Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pranuar se viti i shkuar ka shënuar sërish rritje të detyrimeve të prapambetura që bizneset kanë të papaguar ndaj saj.
Borxhi tatimor regjistroi vlerën 146.8 miliardë lekë apo rreth 1.2 miliardë euro në fund të vitit 2022 ku 9 për qind e kësaj vlerë është akumuluar mes janar-dhjetorit.
“Gjendja e detyrimeve të papaguara në afat në datë 01.01.2022 134.9 mld lekë. Gjendja në datë 31 Dhjetor 2022 146.8 mld lekë. Në detyrimet prej 146.8 mld lekë, të cilat ndiqen deri më 31 Dhjetor 2022, është e përfshirë edhe vlera prej 13.1 mld lekë, e cila është në proces gjyqësor, ku deri në fund të Dhjetor 2022 zë 9% të stokut të detyrimeve te papaguara.
Gjatë periudhës së marrë në analizë, detyrimet tatimore kanë pësuar një rritje neto 11.8 mld lekë në krahasim me fillimin e vitit ose thënë ndryshe është rritur stoku i detyrimeve me 9%, ku detyrimet e shtuara si rezultat i vlerësimeve tatimore me metoda alternative janë rreth 6.3 miliard lekë, 50% e të cilave është krijuar nga vetëm dy tatimpagues” nënvizuan Tatimet.
Në pjesën më të madhe të vlerës së akumuluar si borxh dominon ajo e detyrimeve dhe më pas vijnë penalitetet dhe kamatëvonesat.
Sipas raportit të Tatimeve detyrimet tatimore të papaguara në afat deri më 31 Dhjetor 2022 të specifikuara sipas zërave përbërës janë : detyrimi 61 %; penalitete 34% ; kamatëvonesa 5%.
“Nga të dhënat e mësipërme rezulton se principali i detyrimeve tatimore të akumuluara përben rreth 61% të shumës totale të detyrimeve tatimore, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre detyrimeve 39% e mbetur përbëhet nga penalitetet dhe kamatëvonesat” thuhet në raport.
Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 35% në vlerë 52,1 mld lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% në vlerë 42,7 mld lekë, zëri Të Tjera me 16% në vlerë 23,7 mld lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 14% në vlerë 20.5 mld lekë, Tatimi në Burim me 4% në vlerë 5.3 mld lekë, TAP me 1% në vlerë 2,1 mld lekë dhe DIVA me 0.3% në vlerë 404 mln lekë.
Nga totali i detyrimit të akumuluar ndaj tatimeve tatimpaguesit aktivë zënë 40% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 42.5 mld lekë ose 29 % të masës totale të borxhit ndërsa tatimpaguesit pasivë zënë 60% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 104.3 mld lekë ose 71% të masës totale të borxhit./ Monitor
Discussion about this post