Gjykata Kushtetuese ka përgënjeshtruar kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili në një intervistë televizive, nje javë më parë u shpreh se në votimin e parë të Gjykatës Kushtetuese për vendimin e GJKKO për pezullimin e Ballukut, ndarja e votave 4 me 4, do të linte në fuqi këtë vendim, por ka qenë një nga anëtaret e trupës së gjyqtarëve që ka kërkuar të rivotojë pasi e ka rivlerësuar edhe njëherë zgjedhjen e saj.
Njoftimi i plotë i GJK:
Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuesei përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.
Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.
Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.
gijotina.com/










Discussion about this post