Edhe pas arrestimeve, hetimeve që zhvillon SPAK, azgjë nuk ka ndryshuar në prokurimet publike. Të njëjtët njerëz vazhdojnë dhe arkëtojnë buxhetin e shtetit me tendera fiktivë. Është e njëjta situatë si me dosjen e inceneratorëve, ku SPAK i sekuestroi, ndërsa nga buxheti i shteti vazhdojnë derdhen paratë në drejtim të tyre.
Dhe kulmi është kur këto gjëra ndodhin në kupolën e drejtësisë. KLGJ sapo i ka dhënë me tender fiktiv afro 1.4 miliard lekë kompanisë së vëllait të Damian Gjuknurit.
Bëhet fjalë për prokurimin e Këshilit të Lartë Gjyqësor me objekt “Shërbim mirëmbajte e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore ICMIS, ARKIT për të gjitha gjykatat, PAKS+, INFOPOINT, portal ëëë.gjykata.gov.al dhe infrastruktura mbështetëse”. Ky tender vjen menjëherë pas kontratës 10 milionë euro dhënë Ermal Beqirit dhe Panajot Gjiknurit.

Komisioni i tenderit e merr publikun për budalla. Megjithëse në ditën e hapjes së ofertave, më 31 dhjetor 2025, kanë qenë dy pjesëmarrës, njëri ka bërë ofertë zero lekë. Pra, tenderi me vlerë të lartë monetare është zhvilluar me një operator KREATX shpk & AXIANS ALBANIA SH.P.K përfaqësuar nga kompania e parë që ka 91.5% të sipërmarrjes në këtë “joint venture”. Më e pakta që mund të themi është se paratë publike janë dhënë pa asnjë lloj gare.

Në këto rrethana të sajuara, kontratën e ka fituar “KREATX” shpk me ofertën 110.883.824 Lekë pa tvsh ose duke përfshirë TVSH vlera pritet të arrijë në 133,016,588.8 lekë.
Skemë e përsëritur edhe tek AKSHI
Këto skema komisioni KLGJ duhet t’i ketë kopjuar nga AKSHI, që vazhdon të drejtohet nga një “organizatë kriminale”, sipas akuzës së SPAK.
Në ditët e fundit të vitit të kaluar, para arrestimit, Karçanaj do t’i firmoste një tender të tillë kompanisë së vëllait të një eksponenti të PS-së.
Përfitues është “KREATX” shpk me administrator Enor Nakuçin, por që ka pronar në hije vëllain e ish-ministrit të fuqishëm të PS-së (në media është raportuar se kompania “Kreatx” është në pronësi të pjesëshme të z. Panajot Gjiknuri, vëllai i Damian Gjiknurit).
Tenderi i zhvatur ka si objekt “Përmirësim i platformës së shërbimit konsullor online” me kohëzgjatje 33 muaj dhe fond limit 205,106,800 Lekë pa TVSH ose 2,089,302 Euro pa TVSH.
Prokurimi ka nisur qysh në muajin maj 2025, por Linda Karçanaj e kishte “harruar” në sirtar dhe u kujtua të bënte vlerësimin e ofertave në muajin tetor. Eshtë një procedurë tipike fiktive, ku fituesi është i paracaktuar.

