Nga Halil Rama
Viza Amerikane” – Një novelë rrëqethëse…Shefqet Meko vjen kështu me një botim të ri, duke rrëfyer në stilin e tij zhgënjimin dramatik të tranzicionit shqiptar. Artan Pojani, personazhi kryesor i kësaj novele, prezantohet nga autori si shqiptari i vetëm që ishte futur pa vizë në Amerikë, për të denoncuar një vjedhje monstruoze shqiptare. Ish–mësuesi i matematikës që tërë jetën kishte pasur të njëjtën adresë: Kopole, Podgorie, “një tip fshati a lagjeje që shtrihej mes Korçës dhe Pogradecit, me sytë nga liqeni”, këtu kishte ndërtuar biznesin e tij të bletërritjes. Me një gjuhë tejet të pasur e mjete shprehëse interesante, autori e personifikon atë si intelektualin provincial, i cili shijen e parë amerikane e kishte provuar duke lexuar librat e Xhek Londonit.
Dhe si i tillë, ndonëse kishte arritur majat e suksesit me biznesin e tij “Ai gjithmonë ua kishte përshkruar Amerikën bashkëshortes Shpresa dhe fëmijëve, si vendi më i madh në botë, që u jep njerëzve atë që meritojnë, atë që duan, atë që ëndërrojnë, ani pse nuk të fal asgjë”. Si një vend që të jep, jo vend që të fal… Kësisoj, Sh. Meko që edhe në romanin “Saga përtej Atlantikut” e në rrëfimet e mëhershme tek “I tillë jam” përshkruan gjer në detaje e gjallëri artistike realitetin amerikan, edhe në këtë novelë e paraqet personazhin kryesor Artan Pojani, si njohës të Tregut të hapur dhe Shoqërisë së lirë, që sipas tij ishin dhuratë nga Amerika, e cila “nuk ta sillte peshkun në tigan”, por të frymëzonte me ide dhe liri, për t’u bërë peshkatar i profesionit…
“Ndërkohë që shumica e shqiptarëve i shikonin lumturinë dhe rimëkëmbjen përtej kufijve të vendit, ai (Artan Pojani) ishte mbase i vetmi që veproi krejt ndryshe. Nuk iku askund. Qëndroi te vendlindja, si amanet dhe dëshmi, se vendi bëhet nga ata që e duan dhe nuk e braktisin, jo nga ata që e shajnë, ikin arratisen, fluturojnë larg dhe pastaj flasin për mall, për patriotizëm e dhédashuri, në karta dhe vargje rapsodike”, shkruan në fillim të novelës Meko, për ta paraqitur më pas sa më bindës atë në “betejën” kundër trafikantëve të vizave amerikane.
PAK NGA SUBJEKTI I NOVELËS
Artan Pojanit, që e kishte ngritur sipërmarrjen e tij me punë, sakrifica, ndershmëri e devotshmëri, iu refuzua viza amerikane, pasi dikush tjetër i kishte vjedhur identitetin dhe me dokumente të falsifikuara do të mund të bëhej shtetas i Amerikës. Zhgënjim dhe dëshpërim i thellë ky për atë që ishte diplomuar për mësuesi, por që bletët për të ishin gumëzhima simfonike brenda valles së numrave në pafundësi… “Për Artanin ata ishin atdhetaret më të mëdha, sepse kurrë nuk e kapërcenin kufirin, kurrë nuk shkonin në lindje, por fluturonin vetëm në perëndim të Malit të Thatë. Shpesh i dukej vetja si komandant i një ushtrie magjike. Jo si ‘Ushtria e vdekur’ e Kadaresë, por ushtri aktive, e shëndetshme dhe energjike.., Bletët janë më atdhedashëse se shqiptarët dhe më dashamirëse se amerikanët…”, shkruan Meko. Dhe për ta bërë sa më bindës zhgënjimin e personazhit kryesor të veprës, ai i përmbahet sentencës së rastësisë kur shkruan se: “Ishte rastësia e tij e hidhur që nuk e pati kurrë fat Amerikën. Kush nuk shkoi në atë vend! Gati të gjithë shokët dhe miqtë e tij të rinisë, gati të gjithë ish-nxënësit e tij, gati gjysma e fshatit të tij. Atje kishin shkuar sa e sa familje dhe fise komuniste, ish-zyrtarë të kohës së shkuar dhe po aq ish-spiunë e oficerë ushtrie. Amerika është punë fati. Me fatin nuk zihesh dot”.
Gjithsesi, fati e solli që ai të takonte rastësisht shqiptaro-amerikanin Pandi Pllaha, nga i cili mësoi gjithë skemën e mashtrimit dhe u ndihmua për të shkuar ilegalisht në Amerikë, nga ku do të denonconte trafikantët e vizave.
Pandi Pllaha që kthehej në Shqipëri pas disa vitesh, i braktisur nga ish-miku i tij, Gogo Përculla, rastësisht do të takojë Artan Pojanin në një bar-kafe të Tiranës:
“-A jeni ju Artan Pojani. A jeni ju miku i Gogo Përcullës?
