Vajza e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, Argita Malltezi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme ndërsa në një deklaratë për mediat pas daljes, ajo dha detaje nga çfarë ndodhi brenda godinës.
Malltezi u thirr në SPAK në lidhje me kallzimin e bërë në SPAK, më 19 tetor nga ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka e cila ka kërkuar nga SPAK që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzon gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS.
Pas daljes Malltezi tha se SPAK ka vendosur mbylljen e procedimit. Ajo shtoi se pyeti a ekziston një video e tillë, a e disponon SPAK një video të tillë që e ka gjetur rastësisht në shtëpinë e një gazetari të larguar nga Shqipëria. Malltezi tha se vë në dyshim standartin e dyfishtë godinës së SPAK.
“Ka iniciuar një procedim penal, ndërkohë që ne kemi bërë, unë, Jamarbër Malltezi, 3-4 kallëzime penale për çështje konkrete, ka falsifikuar Millonai, Kraja, Dumani, aktet zyrtare, ka falsifikuar Irena Maneku Gjoka aktet zyrtare, Olldashi aktet zyrtare. Të gjitha këto kanë qenë akte falsifikimi me pasoja shumë të rënda. Nuk kanë nisur procedimin, por kanë vendosur mbylljen e procedimit. Ky është standard i dyfishtë i një drejtësie të kapur politikisht, ndërkohë që pyetja ime në thelb kishte për standardin e një drejtësie të kapur nga grupet kriminale, që SPAK e ka për detyrë ta sqarojë.
Çfarë bëra unë? Unë pyeta, a ekziston një video e tillë? A e disponon SPAK-u një video të tillë që e ka gjetur rastësisht gjatë kontrollit të shtëpisë të një gazetari të larguar nga Shqipëria. Unë nuk e disponoj, por kam thënë në deklarim që SPAK të na sqarojë nëse ekziston apo jo. Nëse ajo nuk ekziston, s’ka pse SPAK ta tjerri. Ndoshta dhe SPAK nuk ka mundësi që ajo video të thotë që nuk egziston dhe është në proces hetimi dhe në këtë do ta mirëkuptonim nëse nuk do të përgjigjej. Por, tentativa për të larë fytyrën e Irena Gjokës me skemat e procedurave të Salianjit është një tëntativë e dështuar.
Unë i jam referuar në atë pyetje shkrimeve mediatike të cilat janë nga burime të hapura. SPAK ka për detyrë t’i hetojë. Për sa i përket veprave të tjera të Irena Gjokës, unë kam bërë kallëzim penal dhe SPAK ka vendosur mbylljen e procedimit.
Nuk e kam përmendur emrin e gazetarit asnjëherë dhe e kam bërë këtë me qëllim për të lejuar SPAK që të sqarojë të gjithë situatën, prandaj ishte pyetje dhe jo konstatim. Ishte një pyetje që nuk cënonte hetimin nëse SPAk jepte një përgjigje.
U thirra si një person që mund të ketë dijeni mbi çështjen. Në parim, dhe bazuar në kod, SPAK ka mundësi që të zgjerojë objektin e hetimit dhe të arrijë në zbardhjen e së vërtetës, pavarësisht se e ka nisur me kallëzimin e gjyqtares.. Megjithatë, nuk kam besim te një institucion që mbajti për një vit në arrest liderin e opozitës ndërsa Jamarbër Malltezi është në arrest vetëm për faktin se mori tokën e tij. Mund të mendoni se çfarë standardi ka ky institucion. Për sa i përket veprave të tjera penale të Irena Gjokës, SPAK nuk ka preferuar të kryejë hetime”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se Irena Gjoka ka qenë dhe gjyqtarja në GJKKO për dosjen “Partizani”, ku caktoi masat e arrestit për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Në mediat greke u publikuan dokumentetet se gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka përdorur dhe mbiermat Maneku dhe Shpata, kishte fshehur një dënim në Greqi, por SPAK nuk ndërmori asnjë hetim ndaj saj, në lidhje me këtë çështje.
Discussion about this post