Janë zbardhur emrat e arrestuar nga policia greke për vrasjen e Ari Papës. Taksisti shqiptar i arrestuar është Juljan Ymer Ymeri, lindur me 23.02.1977 nga Tirana.
Ymeri rezulton se në skedat e policisë greke ka edhe emrat Ervin e Beniamin, si dhe mbiemrin Rexhepi. Greku i arrestuar quhet Fotios Stavrou, i vitlindjes 1967.
Të dy personat e mësipërm kanë marrë pjesë në vrasje si transportues me automjet të ekzekutorit, i cili është ende i paidentifikuar dhe mendohet se fshihet në Shqipëri.
Shkak i vrasjes janë përplasjet për trafikun e drogës dhe mendimi i taksistit shqiptar se Ari Papa ishte spiun i policisë greke.
Taksisti shqiptar rezulton me precedentë për trafik klandestinesh dhe është i skeduar, ndërkohë që edhe shtetasi grek rezulton me precedentë penale.
Ata akuzohen për organizimin e vrasjen dhe transportin e vrasësit me pagese. Në lidhje me vrasësin e dyshuar po bashkëpunohet me autoritetet ligjzbatuese shqiptare.
Ari Papa u vra në 30 maj 2021 në një lokal në Sepolia të Athinës. Papa i ka shpëtuar 3 atentateve të mëparshme ndërkohë që rezulton i përfshirë në një grup kriminal në Greqi për trafik droge dhe vrasje. Ari Papa konsiderohet një nga personazhet e rëndësishme të mafies shqiptare në Greqi.
Profili i Ari Papa
Ari Kosta Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në regjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”, edhe pse një ish-oficer i policisë së Sarandës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, shprehet se: “Arin e vogël e njoh vetëm si emër, por të dhënat e mia e lidhin atë ndoshta me krime të ndodhura në Sarandë në vitet 2005-2006 ose me protagonistë banorë të Sarandës në Athinë në vitet e mëpasshme”.
Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eliminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qëllimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjeçari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.
Discussion about this post