Është mbledhur Këshilli Kombëtar i PD. Në mbledhje e Këshillit në fokus kanë qenë primaret.
Në dokumentin më poshtë janë renditur:
-kandidatët pjesëmarrës në primare
-aksesi i kandidatëve në procesin e primareve
-organizimi i procesit zgjedhor
-mbyllja e votimit dhe procesi i numërimit
RREGULLORE
MBI MODALITETET E PËRZGJEDHJES SË KANDIDATËVE PËR
ZGJEDHJET E PUSHTETIT VENDOR
Në mbështetje të neneve 10, 12, 25, 38, 53 e vijues të Statutit të PDSH-së, Këshilli
Kombëtar i Partisë Demokratike, në mbledhjen e datës 26 shtator 2022,
VENDOSI:
I. PARIME TË PËRGJITHSHME
1. Seleksionimi dhe përzgjedhja e kandidatëve zyrtarë të PDSH për zgjedhjet e pushtetit
vendor në Republikën e Shqipërisë kryhet nëpërmjet votimit të drejtëpërdrejtë të
anëtarësisë dhe simpatizantëve të PDSH, sipas parimit “një anëtar, një votë”, në përputhje
me modalitetet të cilat garantojnë garën e ndershme dhe konkurrimin e lirë, shanset e
barabarta midis kandidatëve, si dhe kontrollin e tyre mbi mënyrën e realizimit të këtij
procesi (në vijim “Primaret”).
2. Primaret organizohen në mënyrë periodike, sa herë që shpallen zyrtarisht zgjedhje për
pushtetin vendor, përfshirë rastet e zgjedhjeve të parakohshme.
3. Primaret organizohen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtëpërdrejtë,
sipas kushteve, kritereve dhe përcaktimeve të parashikuara në këtë rregullore.
4. Kryesia e PDSH shpall me vendim datën e primareve si dhe emëron po atë ditë anëtarët
e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (në vijim
“KOKOE”), i cili, sipas parashikimit statutor, organizon dhe mbikqyr procesin zgjedhor
të primareve, si dhe përcakton afatet dhe modalitetet e regjistrimit të simpatizantëve.
5. Procesit të seleksionimit dhe përzgjedhjes paraprake nuk i nënshtrohen deputetët e
Partisë Demokratike dhe kryetarët e bashkive në detyrë. Ata kualifikohen drejtpërsëdrejti
për të garuar në primare.
6. Anëtarët dhe simpatizantët e partisë ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre të votës në primare,
pa asnjë dallim, në përputhje me modalitetet e parashikuara në këtë rregullore.
7. Lista e votuesve në procesin e primareve u dërgohet degëve zyrtarisht nga Sekretariati
Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore, jo më vonë se 3 ditë para datës së mbajtjes së
primareve.
8. Procesi i primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, si rregull, duhet të përfundojë jo më
vonë sesa 30 ditë nga afati maksimal ligjor që Kodi Zgjedhor parashikon për dorëzimin e
kandidaturave nga Partitë dhe jo më vonë sesa 30 ditë nga afati maksimal ligjor për
dorëzimin e kandidaturave nga koalicionet zgjedhore. Ky afat mund të reduktohet në 15
ditë përpara datës së zgjedhjeve, në rastet e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
9. Në mbyllje të primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, konsiderohet i përzgjedhur dhe
fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në
një zonë të caktuar.
10. Në rast se asnjë nga kandidatet nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave
të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në
rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh
hidhen me short. Shorti zhvillohet nga KOKOE brenda 24 orëve nga shpallja e rezultatit.
Votimet për balotazhin zhvillohen 7 ditë pas datës së primareve dhe konsiderohet i
përzgjedhur dhe fitues kandidati i cili merr numrin më të lartë të votave të vlefshme.
11. Pas përmbylljes së procesit të primareve dhe në përputhje me Statutin e PDSH, lista
përfundimtare e kandidaturave elektorale të PDSH-së miratohet me vendim të Këshillit
Kombëtar, sipas propozimit të Kryesisë së PDSH-së, bazuar në rezultatin e primareve.
