Ramazan Kalia ose “Zani i 7 liqeneve të Lurës” ia ka gjetur anën edhe Evisit. “Gruaja e hekurt” Evis Sema u votua për një mandat të dytë në vitin 2023 dhe qysh atëherë po bën lekët e brezit të dytë me tendera.
Kështu, me një shkresë të datës 19 janar 2026, pronari Kalia i “LIQENI VII” SHPK, me seli në Shkozet, Durrës, është njoftuar në mënyrë finale nga kryetarja e Këshillit të Qarkut Fier, të paraqitet dhe të firmosë kontratën 710 milionë lekë.
Dhe është bërë një luftë e madhe mes pushtetit të zonjës Sema dhe nënkryetarit të KPP, Fiorent Zguro për të vendosur fatet e kësaj kontrate. Si rezultat tenderi që nisi në fllim të verës po mbyllet në fund të dimrit, ndërsa banorët e Darëzezës presin rrugën e premtuar.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Qendër Darzezë Bregdet, në Lindje dhe në Perëndim” i nisur më 10 qershor 2025. Projekti i rregullimit të rrugës me fond limit 71 816 474.80 lekë pa TVSH financohet nga buxheti i Këshillit të Qarkut dhe i Bashkisë Fier.

Po të mos ishte “Zani i Liqeneve” të Lurës, i njohur si protagonit i tenderave me fitues të paracaktuar, rezultati do të ishte ndryshe. Kjo për faktin se oferta e “Liqeni VII” nuk ishte as më e ulëta as më ekonomike, bazuar në kosto, ashtu sic e parashikon ky lloj prokurimi.
Konkretisht, në mes të 22 pjesëmarrësve kishte oferta dukshëm më të ulëta së sa ajo fituese. Kështu, Bashkimi i Operatorëve ekonomik “BIBA-X” SHPK & “BONUS” Sh.p.k SHPK , propozon që ta kryejë këtë punë me 44 881 999,00 lekë pa TVSH.
Po ashtu, Operatori ekonomik “2 N” SHPK ka bërë ofertën me vlerë 45 000 000,00 lekë pa TVSH.
Ndërsa Operatori ekonomik “NIKA” SHPK ka prezantuar ofertën ekonomike: 46 678 624,65 lekë pa TVSH. Edhe firma “RAFIN COMPANY” SHPK ka ofertë më të ulët, 49 055 554,80 lekë pa TVSH.
Në këtë nivel është edhe oferta e “NDERTIMI” shpk me vlerë 49 204 403,90 lekë pa TVSH. Pasi i ka skualifikuar konkurrentët, komisioni i ngritur nga kryetarja Sema më datë 1 gusht 2025 vlerësoi si fitues operatorin ekonomik “LIQENI VII” SHPK me ofertën 49 545 096,30 lekë pa TVSH.

Nga tabela duket qartë “kryevepra” me skualifikime që do të bëhej mollë sherri mes dy institucioneve Këshillit të Qarkut dhe Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
“Beteja” mes Zanit dhe Shpresës në KPP
Njëra nga kompanitë e skualifikuara, “Nika” shpk me pronare Shpresa Nikën, por që ka pas njerëz të fuqishëm të “Rilindjes”, nuk ishte dakord me vendimin. Për ta përmbysur verdiktin, Nika iu drejtua KPP-së, ku ndihet më e fuqishme.
Ankesa e Nikës është regjistruar më 3 korrik 2025 në KPP, njëkohësisht edhe në Këshillin e Qarkut Fier.
Në denoncimin e Nikës kërkohej “Shfuqizimi i vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga operatori ekonomik “NIKA” SHPK”. Sipas Nikës, skualifikimi ishte i padrejtë dhe i pambështeur në dokumentacionin e paraqitur.
Më datë 6 tetor 2025, KPP vendosi të pranojë ankesën e Nikës dhe të urdhërojë Këshillin e Qarkut Fier të rivlerësojë procedurën.