-Gogo Përcullën e njeh tërë Shqipëria si zëvendësministri i përjetshëm, por unë nuk jam miku i tij dhe as që njihemi fare.
-Gogo Përculla më ka kërkuar garanci financiare për ju dhe unë kam nisur garanci për ju, gruan dhe dy fëmijët. Ju kishte dalë lotaria dhe jeni në listën e atyre që kam sponsorizuar. I kam të gjitha të dhënat tuaja në Amerikë. Po të doni, kur të kthehem ua dërgoj kopjet që ruaj në kasafortë…Ua bëra të gjitha dokumentet mbështetëse, por në fund më thanë se ju vendosët të shkonit në Australi…”.
Po zbulohej kështu megaskandali i një ish-zyrtari të lartë (zëvendësministrit të përjetshëm Gogo Përculla), i cili kishte ndihmuar Arshim Gatranin të kapte Amerikën, duke i dhënë letrën fituese të lotarisë amerikane dhe garancinë e sjellë nga Pandi Pllaha në emër të Artan Pojanit.
“Arshim Gatrani kishte ditur të ndryshonte jetën e familjes së tij në mënyrën më të habitshme, si askush tjetër. Thjesht kishte mundur të blinte një Lotari të Kartës së Gjelbër, që nuk ishte adresuar tek ai, por te dikush tjetër… I dukej vetja i lindur për në Amerikë… Kishte sajuar disa letra të falsifikuara: një certifikatë lindje, një familjare, atë të martesës, ku vetëm emri dhe mbiemri i tij kishin ndryshuar nga Arshim në Artan, nga Gatrani në Pojani… Por bashkëshortja e tij, Silva, nuk ishte aq entuziaste sa ai… Jeta amerikane u kishte mësuar shumë trille, shumë të panjohura më parë, aq sa dalldisej kur përfytyronte të tilla gjëra…”
Në këtë rast kemi të bëjmë me realitetin letrar artistik dhe vlerën morale të kësaj novele, sintetizuar kjo qoftë edhe në fatin e parathënë të personazhit kryesor të saj. Për këtë mjafton të perifrazojmë: “Por fati i tij kishte qenë i parathënë: ia kishin vjedhur trafikantët mu në mes të Tiranës… Ishte një vjedhje barbare, tipike shqiptare, si ato ‘bëmat’ e pashoqe që kishin ndodhur kudo, në çdo sferë të jetës, pas rënies së shtetit diktaturë”. Kësisoj, në këtë novelë dalin në pah prurjet e reja me vlera dhe veçori, mbi gjuhën, tërësinë ideoartistike dhe mënyrën e shprehjes; vlera këto që konsistojnë qoftë dhe në përshkrimin e miqësisë midis Artan Pojanit e Pandi Pllahës. Kjo edhe në rastin kur: “Niko Kitara nuk donte ta besonte atë që kishte lexuar në disa raporte publike të OJQ-ve shqiptare, ku dilte edhe emri i Pandi Pllahës si menaxher në disa projekte mjedisi dhe zhvillimi urbanistik rural. Shkurt, nën emrin e tij ishin marrë disa qindra mijëra euro…Këtu është bërë çdo gjë plaçkë tregu. Çdo gjë shitet e blihet, çdo gjë falsifikohet. Prona shitet disa herë brenda ditës…”.
Dhe përkundër këtij realiteti të trishtë, autori vë miqësinë e sinqertë midis dy personazheve kryesorë pozitivë.
“Artan Pojani dhe Pandi Pllaha u bënë bashkë kundër kësaj flame mashtrimi. Pandit i vajti mendja menjëherë të Gogo Përculla. Ai kishte marrë në dorëzim të gjitha dokumentet e shoqatës dhe me siguri ai do të ishte fshehur pas emrit të tij. Duke vepruar nën një emër që ishte larg radarit të Brukselit, ishin nënshkruar disa kontrata me firmën e falsifikuar të Pandi Pllahës, që vazhdonte ende të figuronte si drejtor ekzekutiv i shoqatës që kishin krijuar bashkë shumë vite më parë”.
Do të mjaftonin këto skandale për të përshkruar me gjetje artistike sipërmarrjen e shkuarjes ilegalisht të Artan Pojanit në Amerikë, për ta denoncuar vjedhjen e identitetit të tij, pikërisht në praninë e përfaqësuesve të Zyrës Lokale të Emigrimit në shtetin e Dakotës së Jugut. Një solemnitet i vërtetë kur këtu do të fliste qytetari më i ri amerikan nga Shqipëria e Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Jo ai me emër të ndryshuar, por Artan Pojani i vërtetë.
