Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit anti-SPAK dhe vëllai i trafikantit Geron Xhafaj, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale për çështjen Veliaj, duke mbrojtur kryebashkiakun tashmë nën arrest për korrupsion dhe pastrim parash.
Ndër të tjera Xhafaj shkruan se për të Erion Veliaj nuk është një zyrtar i korruptuar.
“Personalisht bëj pjesë tek të gjithë ata që besojnë që Erion Veliaj, për aq sa e njoh dhe si e njoh, nuk është një zyrtar i korruptuar. Askush nuk është i pagabueshëm, por nuk i shoh gabimet e tij edhe nëse janë të tilla, si qasje korruptive. Nuk e njoh gjithë çështjen në fjalë dhe nuk pretendoj ta njoh në thelb, por për aq sa kam lexuar dhe me njohjen që kam se si është ndërtuar ky proces, kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale. Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithsesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori”.
Më tej, Xhafaj shkruan se “duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie “arrest me burg” bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial”. Ai thotë se prokurori nuk bind.
“Faqet e shumta të vendimit gjyqësor nuk bindin dot askënd që ka minimumin e kulturës juridike që masa e marrë është proporcionale dhe në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale lidhur me këtë masë sigurie. Ca më keq akoma nuk bindin kur shtron në diskutim dobinë dhe interesin publik, përfshi dhe momentin politik e elektoral kur ajo u dha.
Nëse këtë e bashkon pastaj edhe me fillimin “anonim” të kësaj çështjeje, mënyrën e procedimit, mënyrën se si iu servir publikut gjatë hetimit dhe pas vendimit gjyqësor, me disa “argumenta” që përdoren për këtë vendimmarrje që nuk përputhen me të vërtetën që ne njohim dhe akoma më keq kur dëgjon për presione e shantazhe ndaj dëshmitarëve të pyetur, me të drejtë kjo e vendos në pikëpyetje integritetin profesional e moral të këtij procesi duke e bërë atë të dyshimtë në sy të çdo profesionisti të ligjit dhe vetë publikut.
Të jemi të qartë, askush nuk është dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe gjithkush mund e duhet të hetohet dhe gjykohet pavarësisht statusit politik, institucional e social. Edhe Erion Veliaj, padyshim që PO.
Nuk i hyj fare çështjes në thelb, është apo jo i fajshëm dhe përgjegjës ai për çfarë akuzohet, pavarësisht se nga ato qindra faqe nuk e gjej qartë një gjë të tillë, se ku është korrupsioni i vetë Kryetarit të Bashkisë!! Gjithsesi kjo nuk më përket mua dhe as tentoj ta bëj këtë gjë. Kjo i përket më së pari prokurorëve, ata kanë barrën e provës, të provojnë fajësinë me prova bindëse, përtej çdo dyshimi, me prova të qarta dhe jo me supozime e interpretime indirekte siç lexohen në vendimin gjyqësor.
Si ligjvënës, si përfaqësues i zgjedhur edhe me votat e qytetarëve të Bashkisë së Tiranës kam gjithë të drejtën të kërkoj që e gjithë kjo të kryhet me objektivitet dhe paanësi dhe përmes një procesi të rregullt ligjor, në respektim të parimeve kushtetutese dhe përcaktimeve të ligjit penal procedurial duke mbajtur kurdoherë në konsideratë të drejtat e liritë e njeriut dhe padyshim edhe interesin publik dhe sigurinë publike.
Njohja e gjatë dhe e thellë me Erionin e mban të njëjtë edhe sot vlerësimin tim për të si një funksionar publik që kudo ku ai ka qenë, ka shërbyer në interes të ligjit dhe të të mirës publike.
Gjithësesi në kushtet kur në tregun mediatik janë nxjerrë inventarët e veshjeve (jo pa qëllim dhënë në atë mënyrë dhe me ato detaje) opinioni publik meriton të sqarohet rreth tyre pavarësisht se nga sa del nga vendimi gjyqësor i bërë publik nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë edhe midis atyre “fakteve” dhe akuzës për korrupsion ndaj Kryetarit të Bashkisë”.
Në përfundim, Xhafaj kërkon nga Veliaj që të bëjë transparencën e plotë për akuzat e ngritura ndaj tij.
“Në përfundim duke i shprehur mbështetjen time Erionit në betejën e tij ligjore e politike, i kërkoj atij edhe në kushtet aktuale të izolimit, të bëjë transparencën e plotë për akuzat e ngritura si detyrim ndaj opinionit publik, qytetarëve e zgjedhësve të tij të Tiranës, si dhe përballë gjyqtarëve që do t’a gjykojnë e vendosin për të vërtetën e tij”, shkruan Xhafaj.
Discussion about this post