II. KANDIDATËT PJESËMARRËS NË PRIMARE
1. Kandidatët e interesuar për të marrë pjesë në primaret për zgjedhjet e pushtetit vendor,
evidentohen nëpërmjet :
a) vetëpropozimit;
b) propozimit nga anëtarësia; ose
c) propozimit nga organet qëndrore të PDSH-së.
2. Pavarësisht nëse një kandidat mund të propozohet për të garuar në më shumë sesa një
zonë, nuk lejohet që një kandidat të aplikojë për t’u paraqitur njëkohësisht në më shumë
sesa në një garë primare.
3. Kur kryetari ose sekretari i degës dëshirojnë të garojnë në primare për zgjedhjet e
pushtetit vendor, këta të fundit duhet të aplikojnë brenda 3-ditëve nga data e shpalljes së
primareve duke dhënë dorëheqjen e menjëhershme nga mandati i tyre si kryetar ose
sekretar i degës.
4. Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil
të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë
e punojnë.
5. Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto
kritere:
a) Të mos ndodhen në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas
përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që
zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar;
b) Deri në datën 02.07.1991, të mos ketë qënë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike,
anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të
Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i
Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degës së
Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit,
bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit
Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, apo gjyqtar në procese politike;
c) Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe
parimet e PDSH;
d) Të kenë dhënë kontribut në fushatat elektorale për Partinë Demokratike, si dhe,
e) Si rregull të ketë kryer arsimin e lartë;
f) Të mos kenë në fuqi masa disiplinore për shkelje të statutit të PDSH, Rregullores
së Brendëshme dhe Kodit të Sjelljes së Mirë, Etikës dhe Integritetit të PDSH.
6. Vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të kandidatëve që duan të
kualifikohen në primare, kryhet nga Këshilli i Kualifikimit (në vijim “KK”). KK është
organ ad-hoc këshillimor i cili ndihmon Kryesinë e PDSH dhe i rekomandon Kryesisë
listën e kandidatëve që kualifikohen të garojnë në primare.
7. Këshilli i Kualifikimit ngrihet me vendim të Kryesisë së PDSH ditën që njoftohet
zyrtarisht zhvillimi i primareve. KK përbëhet nga 3 deri në 5 anëtarë, të cilët përmbushin
këto kritere:
a) Janë personalitete dhe figura të shquara të Partisë Demokratike;
b) Nuk kanë konflikte interesi me kandidatët potencial të primareve.
8. Çdo kandidat i interesuar për të marrë pjesë në primare duhet të paraqesë pranë
Sekretariatit organizativ dhe Burimeve Njerëzore të PDSH, brenda 7 ditëve nga shpallja
zyrtare e primareve, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Një kërkesë formale të kandidatit ku shpreh vullnetin e tij/saj për të marrë pjesë
në primare, duke specifikuar qartë zonën ku ai dëshiron të kandidojë;
b) CV të shkurtër profesionale dhe politike të përditësuar të kandidatit; si dhe
c) Formularin e vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës, sipas formatit të KQZ
d) Vetëdeklarim se nga data 29.11.1944 deri në 02.07.1991, nuk ka qënë anëtar ose
kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së
Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë,
Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të
Ministrave, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ishSigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar
i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, apo gjyqtar në
procese politike;
e) Vetëdeklarim se ndaj tij nuk ka masa disiplinore në fuqi për shkelje të Statutit të
PDSH, Rregullores së Brendëshme dhe Kodit të Sjelljes së Mirë, Etikës dhe
Integritetit të PDSH
9. Pas mbylljes së fazës së dorëzimit të aplikimeve, dokumentacioni i kandidatëve për në
primare merret në shqyrtim nga KK, i cili duhet të përfundojë procesin e vlerësimit brenda
15-ditëve sipas një metodologjie të miratuar. Në përfundim të këtij procesi, KK i propozon
Kryesisë së PDSH listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe kushtet për të marrë pjesë
në secilën prej primareve.