Sipas dokumenteve, në tender kanë marrë pjesë 5 kompani, ku dy prej tyre kanë bërë oferta me vlerë 0 lekë duke mos ngarkuar në sistem asnjë dokument. Këta janë operatori ekonomik NAOL SHPK dhe “INSTANT.AL” SHPK.
Bashkimi i operatoreve ekonomik “Advanced Business Solutions-ABS” shpk dhe “DATA LOG” shpk ka bërë ofertën me vlerë 154,000,000 Lekë pa TVSH.
Bashkimi i operatoreve ekonomik: Kreatx sh.p.k. (86%) dhe HardTech sh.p.k (14%) ka bërë propozimin 190,454,780 lekë pa TVSH si dhe 228,545,736 Lekë me TVSH.
Në fund renditet “Communication Progress SHPK” me ofertë 197,749,000 dhe 237,298,800 Lekë me TVSH. Komisioni i ka skualifikuar të gjitha ofertat, përvec KREATX shpk.
Më 22 tetor 2025, kompania ABS është ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për skualifikimin.
Më 17 nëntor 2025, KPP mori vendim në dukje në favor të kompanisë së Gerond Meces, duke e pranuar ankesën pjesërisht dhe dukë rekomanduar të bëhet rivlerësimi i ofertës. Por komisioni i Karcanaj vazhdoi me pazarin që kishte mbaruar.
Komisioni i Prokurimit Publik, i përbërë nga Fiorent Zguro nënkryetar dhe anëtarët Kreshnik Ternova, Anila Malaj, Gjergj Mersini, në mbledhjen e datës 5 dhjetor 2025, konstatoi se kërkesa është rishikuar dhe vendosi: Të lejojë Mirlindën për vijimin me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit.
Ortak me Ermal Beqirin në tenderin 10 milionë euro të KLGJ
Paralelisht me procedurën e mësipërme, një betejë për 10 milion euro është zhvilluar mes kompanive Advanced Bussines Solution dhe bashkimit të kompanive “Kreatx” dhe “Soft and Solution” të Ermal Beqirit në lidhje me mega tenderin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për Sistemin e Integruar i Menaxhimit te Çeshtjeve Gjyqesore (ICMIS).
Kompania Advanced Bussines Solution është ankuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik në lidhje me shpalljen fituese të ofertës së kompanive “Kreatx” dhe “Soft and Solution” disa ditë më parë nga kontraktori, i cili në rastin konkret është KLGJ.
Advanced Bussines Solution kërkon nga KPP vlerësimin e procedurave të shpalljes fituese të ofertës me vlerë 924.375.000 lekë të reja të bashkimit të kompanive “Kreatx” dhe “Soft and Solution”, e cila nuk ishte edhe oferta më e ulët në këtë tender, pavarësisht se u shpall fituese.
Oferta më e ulët në këtë tender, me vlerë 818 800 000 lekë ishte pikërisht nga Advanced Bussines Solution.
Tenderi me objekt “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)” u shpall nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) në 21 shkurt të këtij viti dhe fondi limit për këtë procedurë u caktua 1 025 905 001 lekë të reja ose mbi 10 milionë euro.
Rezulton se në këtë tender kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomikë, ku oferta fituese u shpall pikërisht ajo e “Kreatx” dhe “Soft and Solution”.
“Soft & Sulution” është në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i cili rezulton të jetë një ndër lojtarët kryesorë për tenderët që kanë të bëjnë me tenderët për teknologjinë e informacionit, të shpallur nga AKSHI.

“Kreatx” shpk, e krijuar në vitin 2011, vetëm pak muaj më parë ka pranuar si ortak Panajot Gjiknurin, vëllain e ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, sot deputet i Partisë Socialiste. Ky përkim “rastësor” shton dyshimet për një influencë të qartë politike në përzgjedhjen e kësaj kompanie si fituese.

Kush është Klenathi Prifti, ortaku i Enor Nakuçit?
Në tenderin e përfituar nga KLGJ, ortake me “Kreatx” shpk që administrohet nga Enor Nakuçi, është “Axians Albania” shpk me pronar Kleanthi Priftin. Eshtë një kompani që ndërron shpesh emrat për t’u kamufluar, e regjistruar në Gjermani.
Më 14 prill 2025, në vrullin e kontratave sekrete, Ilrjan Celibashi i KQZ-së i ka dhënë kësaj kompanie kontratën “Shërbime të sigurisë kibernetike”. Fondi limit i caktuar nga komisioni i Celibashit për tu siguruar nga hakerat është 17,300,000 lekë pa TVSH. Megjithatë vlera totale përfundimtare e kontratës është 19,680,480 lekë me TVSH.

Për sigurinë kibernetike është ftuar kompania “Axians Albania” Sh.p.k. e regjistruar në vitin 2025 në Shqipëri, me aksionere kryesore një kompani gjermane që nuk i ka deklaruar ortakët në QKB, por përfaqësohet nga drejtuesi Kleanthi Prifti.
Kjo është një kompani që ka hyrë në tendera të mëdhenj të dyshimtë. Axians Albania apo ish S&T Albania ka monopolin absolut të tenderave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në sektorin e IT-së.
Kompania që nuk i dihet pronari “Axian Albania” Shpk ka mbështetje të fuqishme, pasi është e listuar në një grusht subjektesh që marrin tenderat e AKSHI-it.
Për më tepër, kjo kompani lë pas sisteme që në fakt nuk funksionojnë dhe u shkaktojnë shqetësim taksapaguesve dhe përdoruesve. Të gjithë e keni përdorur sistemin e gjobave të policisë dhe e keni vënë se sa gabime ka në funksionimin e tij. E pra, autori është “Axian Albania”.
Kur u godit e-albania nga piratët kibernetikë, Mirlinda e AKSHI-it gjente kohë që t’i jepte kësaj kompanie tenderin me objekt “Përmirësimi i sistemit e-gjoba, integrimi me pajisjet mbështetëse radar, dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit”. Ishte një fond prej 4 miliardë lekësh që kjo firmë e ndante me subjektin tjetër “Image & Communications Development” në pronësi të Igli Gjelishtit, sipas kontratës së datës 16 gusht 2022.
Audituesit e KLSH ishin në Policinë e Shtetit më 6 janar 2024 dhe kostatuan mosfunksionimin e shumë zërave të këtij sistemi. Kjo situatë vjedhjesh të buxhetit të shtetit duket se do të vazhdojë derisa të nisë të funksionojë ministria e Diellës, që do të merret posaçërisht me tenderat.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post