Vetëm 40 mijë lekë të deklaruara në bankë, pjesën tjetër të pagës në dorë. Ky është fenomeni barbar, që ende vijon të evidentohet nëpër bizneset shqiptare, e që rëndon në kurriz të punonjësve.
Gjatë vitit 2023, janë 544 ankesa të bëra pranë Inspektoratit të Punës, për shkelje të kodit të punës dhe abuzimi më i madh ishte pikërisht nën-deklarimi i pagave. Në ndërmarrjet nga ku janë bërë ankesat ishin të punësuar në total 35.916 punonjës, ku 1/6 punëtorëve e kishte pagën të nëndeklaruar, pasi mbi 5 mijë punonjës deklaroheshin me pagë minimale.
“Në lidhje me konstatimet e marrëdhënieve të punës me informalitet të zi dhe gri, në inspektimet për shkak ankese kanë rezultuar 85 punonjës informal, 225 punonjës pa kontratë dhe 5.501 punëmarrës ose 15 % e totalit të punëmarrësve, siguroheshin me pagë minimale”, thuhet në raportin e inspektoratit.
1 Maji në shifra, plagë informaliteti! Punëtorët përballë pagave të nëndeklaruara dhe pa kontrata! 600 mijë pa sigurime! 825 mijë jo në tregun e punës
I konsideruar si informalitet gri në tregun e punës, Inspektorati i Punës raporton se përgjatë vitit të kaluar, 20% e punëmarrësve që kishin 9820 ndërmarrje të kontrolluara, i deklaronin punonjësit me pagë minimale. Në total vjet janë inspektuar 201.678 punonjës ku 40,879 punonjës ishin me pagë minimale. Pra 1 në 5 punonjës kishte rrogë të deklaruar 40 mijë lekë.
Inspektimet e 2023 zbuluan se bizneset me shkelje janë ndërtimit, baret, fasoneria dhe tregtia kryesisht për nëndeklarimin e pagave, dhe punonjës pa kontrata.
Nëndeklarimi i pagave mund të jetë edhe më i thellë, duke marrë në konsideratë faktin se afro 733 mijë të punësuar në vend, nga 1.3 milionë punonjës në total, nuk e arrijnë pagën mesatare të vendit prej 75 mijë lekësh. Nga këto janë 351 mijë të punësuar të deklaruar me pagë minimale. Ose përafërsisht 1 në 4 punëtorë në vend paguhet me 40 mijë lekë në muaj.
Edhe vetë bizneset e pyetura pohojnë se një nga shkeljet më të mëdha që bëhet është deklarimi jo real i pagave. Mbi 600 ndërmarrje të anketuara nga Këshilli i Investimeve, janë pyetur mbi natyrën që ka informaliteti në sektorin e tyre, dhe 43% janë përgjigjur, me nën-deklarim të pagave.
Nën deklarimi i pagave, dëmton rëndë të ardhmen e qytetarëve, për shkak se sa më i ulët të jetë deklarimi aq më të ulta janë edhe kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që punëdhënësi paguan. Vlera e sigurimeve është thelbësore për vlerën e pensionit në të ardhmen, pasi pensioni varet nga vitet e punës të regjistruara dhe nga sigurimet e paguara.
Pavarësisht të gjitha aksioneve për të eliminuar tregun e zi në punësim, shifrat tregojnë të kundërtën. Vjet 1965 punonjës ishin tërësisht në tregun e zi, pasi nuk ishin të deklaruar, me rritje me 9.2% krahasuar me vitin 2022.
Në raportin e Inspektoratit thuhet gjithashtu se në çdo kompani të inspektuar fshehin 5 punonjës.
“Në raport me indikatorin e përllogaritur si numri i punëmarrësve të padeklaruar (informal) për subjekt të inspektuar, për vitin 2023 rezulton 5 informal/subjekt”, evidentohet në raport.
Teksa ekonomisë prej vitesh po i ushtrohet presion për të rritur pagat për të mbajtur punonjësit, shifrat tregojnë të kundërtën, pasi informaliteti si për deklarimin e pagës apo për regjistrimin e punonjësve është rritur.
Ekspertët thonë se shkak për këtë situatë shqetësuese është mentaliteti i bizneseve për t’ju shmangur detyrimeve ligjore, por edhe rritja e pagave e për pasojë dhe e tatimit e sigurimeve që duhet të paguhen.
ANKESAT PRANË INSPEKTORATIT
Total 544 ankesa
Informal 85 punonjës
Pa kontratë 225 punonjës
Me pagë minimale 5.501 punonjës
PAGA MESATARE BRUTO
Shtet 87.864 lekë
Privat 69.400 lekë
Mesatarja 75.025 lekë
Paga minimale 40.000 lekë
SA PAGUHEN SHQIPTARËT?
40 mijë lekë 351 mijë punonjës
40.001-50 mijë lekë 262 mijë punonjës
50.001- 60 mijë lekë 120 mijë punonjës
Total 40-60 mijë lekë 733 mijë punonjës
Discussion about this post