III. AKSESI I KANDIDATËVE NË PROCESIN E PRIMAREVE
1. Kandidatët janë të lirë të paraqesin programin e tyre në çdo formë dhe mënyrë të
ligjshme.
2. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në nivel bazë, kujdesen që procesi të
jetë i lirë, i ndershëm dhe i barabartë, duke i mundësuar çdo kandidati në primare akses të
njëjtë në garë, bazuar mbi parimin që resurset partiake të ndahen në mënyrë të barabartë
me të gjithë kandidatët. Drejtuesit e strukturave në bazë duhet të garantojnë prezantimin e
kandidatëve për primare dhe të platformave të tyre, përpara anëtarësisë së degës,
njëkohësisht .në një takim të përbashkët.
3. Drejtuesit e strukturave të Partisë të çdo niveli, duhet të jenë asnjanës në procesin e
primareve. Ata ushtrojnë të drejtën e tyre si çdo votues, duke shmangur ndikimin mbi
anëtarët e tjerë të Partisë.
4. Fushata për garën e primareve fillon si rregull 21 ditë përpara datës së caktuar për
mbajtjen e primareve dhe përfundon 24 orë para datës së mbajtjes së primareve. Në rastin e mbajtjes së zgjedhjeje të parakohshme, ky afat mund të shkurtohet. Në rastin e zhvillimit të balotazheve, fushata për garën e primareve fillon të nesërmen e shpalljes zyrtarisht të dy
kandidatëve që kalojnë në balotazh dhe përfundon 24 orë para datës së mbajtje së votimeve
të balotazhit.
5. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të
shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për
debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga KOKOE në
bashkëpunim me kandidatët.
6. Dita përpara datës së zhvillimit të primareve dhe data e caktuar për votimet, deri në orën
e mbylljes së votimit, konsiderohet si periudhë e heshtjes zgjedhore.
7. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet
organeve të medias, përfshirë rrjetet sociale të kandidatëve, si dhe zhvillimi i takimeve ose
i veprimtarive të tjera zgjedhore të kandidatëve.
8. Degët e PDSH janë përgjegjëse për organizimin e takimeve me anëtarësinë dhe
simpatizantët të kandidatëve, sipas një grafiku që dërgohet paraprakisht nga Sekretariati
Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore i Partisë, në bashkëpunim me stafin e secilit prej
kandidatëve. Grafiku më pas u dërgohet për zbatim degëve të Partisë.
9. Secili kandidat ka të drejtë të përdor mjediset e selisë qendrore të Partisë Demokratike
apo selitë e degëve të Partisë për aktivitete të fushatës zgjedhore apo për komunikimin me
mediat.
10. Degët e PDSH marrin masat për pasqyrim në mënyrë të barabartë të aktivitetit të secilit
kandidat gjatë fushatës së primareve, duke shpërndarë zyrtarisht çdo njoftim të çdo
kandidati apo çdo përmbledhje të takimeve të tij.
IV. ORGANIZIMI I PROCESIT ZGJEDHOR
1. Organizimi i procesit zgjedhor të primareve drejtohet nga KOKOE.
2. Në çdo degë të PDSH-së ngrihen qendra votimi nën përgjegjësinë dhe autoritetin e
KOKOE.
3. Në bashkitë që mbulohen nga më shumë se një degë e PDSH, votimet për primare
organizohen në të njëjtën kohë në degët përkatëse, midis të njëjtëve kandidatë.
4. Mjediset ku do të kryhet votimi miratohen nga KOKOE me propozim të kryesive të
degëve përkatëse të PD, jo më vonë se 10-ditë përpara datës së zhvillimit të primareve.
5. Në çdo qëndër votimi ngrihen Komisionet e Votimit dhe Numërimit (në vijim “KVN”),
të cilët përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, të miratuar nga KOKOE të paktën 5 ditë përpara datës
së zhvillimit të primareve.
