Një sasi lënde plasëse, që dyshohet të jetë tritol, është gjetur e pashpërthyer mbrëmjen e kaluar në qytetin e Shkodrës.
Lënda plasëse është konstatuar në portën e jashtme të banesës së Emiljan Gjonajt, në lagjen “Mark Lula”.
Pas konstatimit të saj, është njoftuar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë.
Zona është vënë nën kontroll, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe ekspertët xhenierë për trajtimin e lëndës plasëse, me qëllim shmangien e çdo rreziku për banorët dhe personat që ndodheshin pranë objektit.
Shtetasi Emiljan Gjonaj, sipas burimeve nga vendngjarja, merret me ndërtim. Aktualisht, në lagjen “Mark Lula” po ndërtohet një pallat nga ana e tij dhe ekzistojnë dyshime se ngjarja mund të lidhet pikërisht me aktivitetin e ndërtimit.
Fakti që lënda plasëse nuk ka shpërthyer ka shmangur pasoja të mundshme, ndërsa mbetet për t’u zbardhur se si është vendosur ajo në portën e jashtme të banesës dhe kush fshihet pas këtij veprimi.
Policia po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa një nga pistat që po verifikohet është edhe ajo e vendosjes së lëndës plasëse si formë kërcënimi. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët ende nuk janë zbuluar.









Discussion about this post