Kësisoj, pas romanit “Saga përtej Atlantikut”, me novelën ”Viza Amerikane” (Botim i ”M&B”, me redaktor Sefulla Kata dhe recensentë prozatorët dhe poetët e mirënjohur Ahmet Prençi dhe Arben Çejku), Shefqet Meko vjen si befasi në botën letrare të metropolit shqiptar. Kjo, për vetë rrëfimin mjeshtëror si askush tjetër të përjetimeve, asosacioneve, ngjarjeve dhe karaktereve të personazheve mjaft interesantë, që e bëjnë këtë novelë shumë tërheqëse për lexuesin. Po ashtu, qoftë dhe nga leximi i parë, konstaton shprehje filozofike brilante të këtij autori në skalitjen e personazheve, duke depërtuar thellë në botën e tyre shpirtërore.
KOHERENCA ME REALITETIN SHQIPTAR NË NOVELËN “VIZA AMERIKANE”
Novela “Viza Amerikane”, përveç vlerave artistike, ka edhe vlera aktuale: rrëfen për kohë e ngjarje të jashtëzakonshme dhe për njerëz të jashtëzakonshëm. Të tilla janë jo vetëm dasma shqiptare në Minetonka të Amerikës, ku Pandi Pllaha takon dhe njihet me Stefan Lundrën nga Saranda që kishte ardhur në Amerikë si i birësuar dhe që e përfytyronte mossuksesin e kombit të vet, ngaqë pushteti i ndërtuar mbi bazë njohjesh i ngjante një rrjete të hollë merimange, që ishte shumë e vështirë të zhbëhej…, por edhe rrëfimet e Artanit për babain që i kishte vdekur i ri nga një aksident në minierë si minator, ndërsa nënën e kishin detyruar të martohej me xhaxhanë që kishte mbetur beqar, duke hapur kështu varrin shpirtëror që ai nuk e mbuloi dot kurrë…
Apo dhe rasti i vizitës së delegacionit amerikan në zyrën e Gogo Përcullës, tashmë zëvendëskryeministër, që u gjet prej tyre i vetëvarur!!! “Nuk kishte ndodhur kurrë më parë një ardhje aq e beftë e ekspertëve amerikanë. Ndalesën e parë ata do ta bënin te Gogo Perculla, i cili përpiqej të kuptonte rolin e ri në qeverisjen demokratike shqiptare. Sapo ishte bërë numri dy i qeverisë. Nuk e kishte ëndërruar kurrë një pozicion të tillë” (fq.204).
Autori ka meritën e personifikimit të këtij zyrtari të lartë si “egërsirë të parasë nën tavolinë”, si një bishë të vërtetë që i kishte fillesat e veta te Këmbimi Valutor pranë Bankës Kombëtare për të mbërritur deri zëvendësministër e numri dy i qeverisë, nga që kishte aplikuar mjeshtërisht “bakshishin e palënë gjurmë”, të paverifikueshëm e të pakontrollueshëm… te ky njeri që i dinte të gjitha gjynahet e veta, por nuk ndiente keqardhje. Dhe në koherencë me realitetin e sotëm të trishtë shqiptar, duke aluduar për kreun e megaskandaleve qeveritare, Sh. Meko shkruan se: “Ai kishte bërë gjithçka për përfitim…
E dinte se biznesi i parë për të gjithë kryetarët, deputetët dhe ministrat ishin vizat. Atë kishte bërë dhe ai. Por tani që biznesi ishte zhvendosur në fusha të tjera, si në ndërtim, në menaxhim plehrash, në hidrocentrale, në ribërjen e bregdetit shqiptar, në rrugët e kombit, koha e vizave i dukej si gjueti lepujsh. Ai ishte bërë mjeshtër i kontratave, i pazareve dhe kasap i vërtetë në ndarjen e ryshfeteve. Dinte të manovronte aq bukur në ndarjen e parave për çdo pazar të pistë që bëhej, sa të linte me gojë hapur”.
Ky realitet i trishtë vjen artistikisht nëpërmjet kësaj novele (që me 17 kapituj në 223 faqe, për nga struktura mund të konsiderohet roman) qoftë edhe duke aluduar me megaskandalin e inceneratorëve. Brendia e mënyrës së trajtës ideore dhe ndërtimore të vetë strukturës së kësaj vepre letrare ngërthen qenien e gjallë të botës së brendshme të personazheve pozitivë dhe atyre që personifikojnë zyrtarët e korruptuar dhe nuancat e veçorive të botës së tyre shpirtërore të katranizuar.
Edhe në këtë novelë vërehet se proza e Shefqet Mekos ka një raport të pandashëm me kohën. Madje, siç shkruan recensenti Arben Çejku: “Leximi i kësaj novele do të rikthejë në kujtesën e shumë njerëzve histori të ngjashme, me pak apo më shumë dramaticitet. Fundi tragjik i disa prej personazheve vjen si fshikullim nga autori për të gjithë shoqërinë tonë, e cila duhet të dalë nga bataku egocentrist i tranzicionit dhe të mos pajtohet kurrë me krizën e vlerave morale, pavarësisht se ku shfaqen ato”. Mjeshtër i Madh
Discussion about this post