajtorë të pandehurit Leartiad Keka dhe Fjodor Mezyraj për vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim duke i dënuar me 22 vjet burgim secilin. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, më 01.10.2004.
Në vendimin e Gjykatës së Lartë sqarohet se nga mbrojtja është kërkuar kryerja e eksperimentit hetimor, që është rrëzuar si në shkallën e parë ashtu dhe në Apel.
Në këto kushte, GJL ka vlerësuar se dy vendimet e mëparshme janë të dhënë bazuar në një hetim jo gjithëpërfshirës, pra vetëm në thëniet e 14-vjeçares, të cilat nuk përputhen me ato të të dëmtuarve. Po ashtu, vlerëson se rrëzimi i kërkesës për kryerjen e eksperimentit hetimor ka qenë i padrejtë. Me vendimin e vitit 2005, GJL ka vendosur kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Apelit dhe kryerjen e eksperimentit hetimor.
Më tej, në vitin 2008, çështja është pushuar dhe autorët janë cilësuar të pafajshëm, për shkak të mungesës së provave që të vërtetojnë përfshirjen e tyre në krim.
Discussion about this post