Por kryetarja Sema duhet t’ia jepte kontratën patjetër Ramazan Kalisë. Ky i fundit ka pasur mbështetje nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, prandaj nuk është e rastit që Kalia po favorizohet në Fier, ku ajo ishte shefe e shtabit elektoral të PS-së.
Por duke qenë se njeriu i Ballukut në krye të KPP, Jonaid Myzyri është shkarkuar me urdhër të SPAK, Komisioni në këtë rast nuk reflekton menjëherë. Në këto kushte, Këshilli i Qarkut i shkruan KPP-së se e ka zbatuar vendimin dhe po vazhdon me shpalljen e fituesit.
Nga verifikimi i informacionit të dërguar nga ana e autoritetit kontraktor Këshilli i Qarkut Fier si dhe raportit të auditit në sistemin e prokurimit elektronik, KPP konstaton se, është kryer rivlerësimin e procedurës në sistemin e prokurimit elektronik, por nuk ka rivlerësuar OE “NIKA” Shpk në përputhje me vendimin e KPP-së pasi statusi i këtij ofertuesi vazhdon të jetë i skualifikuar.
Duke konstatuar këtë “mosbindje” të kryetares së Fierit, nënkryetari i KPP vendosi për “Mosheqje pezullimi” të tenderit.
Kështu më 22 tetor 2025, Këshilli i Qarkut u urdhërua nga KPP të ndryshojë statusi i këtij ofertuesi nga “i skualifikuar” në “i kualifikuar”.

Pas disa korrespondencave, Këshilli i Qarkut Fier njofton se ka kryer rivlerësim të procedurës së prokurimit objekt ankimi, pasi ka kryer rivlerësim të saj dhe e ka vërtetuar me nënshkrimin e procesverbalit të rivlerësimit të hartuara nga KVO me nr. 821/6 prot., të datës 10 tetor 2025, duke lënë edhe gjurmë në sistemin e prokurimit elektronik ku evidentohet se, është kryer një rivleresim me datë 10.10.2025 në zbatim të vendimit të KPP.
Kështu më 31 tetor 2025, KPP i hapi dritën jeshile kryetares Sema që të vazhdojë procedurën me Ramazan Kalinë.

Por Nika nuk është dorëzuar dhe e ka denoncuar sërish Këshillin e Qarkut Fier në KPP. Më 9 dhjetor 2025 komisioni ka vendosur sërish në favor të Nikës.

Sigurisht që Sema nuk mund të ta kthente pas Ramazanin. Më mirë të vonohej rruga se sa të ndryshonte fituesi.
Pasi u përsëritën korrespondencat mes dy institucioneve, më 30 dhjetor 2025, KPP vendosi të lejojë kryetare Semën të shpallë fituesin.

Zani i mbingarkuar me tendera qindra milionë lekësh
Ramazan Kalia ose “Zani i 7 liqeneve të Lurës” ia ka gjetur anën Anuelës së Bashkisë Tiranë, ndërsa me Eimirianën e Bashkisë Durrës janë miq të vjetër tenderash! Por këtë radhë pazari ka qenë me të dyja njëherësh: Tender në Durrës dhe në Tiranë brenda ditës, në favor të kompanisë “LIQENI VII” shpk.
Po si ka mundësi që në datën 18 shtator 2025, edhe në Tiranë edhe në Durrës shpallet fitues i njëjti biznesmen. Duket sikur një dorë nga lart i rregullon këto punë. Ky mbase është kryeministri Rama, sepse Diella nuk ka nisur të merret me tenderat.
Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Tiranë me objekt “Rikonstruksioni i rrugës ”Ramazan Shushku””. Fondi Limit i miratuar për këtë projekt është 31 116 063,00 lekë pa TVSH, ndërsa si burim financimi janë të ardhurat e Bashkisë Tiranë për vitin 2025.

