Policia e Tiranës njofton se autori i dyshuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 1 dhjetor 2024 në Ndroq te lokal ‘Kështjella’, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 50-vjeçar Alfred Dedja, është ndaluar.
I dyshuari, Julian Gjoshi, 26 vjeç, banues në Shijak, u dorëzua pas masave intensive të Policisë, përfshirë bllokimin e rrugëve dhe përdorimin e inteligjencës policore, duke e pamundësuar fshehjen e tij.
Automjeti i dyshuar që u përdor nga autori është sekuestruar si pjesë e hetimeve.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 01.12.2024, ku rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç, ju informojmë se:
Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në Polici.
Në vijim të veprimeve Specialistët për hetimin Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin e autorit të dyshuar, shtetasit J. Gj., 26 vjeç, banues në Shijak.
Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin dhe sekuestrimin e provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Tiranë, kanë punuar me profesionalizëm në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së Shtetit.
Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.
Ngjarja
I bindur se hetuesit do binin shpejt në gjurmët e tij, kunati i të shumëkërkuarit Altin Hajri nuk e dogji automjetin me të cilin u largua pas vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja, pasditen e së dielës në Ndroq. 26-vjeçari Julian Gjoshi, e braktisi makinën ML në pronësi të babait të tij pranë Shkëmbit të Kavajës dhe pak më tutje u gjetën edhe targat, por jo arma e përdorur në krim.
Julian Gjoshi ishte në lokal “Kështjella” i ulur në tavolinë me një të afërt të pronarit. Sapo Alfred Dedja ka hyrë, i zgjati dorën për ta takuar por Gjoshi e qëlloi me 5 plumba pistolete pa e nxjerrë fare nga xhepi i xhupit. Edhe viktimës iu gjet një pistoletë por që nuk e ka përdorur për shkak se u kap në befasi.
I dyshuari Julian Gjoshi, i kthyer së fundmi nga Spanja, është vëllai i gruas së Altin Hajrit, të kërkuar nga drejtësia për marrjen peng, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, ngjarje e ndodhur janar të 2020-ës, në kompleksin në pronësi të tij në Shijak “Golden”. Në këtë resort shumë vite më parë ka qenë menaxher Alfred Dedja. Të dy kishin njohje dhe afrimitet, por së fundi dyshohet të kenë pasur debate të vazhdueshme. Hetuesit mendojnë se në lokal “Kështjella” do të takoheshin për tu sqaruar, por arma nuk i la vend fjalëve.
Alfred Dedja, i cili jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë ishte me precedent penal në fushën e narkotikëve në shtetin fqinj. Ndërsa autori i dyshuar Julian Gjoshi, në Shqipëri është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Për këtë çështje, emri i tij përmendet në dosjen e SPAK për ish-deputetin socialist Jurgis Cyrbja, të cilit Altin Hajri, i kërkon të ndërhyjë për ta liruar nga burgu.
Motivi ende është i paqartë për hetuesit, se përse Julian Gjoshi vrau ish-bashkëpunëtorin e kunatit, por paraprakisht hetuesit dyshojnë se krimi vjen pas prishjes së pazareve të drogës.
Policia ushtroi kontrolle në Tiranë, Durrës, Shijak dhe zonat përreth, për arrestimin e Julian Gjoshit, ndërsa grupi hetimor shkoi sërish pranë lokalit për të gjetur prova të tjera për zbardhjen e dinamikës, por në ndihmë kanë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Të paktën 20 persona, u morën në pyetje, ndërsa personi që ishte në tavolinë me autorin Gjoshi tha se nuk ka dijeni për arsyet e vrasjes. Familjarë të autorit dhe të 50-vjeçarit të vrarë nuk kanë ndihmuar hetuesit në zbërthimin e konflikteve të vjetra mes tyre.
gijotina.com/
Discussion about this post