6. Secili kandidat ka të drejtën të caktojë një anëtar vëzhgues në çdo KVN, duke njoftuar
paraprakisht KOKOE. Vëzhguesi ka akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e komisionit.
Ai njoftohet dhe merr pjesë në çdo mbledhjen të KVN dhe merr fjalën sa herë e kërkon për
të parashtruar kërkesa, propozime apo ankesa.
7. Fleta e votimit për procesin e primareve do të jetë sipas modelit që do të miratohet nga
KOKOE, të paktën 5 ditë përpara datës së primareve.
8. Kryetari i KVN nënshkruan dhe vulos çdo fletë votimi.
9. Komisioni është përgjegjës për tërheqjen e bazës materiale jo më vonë se 1-ditë përpara
fillimit të procesit të votimit. Baza materiale përfshin:
a) fletët e votimit;
b) proçesverbalin;
c) listën e votuesve;
d) dhomat e fshehta;
e) kutitë e votimit, si dhe
f) çdo material tjetër të nevojshëm zgjedhor.
10. Të gjithë anëtarët e KVN paraqiten në qendrën e votimit një orë përpara fillimit të
procesit dhe përgatit ambientin e qëndrës për realizimin e rregullt të procesit të votimit.
Kryetari hap zarfin me fletët e votimit dhe bën gati komisionin për fillimin e procesit.
11. Qëndrat e votimit duhet të garantojnë votimin në mënyrë të fshehtë të çdo votuesi, pa
asnjë ndërhyrje nga persona të tjerë.
12. Oraret e hapjes dhe mbylljes së qëndrave të votimit shpallen nga KOKOE dhe
ndryshojnë nëqoftëse KOKOE e sheh të arsyeshme për të mundësuar votimin sa më të gjerë
të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PDSH,
13. Si rregull, votimi mbyllet në orarin e përcaktuar nga KOKOE, duke u siguruar që në
mjediset e qëndrës së votimit nuk ka votues që presin në rradhë për të votuar.
Përjashtimisht, nëse ka ende anëtarë të PDSH që presin të votojnë përtej orarit të caktuar
për mbylljen e qendrës së votimit, Kryetari i KVN mbledh dokumentet e tyre të
identifikimit dhe sigurohet që kushdo që është në radhë për të votuar të ketë mundësi për
të votuar. Qendra e votimit nuk mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre. Mbyllja e
votimit shpallet më zë të lartë dhe pas atij momenti nuk lejohet më asnjë person tjetër që
të votojë.
14. Të drejtën për votim e ka çdo anëtar dhe simpatizant i PDSH. Këta të fundit, për këtë
qëllim, rregjistrohen brenda afateve dhe sipas modaliteteve të përcaktuara në vendimin e
Kryesisë së PDSH.
15. Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë,
apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar
përgjegjës për administrimin e listës së zgjedhesve. Kryetari i Komisionit pajis votuesin
me fletën e votimit dhe kujdeset që votuesi të votojë në dhomën e fshehtë dhe pa asnjë
ndërhyrje të jashtme.
16. Në mjediset e qëndrës së votimit lejohet të qëndrojnë të ulur dhe pa penguar procesin
e votimit anëtarët e KVN, vëzhguesit e kandidatëve në primare, si dhe anëtarët e KOKOE,
nëse kërkohet ndihma e tyre. Asnjë person tjetër nuk lejohet të qëndrojë në ambientet e
brendshme të qëndrës së votimit.
17. Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, të dëmtuara, listat e votuesve dhe procesverbali i
mbylljes së votimit administrohen nga KVN.
VI. MBYLLJA E VOTIMIT DHE PROCESI I NUMËRIMIT
1. Kryetari i KVN shpall me zë të lartë mbylljen e procesit të votimit dhe menjëherë fillon
procesin e përgatitjes së ambientit të qëndrës së votimit për realizimin e procesit të
numërimit. Procesi i numërimit të votave fillon jo më vonë se 30-minuta nga mbyllja e
procesit të votimit.
