Erion Veliaj luan në tenderin abuziv me lodrat e fëmijëve të kopshteve dhe çerdheve të kryeqytetit. Sa herë që përkëdhel ndonjë fëmijë në foto, më pas bëhet ndonjë tender, ku kryebashkiaku dhe biznesmenë e privilegjuar firmosin kontrata blerjesh.
Më datë 3 tetor, Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve Tiranë, në varësi të bashkisë, ka firmosur tenderin me objekt “Blerje mjete didaktike”. Konkretisht, do të blihen kartonë me figura e lodra fëmijësh si: Shtëpi me forma kafshësh shtëpiake, Pazëll me 8 -10 mjete transporti, Kub aktiviteti i madh, pazëll me numra dhe të tjera. Dhe për këto lodra Veliaj ka urdhëruar që të lëvrohen 98 milionë lekë me TVSH.
Janë shumë lekë, por kur bëhet fjalë për fëmijët askujt nuk i vjen keq.
Nuk ka pak ditë që përfundoi edhe tenderi i mobilimit të koshteve dhe çerdheve. Pra, duket sikur fëmijët po përfitojnë nga projektet e Lali Erit. Por, po ikën tetori dhe tenderin i lodrave zvarritet derisa paratë të shkojnë tek kompania e paracaktuar. Këtu thejsojmë se kontrata vë afat për blerjen 31 dhjetorin 2023. Ose do të shkojë Lali Eri si Santa Claus t’ua çojë mjetet didaktike fëmijëve tek oxhaku, ose mbeten për vitin 2024.
Në dokument shihet se tenderi ka marrë “Red Flag” nga monitoruesi i pavarur Open Data Albania për shkak se ka mungesë konkurrence. Kjo do të thotë se për fondin ka risk korrupsioni nga zyrtarët. Për këtë prokurim kanë paraqitur ofertat e tyre 3 kompani, por 2 prej tyre sa për ‘sy e faqe’, sepse janë skualifikuar menjëherë nga gara. Kështu, Veliaj ia dhuroi tenderin firmës “AN&RA” shpk, e cila kalon në llogarinë e saj 98 milionë lekë.
Ndërkohë që Lali Eri e çon buxhetin në xhepat e biznesmenëve të lidhur me të, situata në kopshte e çerdhe është skandaloze. Çdo vit prindërit kanë ngritur ankesa për mungesën e ujit apo letrave higjienike që kanë kopshtet dhe çerdhet publike në Tiranë. Por, në fakt ka edhe shumë mangësi të tjera, që janë evidentuar më herët nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në raportin publikuar në vitin 2020 thuhet se kopshtet dhe çerdhet publike janë të mbipopulluara, dhe shërbimi i mjekut dhe psikologut është formal, pasi ata nuk paraqiten asnjëherë.
Auditimi i kryer nga KLSH ka nxjerrë edhe problematika në lidhje me ushqimet dhe fjetjen, ku ndër të tjera thuhet se në disa kopshte fëmijët flenë në krevate portativë dhe ka lagështirë. Fjetja në kushte të pa përshtatshme dhe dëmet në formimin fizik gjatë kësaj moshe janë të pariparueshme, thuhet në raport.
Ushqimi i papërshtatshëm
Pas shumë debateve për menynë e ushqimit në kopshte e çerdhe dhe ballafaqimit të fakteve, KLSH-ja do të thoshte fjalën e vet. Sipas saj, nisma e QEZHF për shtimin e frutave dhe perimeve në meny nuk është kompetencë e saj.
“Aplikimi i ndryshimeve në menynë ushqimore është detyrë dhe përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Theksojmë se QEZHEF nëpërmjet specialistëve të saj, apo rasteve të sugjerimeve nga prindërit, përfshihet në konsultime dhe diskutime për mundësinë e ndryshimeve në meny në grupet e punës që ngrihen për këtë qëllim, megjithatë miratimi përfundimtar është përgjegjësi e MSHMS. QEZHEF nuk mund të ndërhyjë as në llojshmërinë dhe as në sasinë e ofruar e produkteve ushqimore”, citohet në raportin ku nënvizohet se përgjegjësia e QEZHEF është vetëm monitorimi i cilësisë dhe pastërtisë së gatimeve dhe zbatimi me rigorozitet i menysë ushqimore.
Nga verifikimet e ekspertëve të KLSH-së në terren, janë vënë re mangësi në përcaktimin e metodologjisë së veprimit në rastet e fëmijëve me intolerancë ushqimore. Grupi i auditimit konstatoi se edukatorët vepronin sipas mendimit të tyre në këto raste delikate.
Prindërit paguajnë për mjetet didaktike, Lali Eri bën tenderë
Po kështu, konstatohet se prindërit përballen me “kosto të fshehura” për pjesën më të madhe të nevojave që ka një shërbim i tillë si ujë i pijshëm, lodra, mjete didaktike, pajisje dhe orendi të tjera si lavatriçe, frigoriferë, soba ngrohje apo riparimi i tyre, arredime të ndryshme, etj.
Sa i përket financave, KLSH do të kërkonte që menjëherë Bashkia e Tiranës të marrë masa për ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për administrimin e kontributeve të prindërve. Por, deri tani asgjë nuk ka ndryshuar: Prindërit paguajnë për mjetet didaktike, ndërkohë Lali Eri përvetëson paratë në tenderë me “Flamur të kuq”!
Lexo edhe: A do arrestohet Erion Veliaj? Ja ç’paralajmëron gazetarja
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post