Zbardhet deklarata e pasurisë së kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, që u arrestua për korrupsion me tenderët publikë. Apartamente, troje, toka në bregdet, makina luksoze janë listuar në Alla me origjinë të lekëve nga kursimet dhe të ardhurat nga biznesi. Por pas arrestimit, gjithçka do të hetohet, pasi pasuria duket se e ka burimin më së shumti nga të ardhurat nga korrupsioni.
Sipas deklaratës, në vitin 2007, Alla ka blerë një makinë tip Mitsubishi me vlerë 8000 dollarë. Po në këtë vit ka blerë rezidencë në Dajt me sipërfaqe 123,5 m2 me vlerë 67925 euro. Në vitin 2013, kryebashkiaku ka blerë një apartament në Golem Kavajë me sipërfaqe 68 m2 që ka kushtuar 34 mijë euro, sipas kontratës së shitjes.
Në vitin 2012, Alla ka blerë një tjetër apartament në komunën Dajt me sipërfaqe 153.19 m2 me vlerë 65 mijë euro. Duket se pronave në këtë zonë po u shtohej vlera pas zhvendosjes së në atë kohë të Edi Ramës me banim në Dajt.
Një apartament me sipërfaqe 119 m2 në Tiranë me vlerë 16 065 000 lekë është blerë nga Alla më 2014 me atë ardhurat nga “paga, biznesi dhe kursimet familjare”.
Apartamenti tjetër në Tiranë me sipërfaqe 51 m2 me vlerë 6 88 5000 lekë është blerë disa muaj më vonë.
Në vitin 2015, Alla ka blerë tokë arë 1850 m2 në Luz të Kavajës, ku pjesa takuese 50% është me vlerë 320450 lekë
Në vitin 2015, Lefter Alla ka blerë sërish tokë arë në fshatin Luz i Madh në Kavajë, me sipërfaqe 7119 m2 me vlerë 1 573 500 lekë.
Në vitin 2015, Alla ka vazhduar pasionin për prona të patundshme duke blerë një pyll me sipërfaqe 26 000 m2 në Vlorë me vlerë 49 mijë euro ku pjesa takuese është 25 %.
Ndërkaq, Bashkëshortja, Etleva Alla, është pronare 100% të një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 85 m2 të blerë sipas Kontratës së shitblerjes datë 03.09.2015 me vlerë 80 000 Euro me burim të ardhura nga kursimet familjare dhe pagat që nga viti 1995.
Bashkëshortja, gjithashtu është pronare në masën 12.5% (1/8) të një apartamenti në Lezhë me sipërfaqe 39.61 m2 me vlerë 2 250 Euro, të përfituar sipas Dëshmisë së Trashëgimisë së babait. Vlera totale e pasurisë është 18 000 Euro.
Likuiditetet
Llogari rrjedhëse me gjendje 386 200 Lekë, me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Depozitë bankare me gjendje 1 010 000 Lekë, me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Llogari rrjedhëse me gjendje 746 Lekë me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Llogari rrjedhëse me gjendje 552 374.71 Lekë me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Llogari rrjedhëse me gjendje 1 426.54 Dollarë me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Llogari rrjedhëse me gjendje 339.25 Euro me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Kartë krediti me gjendje 3 556.05 Euro me burim të ardhura nga paga dhe kursimet familjare;
Gjendje të mjeteve monetare cash, si të ardhura nga paga, nga biznesi dhe kursime familjare, 1 400 000 Lekë;
Bashkëshortja, Etleva Alla, llogari rrjedhëse me burim të ardhura nga paga dhe kursime familjare, me gjendje 343 757 Lekë në 05.08.2019;
Bashkëshortja, llogari rrjedhëse me gjendje 3 Dollarë në 05.08.2019, me burim të ardhura nga paga dhe kursime familjare;
Bashkëshortja, Znj. Etleva Alla, llogari rrjedhëse me gjendje 0 Euro në 05.08.2019, me burim të ardhura nga paga dhe kursime familjare;
Bashkëshortja, Etleva Alla, kartë krediti Gold me gjendje 3 710 Euro me burim të ardhura nga paga dhe kursime familjare.
Të ardhura neto në vlerën 390 301 Lekë nga paga si Kryetar i Bashkisë Bulqizë për vitin 2019;
Të ardhura neto nga paga, dieta, shpërblime 1 138 245 Lekë si Kryetar i Bashkisë Bulqizë për vitin 2020.
Qindra milionë lekë nga tenderët publikë
Përpara se të zgjidhej kryetar i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla ishte biznesmen i minierave të Bulqizës dhe i ndërtimeve. Nga viti 1999, Alla ka hapur kompaninë e quajtur Alb Leaa International shpk me kapital 103 900 000 lekë. Fillimisht kompania u regjistrua në emër të Etleva Hajdarit dhe më pas Alla i mori aksionet në emër të tij. Kështu në vitin 2001, kompania ishte 100 për qind në emrin tij. Më vonë ka bërë shpesh lëvizje aksionesh tek njerëzit e afërm.
Alla ka qenë kryetar i PS-së Bulqizë. Gjatë kohës që Bashkinë e Bulqizës e drejtonte Melaim Damzi, lidhje miqësore e Lefterit, kompania pati lulëzimin e saj më të madh, duke marrë tenderat kryesorë, si ndërtimi i shëtitores, ujësjellësit, asfaltimeve etj.
Fitimet e kompanisë, nga 150 milionë lekë, sipas bilancit të deklaruar në 2012, me ndihmën e kryebashkiakut Damzi, arritën 424 milionë lekë fitim në 2018.
