GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Botë

Ukraina dhe Rusia zhvillojnë bisedime pas më shumë se tre vjetësh

16:46 - 15/05/25
në Botë
Kohë leximi: 4 min
A A
Ukraina dhe Rusia zhvillojnë bisedime pas më shumë se tre vjetësh
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen për bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë pas më shumë se tre vjetësh në Stamboll. Megjithatë, përbërja e tyre do të jetë në nivel teknik, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë.

Bisedimet do të mbahen më 15 maj, në Pallatin Dolmabahçe, në Stamboll, dhe do të zhvillohen në mënyrë private, pa praninë e mediave, kanë raportuar mediat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është nisur drejt Turqisë, sipas agjendës së tij, edhe pse Putin ka refuzuar të udhëtojë për të marrë pjesë në bisedime. Zelensky do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara, por nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Stamboll.

Ai kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të takohej vetëm me Putinin dhe jo me zyrtarë të tjerë të nivelit të ulët nga Moska.

Pritshmëritë se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të merrte pjesë në bisedime u shuan, kur një deklaratë e Kremlinit njoftoi se Putin kishte nënshkruar më 14 maj një urdhër për të emëruar katër negociatorë dhe katër ekspertë që do të përfaqësojnë Rusinë.

Trump, i cili po zhvillon një vizitë katërditore në disa vende të Lindjes së Mesme, kishte thënë më herët se mund të ndalej në Turqi, nëse kjo do ta bënte Putinin të merrte pjesë.

“Nuk e di nëse ai [Putini] do të shkonte, nëse unë nuk jam atje”, u tha Trump gazetarëve nga Air Force One më 14 maj, teksa po fluturonte nga Arabia Saudite në Katar.

“E di që ai do të donte të isha atje – dhe kjo është e mundur. Nëse do të mund ta ndalonim luftën, do ta konsideroja me seriozitet”.

Mediat amerikane raportuan se të dërguarit amerikan, Steve Witkoff dhe Keith Kellogg, pritet të jenë në Stamboll.

Deklarata e Kremlinit konfirmoi se zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Aleksandr Fomin, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e para mes palëve pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, do të jetë pjesë e delegacionit rus.

Delegacioni do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i Putinit, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në rundin e fundit të bisedimeve më shumë se tre vjet më parë. Medinsky konsiderohet si një figurë me ndikim në promovimin e pretendimeve historike të Rusisë ndaj një pjese të madhe të territorit ukrainas dhe ka qenë autor i disa librave shkollorë me interpretim nacionalist të historisë ruse, që janë kontestuar nga historianë të pavarur.

Ndër negociatorët e emëruar është edhe Igor Kostyukov, drejtor i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës (GRU) – agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë. Kostyukov është përmendur nga Kremlini si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse.

Negociatorët kishin zhvilluar disa runde bisedimesh në mars të vitit 2022 në Bjellorusi dhe në Turqi, por ato bisedime u ndërprenë pa rezultat.

Presidenti ukrainas, Zelensky, i cili kishte sfiduar Putinin për një takim ballë për ballë në bisedimet që do të zhvillohen në Stamboll, deklaroi më herët gjatë javës se mungesa e Putinit është një sinjal i qartë se ai nuk është i interesuar realisht për paqe.

“Po pres të shoh kush do të vijë nga Rusia. Më pas do të vendosim çfarë hapash duhet të ndërmarrë Ukraina”, deklaroi Zelensky, më 14 maj.

Ai kishte shprehur gatishmërinë për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin pas thirrjes së këtij të fundit për bisedime direkte. Megjithatë, Zelensky kishte theksuar se nuk do të pranonte të takohej me një delegacion rus, por vetëm me presidentin Putin.

Putin kishte propozuar negociata direkte, “pa asnjë parakusht”.

Bisedimet synojnë të çojnë drejt një marrëveshjeje paqeje midis Kievit dhe Moskës, për t’i dhënë fund konfliktit më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, mungesa e presidentëve ka zbehur ndjeshëm pritjet për ndonjë përparim të madh në këtë proces.

Skepticizmi për suksesin e bisedimeve ishte i pranishëm edhe para se të bëhej e qartë se as Putin dhe as Trump nuk do të merrnin pjesë.

Ambasadori i Lituanisë në Suedi, Linas Linkevičcius, i tha televizionit Current Time se edhe pse të gjithë dëshirojnë një përparim, ai nuk sheh asnjë bazë reale për këtë, pasi qëndrimet fillestare të të gjitha palëve janë thellësisht të ndryshme.

“Nuk po flitet për interesat e Ukrainës, për përgjegjësinë ligjore [të Rusisë], e cila është thelbësore për të gjitha krimet që janë kryer nga ajo dhe udhëheqësi i saj”, tha Linkevicius. “Nuk mund t’i anashkalojmë këto dhe të pretendojmë sikur gjithçka është në rregull dhe po vazhdojmë si zakonisht”.

