Klubi i njohur grek Olympiakos, po përjeton një moment të vështirë këtë sezon. Rezultatet në fushën e lojës nuk kanë lënë të kënaqur drejtuesit, të cilët kanë larguar trajnerin Michel. Në këto momente skuadra është lënë në dorën e trajnerit të përkohshëm, Anigo por shumë shpejt mund të vijë një emër prestigjioz në drejtimin e pluri-kampionëve të Greqisë.
Emri i Gennaro Gattusos është shumë lart në listën e Olympiakos për të qenë trajneri i ri i skuadrës për sezonin e ardhshëm. Mediat italiane bëjnë një hap më tej, duke folur për kontakte të avancuara, ku thuhet se në rast dakortësie, kontrata do të zgjasë deri në verën e vitit 2024.
E vërteta është se të dyja palët kanë bërë kontaktet përkatëse, me teknikun italian që ka marrë video nga ndeshjet e bardhekuqve nga ky sezon për të krijuar një opinion, por edhe për të bërë një analizë të parë për listën e skuadrës. Megjithatë, për momentin nuk ka marrëveshje, pasi trajneri 45-vjeçar pritet të përgjigjet deri në fund të prillit, ose më së voni në fillim të majit.
“Rino” gëzon vlerësimin e drejtuesve të Olympiakos dhe më konkretisht të Vangelis Marinakis, i cili sheh tek ai një trajner që mund t’i rikthejë bardhekuqtë në sukses si në Greqi ashtu edhe në Evropë.
Gattuso bëri debutimin e tij si trajner në sezonin 2012-13 në Sion si lojtar-trajner, i ndjekur nga Palermo. Në verën e vitit 2014, ai mori skuadrën e OFI-t, nga e cila u largua në dhjetor të po atij viti, për shkak të problemeve të rënda financiare të klubit.
Më pas u rikthye në Itali, ku mori drejtimin teknik të Pizës dhe në nëntor 2017 ai pranoi sfidën dhe u ul në stolin e Milanit, nga i cili u largua në maj 2019, pas 83 ndeshjeve në stol. Ai i kaloi dy vitet 2019-21 me Napolin, ndërsa ekipi i tij i fundit ishte Valencia, nga e cila u largua janarin e kaluar.
Discussion about this post