Në tenderin e mbajtur më 10 korrik 2025 merrnin pjesë 8 operatorë ekonomikë dhe bashkime kompanish. Megjithatë pjesëmarrja e tyre është vetëm për statistikë, sepse në tender është favorizuar haptazi firma “LIQENI VII”. Fillimisht janë hequr nga rruga e Ramazanit dy ofertat më të ulëta duke i skualifikuar. Njëra nga kompanitë sipas komisionit të Anuelës, nuk përmbushte kriteret, ndërsa tjetra ishte ofertë “anomalisht e ulët”.
“Oferta e Bashkimit të Operatorëve Ekonomik “2 N” shpk & “BONUS” sh.p.k është me çmim Anomalisht të Ulët, për rrjedhojë bazuar ne ligjin 16/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin 162/2020 “Për prokurimin publik”, neni 27, që përcakton se: “Në procedurat e prokurimit me vlerë nën kufijtë e lartë monetarë, autoritetet ose entet kontraktore refuzojnë pa kërkuar shpjegime një ofertë, e cila është konstatuar anomalisht e ulët”, është e pavlefshme”, citojmë vendimin e komisionit të Bashkisë Tiranë.
Sipas dokumenteve Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “2 N” shpk & “BONUS” sh.p.k kishte ofertën me vlerë 20,200,000.00 lekë pa TVSH. Ndërsa oferta fituese e Operatorit Ekonomik “LIQENI VII” është 20,843,973.90 lekë pa TVSH.
Sipas ligjit, “oferta vlerësohet anomalisht e ulët, nëse vlera e saj do të jetë më e vogël se 85% e mesatares së ofertave të vlefshme”
Nga makina llogaritëse nxorëm se mesatarja e ofertave te vlefshme është 24,887,193.35 lekë dhe 85% e saj është 21,154,113 lekë. Pra, edhe oferta e kompanisë “LIQENI VII” është “anomalisht e ulët”.
Ky është një problem aritmetike që Anuela e ka mësuar qysh në shkollën fillore, por i janë errësuar sytë nga pazari me Ramazanin. Kjo lajthitje është një provë për auditimin e KLSH dhe për SPAK kur të hetojë kryesisht këtë tender.
Në Durrës askush nuk i del para Ramazanit!
Ndërsa tenderi tjetër i firmosur më 18 shtator 2025, është kryer në zyrat e bashkisë Durrës nga zëvendëskryetari, me urdhër delegim të Emiriana Sakos.
Më konkretisht po raportojmë tenderin e Bashkisë Durrës me objekti “Sistemim K.U.B në rrugën “Taulantia”, Lagjja Nr.1”. Është ajo rruga që del gjithmonë kronikat e përmbytjeve kur bie shi. Sa tendera janë bërë për këtë rrugë nuk numërohen! Këtë radhë Bashkia Durrës ka vendosur të hedhë për kanalizim fondin 36 476 292,00 lekë pa TVSH. Asnjë kompani nuk është afruar për këtë shumë lekësh, përveç kompanisë “LIQENI VII” të Ramazan Kalisë.
Kjo ndodh rëndom kur fituesi dihet se është i paracaktuar. Open Data Albania e ka shënuar këtë tender me “Flamur të kuq”, për të treguar riskun e korrupsionit.

Këto dy tendera mund të jenë kompensim për një prokurim 1.2 miliardë lekë që kryebashkiaku i Dibrës, Rahim Spahiu ia kishte dhënë Ramazan Kalisë, por Sadri Abazi me nipin e tij ia kanë bllokuar në KPP. Ky ishte shërbimi i fundit për shefin e tij, para se të shkarkohej ish-kryetari i KPP, Jonaid Myzyri. Shpjegojmë se vendimi i KPP është në konflikt interesi të ish-kryetarit Jonaid Myzyri, i cili deri në vitin 2014 ka qenë vartës i Abazit në “Alko Impex”.
Veprimet e KPP mund të përmblidhen në tri fjalë: Jepjani tenderin Abazit! Në mbledhjen e datës 28 maj 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim për herë të dytë procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare Demir Gashi, Bashkia Dibër 2024”. Kryetar Myzyri ishte i pakënaqur nga moszbatimi i vendimit të KKP i datës 29 prill 2025 për tenderin e zhvilluar me datë 21 janar 2025 nga Bashkia Dibër.
Ankimues është biznesmeni Arbër Abazi i cili është paraqitur në tender me kompanitë e tij “Alko Impex Construction” SHPK & “Alko-Impex General Construction” SHPK.
KPP e kishte pranuar kërkesën e Abazit për shfuqizimin e vendimit të Spahiut që e kishte skualifikuar nga gara, Ndërkohë urdhërohej Bashkia Dibër “të rishikojë arsyet e skualifikimit të operatorit ekonomik BOE “Alko Impex Construction” & “Alko-Impex General Construcion” SHPK dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara”. Po ashtu u urdhërua Autoriteti kontraktor të anulonte procedurën e mësipërme të prokurimit.
Kur Spahiu e la jashtë garës për herë të dytë nipin e oligarkut Sadri Abazi, atëherë Myzyri nxori vendimin pasues që bllokon tenderin e Bashkisë Dibër.

Ky tender do të rishpallej sërish dhe do të mbahej në datën 6 tetor 2025, ku do të zhvillohej raundi i fundit mes dy oligarkëve dibranë. Të gjitha këto ngarkesa me lekë për “LIQENI VII” janë paralelisht me tenderin e Qarkut Fier. Kryetarja Sema duket qartë se nuk ka verifikuar kriterin e kapacitetit teknik të kompanisë së Zanit që i ka shpërndarë mjetet dhe personelin në kontrata të tjera publike njëkohësisht. Por, nuk ka problem, banorët e Darëzezës janë të duruar, edhe nëse kompanisë fituese nuk i del afati ose bën punë pa cilësi!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post