Erion Veliaj po shkatërron zonat e mbrojtura në Tiranë. Ndërtimet në kryeqytet duken qartë që kanë shkatërruar Tiranën në aspektin financiar, shëndetësor, infrastrukturor dhe atë kulturor. Kështu, po shkatërrohen dhe ato pak hapësira të cilësuara sipas ligjit “Zona të mbrojtura”. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim për Zonat e Mbrojtura në Tiranë. Dhe që në hapje të raportit shkruan qartë se, “Në zonat e mbrojtura ushtrojnë aktivitet individ privat banorë të zonës. Si dhe një numër i konsiderueshëm biznesesh, që shfrytëzojnë këto burime natyrore fitimprurëse”.
Pra, KLSH tregon se zonat e mbrojtura po shkatërrohen për shkak të lejeve për ndërtime, që Veliaj iu jep biznesmenëve. Sipas KLSH-së, biznesmenëve të etur për para iu lihet rruga e lirë të abuzojnë në zonat e mbrojtura. Kjo për faktin sepse nuk rezultojnë të regjistruar në ASHK Tirane sipërfaqet e zonave te mbrojtura nga Administrata e zonave të mbrojtura Tiranë dhe (AKZM).
Pra, për kaq vite që Veliaj dhe qeveria mburret me këto zona si bukuri që tërheqin turistët, gjithçka ka qenë fasadë. Në këto hapësira abuzohet nga biznesmenët që fitojnë duke i shfrytëzuar. Duke mos qenë të regjistruara si “Zona Të Mbrojtura”, në këto pjesë biznesmenët punojnë pa kriter deri në abuzim dhe keqpërdorim.
Kjo po i çon ato gjithmonë e më shumë drejtë degradimit.
Sipas gjetjeve të auditimit, procesverbalet për veprimet e kryera në këto zona janë pa autor, pa vulë dhe të pafirmosura. Konkretisht, nga kontrolli doli se 8 procesverbale konstatimi rezultojnë të jenë pa autorë.
Të gjitha këto mangësi kanë sjellë mbi 20 milionë lekë dëme. “Nga auditimi i 20 dosjeve, për kontratat e lidhura midis subjekteve dhe ADZM, për sipërfaqet e zonave mbrojtura te marra me qira, u konstatuan disa te meta, mangësi. Dhe te ardhura munguara për vlerën 1,955,991 leke, për periudhën e vitit 2019, 2020 dhe 2021”, thuhet në raport.
Abuzimet në Parkun e Dajtit
Në këtë raport, Audituesi ka nxjerrë abuzimet që janë bërë me Parku Kombëtar i Dajtit, që gjithashtu përfshihet në listën e zonave të mbrojtura. Në raport sqarohet se në periudhën 2019-2021, ASHK 1 Tiranë ka legalizuar 2 ndërtime pa leje. Këto i dhanë mundësinë kompanive të legalizojnë aktivitete me rrezik në këtë zonë të mbrojtur të Parkut të Dajtit.
Por, s’ka mbaruar me kaq! Pas legalizimit të ndërtimeve, ADZM iu ka dhënë këtyre biznesmenëve edhe sipërfaqe tjera për rreth në përdorim. Në fakt, ligji lejon hapësira për aktivitete sociale, por jo për ndërtime.
“Në zonën mbrojtur “Parku Kombëtar Dajt” jashtë kritereve ligjore janë legalizuar 3 ndërtime pa leje dhe janë pajisur me certifikatë pronësie nga ASHK 1 Tirane për vitet 2019-2020-2021. Ndërsa nga ADZM me miratim te AKZM u është dhëne subjekteve edhe sipërfaqe tjera për rreth në përdorim. Në kundërshtim me ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, neni 2 dhe 16/2/a ”Parku Kombëtar”. Dhe me kushtet e kualifikimit të ndërtimeve informale në ZM për legalizim”, thuhet në raport.
Manipulimi i kontratave
Institucionet si AKZM, ADZM dhe Bashkia Tiranë, kanë vepruar në një linjë korruptive, duke bërë që për miqtë e tyre biznesmenë të manipulojnë kontratat. Si pasojë, kompanitë kanë përfituar sipërfaqe në Parkun e Dajtit në kundërshtim me ligjin dhe duke e shkatërruar mjedisin.
Audituesi evidenton se “në një tjetër rast është dhënë në përdorim ne zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar Dajt , sipërfaqja 1200 m2 me afat kohor 49 vite, me status juridik “livadh dhe shkëmb”. Ndërsa në thyerje të këtij kushti kjo sipërfaqe ka kaluar ne pronësi te subjektit, sipas vërtetimit hipotekor date 25.04.2018 te ZRRPP Tiranë”, thuhet në raport.
Ndërkohë, raportohet se në 3 raste, padrejtësisht është shtyrë afati i kontratës nga 5 deri në 10 vjet pa mbaruar afati 5 vjeçar i saj. Në vend që të shtyhej 3 muaj para mbarimit të afatit kontratës 5 vjeçare.
“Është shtyrë afati i kontratës nga 5 vjet në 10 vjet, pasi duhej shtyrë 3 muaj para mbarimit të kontratës 5 vjeçare (2020-2025), subjektit G.M. Është shtyrë afati i kontratës nga 5 vjet ne 10 vjet (2021-2031), sipas amendamentit 2 datë 20.10.2021, pasi duhej shtyrë 3 muaj para mbarimit kontratës 5-vjeçare, A.Sh. Datë 14.09.2020 dhe datë 21.07.2021, pa mbaruar afati 5-vjeçar i kontratës është shtyrë afati kohor nga 5 vjet qe ishte ne 10 vjet (2021- 2031)”, raporton KLSH.
Ndërkohë, janë bërë manipulime edhe në pagesën e qirasë.
Bashkia nuk iu mbledh taksat dhe qiratë këtyre biznesmenëve. Dhe sigurisht kjo është barrë që bie mbi qytetarët. Ne 11 raste, për vlerën 1,955,991 leke nuk janë shlyer detyrimet e kontratave për qiranë objekteve. Për sipërfaqet ndërtimore të bar-restoranteve, kabinave të drurit etj, mbi zonën e mbrojtur.
Të gjitha këto të dhënat nxjerrin abuzimet e Bashkisë Tiranë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Pra, Lali Eri vjedh me miqtë e tij fondet që bizneset e ngritura në Malin e Dajtit, duhet t’ua paguanin komunitetit në formën e taksave dhe tarifave!
Esmeralda Hida
Lexo edhe: Do kujdesen për koshat dhe stolat, Veliaj iu fal 2 mld lekë dy miqve të tij
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post