Ndryshe nga pasaportat e arta për të cilat qeveria u tërhoq, për amnistinë fiskale vazhdon të këmbëngulë edhe pse me tone të moderuara. Me 16 Mars kryeministri Edi Rama në Konferencën e përbashkët me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi bëri të ditur se KE po ndihmon Shqipërinë në realizimin e kësaj nisme.
“Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e komisionit dhe delegacionit për të na ofruar ekspertizë për amnistinë fiskale. Besojmë se është e mirë për Shqipërinë”, tha Rama në konferencë. Por ndryshe nga më parë ku kryeministri ka kërkuar që ndërkombëtarët të mos ndërhyjnë në nismat e brendshme të vendit, këtë herë mesa duket ka bërë një hap pas për vetë faktin që qeveria po përpiqet të legalizojë diçka të jashtëligjshme.
Edhe në fund të vitit të kaluar kryeministri Rama u shpreh i bindur se amnistia do të miratohet por që në fakt ndodhi e kundërta. Në programin e projekt-akteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave që do të shqyrtohen këtë vit mungoi, projektligji i amnistisë që pritet të legalizojë paratë e padeklaruara të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Por përse nuk realizohet amnistia fiskale, dhe pse qeveria ka hezituar deri më tani pavarësisht propagandës së herëpashershme?
Së pari është çështje sociale. Konkretisht duke bërë amnistinë fiskale qeveria mund të nxisë revoltë tek qytetarët dhe bizneset e ndershme që kanë deklaruar çdo qindarkë dhe për të kanë paguar taksat siç ligji e parashikon. Ndërsa amnistia bën të kundërtën, ligjëron para që thuhet se janë krijuar nga puna në të zezë, por kjo është e pavërtetuar.
Së dyti është çështje numrash në parlament. Për të miratuar amnistinë fiskale duhet të kesh të paktën 84 vota pro në Kuvend, që aktualisht mungojnë.
Së treti është rreziku i pastrimit të parave, dhe në këtë rast nuk po flasim për një sektor që rrezikohet por po flasim për gjithë ekonominë që mund të kthehet në një lavatriçe të madhe pastrimi të parave.
Së katërti, frika e mashtrimit. Kur thua do të legalizojmë të ardhurat e padeklaruara të fituara nga puna në të zezë, praktikisht bëhet e ligjshme një pasuri që askush nuk e din se nga buron, nëse është punë e ndershme e padeklaruar për 1001 arsye, apo nëse është para kriminale. Kjo mbetet e pavërtetuar pasi për të deklaruar këto para askush nuk do të kërkojë burimin.
Së pesti kjo nismë e qeverisë ndërhyn në kompetencat e drejtësisë, pasi qeveria thotë se deklaruesi i të ardhurave nuk do të ndiqet penalisht për këtë fshehje të burimit të të ardhurave dhe për mos deklarimin e tyre, ndërsa në kodin penal, parashikohet dënim për këtë vepër penale dhe dënohesh nga 5-10 vite burg. Kështu duke miratuar këtë ligj qeveria, prek kompetencat e drejtësisë të cilët socialistët thonë se e spastruan nga politika me procesin e vetingut.
Amnisti parave të punës informale apo parasë së krimit?
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj sqaron se kjo nismë e qeverisë që i hap rrugën futjes në sistemin bankar të parave duke mos deklaruar burimin dhe duke i shpëtuar ndjekjes penale, ngre disa shqetësime, kur më kryesori është rreziku i parave.
“Administrata është e njëjta e viteve më parë, ajo nuk ka ndryshuar. Ne nuk kemi një grup të targetuar që do të përfitoj nga amnistia në mënyrë që të mos biem ndesh me politikat për të parandaluar pastrimin e parave, të cilat nuk lidhen vetëm me evazionin, korrupsionin por edhe me para që vijnë nga terrorizmi. Edhe në vendet e zhvilluara institucionet financiare kanë pasur probleme në ndalimin e parave të pista. Shqipëria është mjaft e rrezikuar”, thotë Gjokutaj.
Eksperti shpjegon se si paratë kriminale jo vetëm të emigrantëve mund të futen lehtësisht në vend nëpërmjet amnistisë fiskale.
“Paraja mund të jetë ngritur nga korrupsioni, evazioni, nga vepra kriminale apo nga drogat brenda vendit dhe janë dërguar jashtë. Tani me këtë nismë kjo para nën petkun e fitimit të emigrantit mund të vij në Shqipëri”, pohon eksperti.
Për këtë nismë jo vetëm ekspertët por të gjitha institucionet si FMN, Moneyval, KE, Banka Botërore etj,,, janë shprehur kundër për shkak të rrezikut të lartë të pastrimit të parave.
Si pasojë e rrezikut të pastrimit të parave Shqipëria prej vitesh është pjesë e listës gri të pastrimit të parave, nga FATF, dhe do vazhdojë të jetë edhe për këtë vit.
Kush përfiton nga amnistia?
Kjo nismë e premtuar që në shkurt të vitit 2020 nga qeveria fillimisht u tha se ishte vetëm për emigrantët, por në fakt përfshinte edhe qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Kështu kushdo që ka para të padeklaruara në shtëpi, nën justifikimin e punës së zezë mund ti deklarojë ato, po ashtu ju jepet mundësia që bizneset të pastrojnë bilancet e tyre të dyta apo të treta që i mbanin për t’ju shpëtuar taksave.
Në projektligjin e vitit 2020, parashikohej që për deklarimin e pasurive do të aplikohen tre fasha tatimi. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 5%, të dytët 7% dhe të fundit që deklarojnë pasurinë paguajnë 10%.Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën. Ky draft u tërhoq për shkak se nuk ishte sqaruar se si shmangej pastrimi i parave, dhe u kundërshtua nga të gjithë.
Më pas në vitin 2022, qeveria nën sloganin e Këshillimit Kombëtar kërkoi ‘bekimin’ e shqiptarëve për ti rihapur rrugën nismës. Ishin mbi 332 mijë qytetarë që votuan pro amnistisë fiskale dhe penale për emigrantët që duan të depozitojnë kursimet e padeklaruara në Shqipëri.
Por ndryshe nga drafti i parë, në draftin e dytë të hedhur në konsultim publik në qershor 2022, qeveria theksonte që të gjithë qytetarët shqiptar rezident dhe emigrantë mund të deklaronin pasuri deri në 2 milionë euro me dy fasha tatimi. Kush deklaron në 4 muajit e parë paguan tatim 7%, dhe më pas 10%.
Shifra marramendëse e pasurisë që mund të legalizohej si e ligjshme pa qenë e nevojshme të deklarosh burimin, nuk kishte të bënte vetëm me paratë por me mjetet, pronat, piktura apo orendi të tjera me vlerë të padeklaruara.
Pikëpyetja që ngrihet është: “Kush është ky emigrant i ndershëm që ka punuar në të zezë, ka mbajtur familjen, dhe ka 2 milionë euro pasuri në shtëpi?
Pra, përpos propagandës për të ndihmuar të ndershmit, qeveria në mënyrë indirekte po përpiqet të ligjërojë para pas të cilëve nuk janë vërtetë emigrantët.
Edhe pse qeveria ka listuar kategoritë që nuk përfitojnë nga një nismë e tillë politikanë, zyrtar të lartë të shtetit, drejtësisë, drejtorë etj,,, askush nuk i pengon ata që paratë ti legalizojnë nëpërmjet personave të tretë.
Lexo edhe:Konfindustria kërkon tërheqjen e qeverisë nga amnistia fiskale
Discussion about this post