2. Pas mbylljes së votimit dhe administrimit të të gjithë dokumentacionit, KVN hap kutitë
dhe kryen numërimin e votave. Numërimi i votave kryhet nga KVN dhe numërimi bëhet
në prani të të gjithë anëtarëve të komisionit dhe është i hapur për kandidatët, vëzhguesit e
kandidatëve, mediat dhe për anëtarësinë e interesuar.
3. Nëse ndonjë nga anëtarët e KVN ka kontestim apo vëren ndonjë problematikë në
procesin e numërimit, ai kontakton KOKOE dhe i shpreh shqetësimin e tij. Nëse KOKOE
vlerëson se është rasti, urdhëron KVN që të pezullojë proçesin e numërimit dhe i shpreh
shqetësimin që ka marrë. Pas sqarimit dhe zgjidhjes së problematikës, KVN me urdhër të
KOKOE vijon procesin e numërimit dhe/ose rregullon mangësinë apo problematikën që
mund të jetë ngritur.
4. Në përfundim të proçesit të numërimit, KVN, plotëson procesverbalin e procesit të
votimit dhe numërimit. Procesverbali nënshkruhet nga anëtarët e komisionit. Në këtë
moment bëhet mbyllja e materialeve në kutinë e votimit nga Kryetari i KVN dhe materialet
dorëzohen pranë KOKOE menjëherë pas përfundimit të procesit.
5. Modalitetet lidhur me hartimin e procesverbalin përfundimtar të rezultateve të votimit,
apo për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e votave, përcaktohen me vendim të KOKOE
dhe i përcillet çdo KVN të paktën 48-orë përpara datës së mbajtje së primareve.
6. Me hartimin e procesverbalit përfundimtar të zgjedhjeve, Kryetari i KVN, e dorëzon atë
në KOKOE, deri në orën 21:00 të datës të caktuar për zhvillimin e primareve, si dhe merr
masa për dorëzimin e materialeve zgjedhore pranë KOKOE, deri në orën 13:00 të datës së
nesërme.
7. Në rast të zhvillimit të balotazheve, zbatohen të gjitha rregullat e përcaktuara në këtë
rregullore.
8. Ankimet ndaj vendimeve të KOKOE për shkelje të Statutit të PDSH, i drejtohen
Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Për çdo paqartësi lidhur me çështjet e trajtuara në këtë rregullore, ankimimet i adresohen
KOKOE i cili merr rast pas rasti vendimet përkatëse.
2. Nëse gjykohet e arsyeshme, KOKOE organizon trajnime të anëtarëve të KVN jo më
vonë se 3-ditë përpara datës së parashikuar për mbajtjen e primareve.
3. Shkelja e rregullave të parashikuara në këtë rregullore, nga cilido prej subjekteve të
përmendura në të, sjell pasoja disiplinore sipas Statutit në fuqi të PDSH-së, Rregullores së
Brendëshme si dhe Kodit të Sjelljes së Mirë, Etikës dhe Integritetit të PDSH.
4. Në rastet kur, për shkak të ndryshimeve të rëndësishme të kuadrit kushtetues dhe ligjor
që mund të prekin organizimin e proceseve zgjedhore në vend, do të lind nevoja për
ndryshimin dhe përshtatjen e rregullave të primareve, organet vendimmarrëse të PDSH
marrin masat e duhura për përditësimin e kësaj rregulloreje, jo më vonë sesa 90 ditë nga
hyrja në fuqi e rregullave të reja të organizimit të proceseve zgjedhore në Republikën e
Shqipërisë.
5. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore,
Kryesia e PDSH, KOKOE, si dhe kryesitë e degëve të Partisë për ndjekjen dhe zbatimin e
kësaj rregulloreje.
Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë.
KËSHILLI KOMBËTAR I PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË
Discussion about this post