Linkevicius parashikoi se Rusia do të mbajë fjalime për “shkaqet rrënjësore” të konfliktit dhe vetëm pasi të adresohen ato, mund të jetë e gatshme të flasë për një armëpushim të mundshëm. “Me fjalë të tjera, nuk do të ketë armëpushim sërish”, tha ai. “Ata do të zvarriten për të fituar kohë dhe, sipas mendimit tim, për t’u përgatitur për një ofensivë verore”.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, deklaroi se mungesa e Putinit më 15 maj në Turqi do të jetë një tregues se “Moska nuk dëshiron paqe dhe nuk është e gatshme për negociata serioze”.

“Ne nuk i besojmë Rusisë… Por duam ta përfundojmë këtë konflikt dhe jemi të gatshëm të pranojmë çdo format negociatash”, tha Yermak për Le Monde.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, ka mbërritur në Antalia, në bregdetin jugor të Turqisë, ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po kryeson një takim joformal të ministrave të jashtëm të aleancës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili pritet të marrë pjesë në bisedimet për paqe bashkë me përfaqësuesit Steve Witkoff dhe Keith Kellogg, u takua me Sybihan më 14 maj në margjinat e takimit të NATO-s.

Sybiha shkroi në rrjetin X se kishte shpjeguar “vizionin e Zelenskyt për përpjekjet e mëtejshme për paqe” gjatë “kësaj jave kritike”. Ai tha se me Rubion “diskutuan në detaje logjikën e hapave të ardhshëm dhe ndanë qëndrimet tona”.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar valën e sulmeve me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë javëve të fundit, pavarësisht thirrjeve për armëpushim.

Kryetari i përkohshëm i qytetit Sumy, Artem Kobzar, tha se sulmet në këtë rajon më 14 maj shkaktuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve – numri i të vdekurve më pas u rrit në tre./ REL

Etiketa: RusiUkraine

Lajme të lidhura

Bie sërish “Cloudflare”/ Mijëra faqe interneti jashtë shërbimit, mes tyre dhe rrjeti social X
Botë

Bie sërish “Cloudflare”/ Mijëra faqe interneti jashtë shërbimit, mes tyre dhe rrjeti social X

11:33 - 05/12/25
Stuhia “Byron” paralizon Greqinë/ Rrugë të mbyllura, përmbytje dhe situatë alarmante
Botë

Stuhia “Byron” paralizon Greqinë/ Rrugë të mbyllura, përmbytje dhe situatë alarmante

11:29 - 05/12/25
Trump shpall mbylljen totale të hapësirës ajrore të Venezuelës, Karakas reagon ashpër
Botë

Lista me 19 vende qytetarët e të cilëve nuk lejohen të hyjnë në SHBA do të shkojë më shumë se 30

08:25 - 05/12/25
Para
Zgjedhjet 2025: Rënie e fortë e votuesve brenda vendit, mbi 200 mijë më pak se në 2021

Zgjedhjet 2025: Rënie e fortë e votuesve brenda vendit, mbi 200 mijë më pak se në 2021

Discussion about this post

TË FUNDIT

Bie sërish “Cloudflare”/ Mijëra faqe interneti jashtë shërbimit, mes tyre dhe rrjeti social X
Botë

Bie sërish “Cloudflare”/ Mijëra faqe interneti jashtë shërbimit, mes tyre dhe rrjeti social X

11:33 - 05/12/25

Një ndërprerje e re dhe e përhapur në Cloudflare ka shkaktuar ndërprerje serioze në internet, duke rrëzuar përkohësisht shumë faqe...

Lexo më shumë
Stuhia “Byron” paralizon Greqinë/ Rrugë të mbyllura, përmbytje dhe situatë alarmante

Stuhia “Byron” paralizon Greqinë/ Rrugë të mbyllura, përmbytje dhe situatë alarmante

11:29 - 05/12/25
Bleu vota për Tom Doshin/ Spak dërgon për gjykim kryebashkiakun socialist në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli

Akuzohet për korrupsion, GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut të Vaut të Dejës

11:13 - 05/12/25
Sherr në Velipojë/ I riu bën për spital 64-vjeçarin, shpallet në kërkim

Aksident me vdekje në Shkodër, 24-vjeçarja përplas me makinë këmbësorin (Emrat)

11:10 - 05/12/25
Lista Serbe merr pushtetin në komunat veriore të Kosovës, të pranishme edhe forcat e KFOR

Lista Serbe merr pushtetin në komunat veriore të Kosovës, të pranishme edhe forcat e KFOR

10:55 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com