Ndërsa një vit më vonë, kur kryebashkiak këtij qytetit u bë vetë Alla, kompania e tij e kishte fitimin 288 milionë lekë.
Kur u bë kryetar i Bulqizës, Alla ia “dhuroi” të gjitha aksionet biznesmenit Arben Zhuku që figuron zyrtarisht pronar i këtij subjekti.
Theksojmë se në deklaratën e pasurisë Lefter Alla në asnjë rresht nuk i përmend hollësisht fitimet prej kompanisë në të kaluarën, por shkruan frazën “të ardhura nga biznesi” si origjinë të parave të përdorura për blerje pronash. Megjithatë janë të dokumentuara dividentët e marra nga prej tij. “Të ardhura në vlerën 153 769 039 lekë nga shpërndarja e dividentit të shoqërisë Alb Leaa International Sh.p.k të krijuar në datë 25.05.1999 me objekt aktiviteti “ndërtime, punime dheu, rikonstruksione, shfrytëzim, prodhim, transport, shitje minerale kromi etj”, në të cilën Alla oshte zyrtarisht ortak 51% deri në 01.05.2019. Nga totali i të ardhurës, subjekti akoma nuk ka arkëtuar vlerën 148 199 039 lekë të dividentit duke u pasqyruar si detyrim i shoqërisë kundrejt ortakut në pasqyrat e shoqërisë”, pasqyrohet në dokumentin e firmosur nga vetë Alla.
Kompania e Lefter Allës ka si objekt të deklaruar: “Ndërtime, punime dheu, rikonstruksione, shfrytëzim, prodhim, transport, shitje mineral kromi. Projektim dhe zbatim i sistemeve hidraulike, ujësjellësi, shkarkim të ujërave të zeza, projektim sistem ngrohjeje, ventilim, kondicionim, dhe enë nën presion. Importim eksportim tregtim me shumicë dhe pakicë artikuj hidraulike, industriale, etj. Bar- kafe, fast – food, restorant, hoteleri, përdorim të lëndëve plasëse. Ndërtime, mirëmbajtje e konstruksione të godinave civile dhe industriale, sistemim asfaltim të rrugëve dhe infrastrukturë rrugore, hekurudha, ura e vepra arti, gërmime, ujësjellësa, vepra kullimi e vaditje, kanalizime të ndryshme, mbrojtje lumore, sisteme kullimi e vaditje, punime nëntokësore, mirëmbajtje rutine rrugësh, punime në hidrocentrale e diga, ndërtime nënstacionesh e kabinash për shpërndarjen e energjisë, transport të mallrave, udhëtareve brenda dhe jashtë vendit. Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë, shitje dhe blerje traversa druri hekurudhore normale dhe speciale”.
Kompania e kryebashkiakut ka fituar 12 kontrata nga qeverisja vendore Bulqizë dhe Klos me vlerë 89 225 141 00 lekë. Ndërsa në bashkëpunim me Desaret Compani ka përfituar 220 586 682 00 punë publike në Bashkinë e Skraparit, në koalicion me 2AF Group Albania shpk ka marë 2 296 050 00 lekë tenderë në Bashkinë e Kavajës.
Më vonë sërish me këtë kompani Alla ka përfituar 6 638 247 00 lekë nga tenderi për shëtitoren e Kavajës “Indrit Cara”.
Përse akuzohet Lefter Alla
Me urdhër të SPAK, kryebashkiak i Bulqizës, Legter Alla u arrestua. Veç tij, nën masën e arrestit me burg janë edhe 10 persona. Ndërsa për dy të tjerë është kërkuar masa e arrestit në shtëpi.
SPAK po heton që prej vitit të kaluar në bashkëpunim me policinë dhe rezulton se janë konsumuar veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve.
Zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme thotë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se kryebashkiaku i Bulqizës ka shkelur barazinë në tenderë dhe ankande publike dhe ka shpërdoruar detyrën. Nga hetimi ka rezultuar se për Lefter Allën evidentohet qartësisht se ka shkelur procedurat e prokurimit publik të 30 prillit 2021 për ndërtimin e rrjetit të furnizimit dhe të shpërndarës së ujësjellës-kanalizimeve, në Lagjen e Vjetër të qytetit të Bulqizës.
Kryebashkiaku së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës të bashkisë kanë krijuar avantazhe gjatë procedurës së prokurimit në mënyrë që garën ta fitonte kompania që donin ata. Por, ka dhe më shumë se kaq në konkluzionet e SPAK. Të hetuarit me veprime aktive, jo vetëm kanë ngritur një mekanizëm të posaçëm për të favorizuar një firmë pjesëmarrëse në tender, por kanë zbuluar se firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumetacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i hetuari Aqif Konesha, i cili rezultoi lidhje e afërt e kryetarit të bashkisë, Lefter Alla.
Tre vjet më parë, Alla u hetua nga SPAK për “prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike”, hetim që nisi pas publikimit të një videoje, ku pretendohej se shfaqej krybashkiaku duke konsumuar kokainë. Në kuadër të hetimit, Alla iu nënshtrua dhe testit të drogës, prej nga rezultoi se nuk ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe më pas hetimi i nisur u pushua.
Alla është i njohur për publikun e mbarë vendit për një rrugë të shëmtuar që ndërtoi në Bulqizë, duke u bërë meme në rrjetet sociale. Pra, SPAK do të bënte hetim të plotë nëse do të analizoheshin të gjitha punë publike të kryera nga Alla si biznesmen dhe si kryebashkiak.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post