Partia Socialiste për një kohë të gjatë i ka dhënë rëndësi komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në mënyrë të veçantë nëpërmjet ‘Facebook’ – rrjetit më popullor në Shqipëri, i cili në vitin 2022 kishte më shumë se 1.9 milionë përdorues në vend.
Për të rritur numrin e ndjekësve në këtë rrjet social, anëtarët e qeverisë dhe drejtuesit e Partisë Socialiste kanë përdorur një shumëllojshmëri mjetesh digjitale, por edhe resurse shtetërore për të prodhuar përmbajtje të larmishme dhe virale – duke synuar të gjenerojnë sa më shumë reagime në botën virtuale.
Aplikacioni i fundit i hedhur në treg para zgjedhjeve vendore, ‘Akt1visti’, ka qenë mjeti më i debatueshëm i prodhuar nga Partia Socialiste deri më sot për të gjallëruar përmbajtjen e saj në botën virtuale.
Për kritikët dhe opozitën, ai është një mjet shantazhi për administratën publike, ndërsa për mazhorancën, një aplikacion i padëmshëm që mundëson angazhimin e qytetarëve në të mirë të komunitetit dhe kauzave politike që ato mbështesin.
Përtej debatit mbi përdorimin e aplikacionit, të dhënat mbi fushatën virtuale të kandidatëve në zgjedhjet vendore tregojnë se, megjithë investimin e madh në komunikimin nëpërmjet rrjeteve sociale të bërë nga Partia Socialiste, mesazhi i kandidatëve të saj në zgjedhje vendore po tejçohet me më pak entuziazëm në ‘Facebook’ në dy bashkitë më të mëdha në vend.
Sipas të dhënave nga aplikacioni ‘Crowdtangle’ të analizuara nga BIRN, postimet e kandidatëve të PS-së në betejat kyçe për Tiranën dhe Durrësin gjeneruan më pak shikime në Facebook në 20 ditët e para të fushatës, në krahasim me rivalët e tyre nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ – i udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe fraksioni i tij në Partinë Demokratike, i njohur në gjuhën popullore si ‘Foltorja’.
Edhe pse kandidatën e saj po renditën pas opozitës në ‘Facebook’, në dy prej garave kyçe për zgjedhjet vendore, Partia Socialiste ka një avantazh të qartë në nivel kombëtar, që mbështetet në faqjen e kryeministrit Edi Rama dhe postimet e tij video, të njohura ndryshe si ERTV.
Aplikacioni ‘Crowdtangle’ është në mjet që ndihmon në analizimin e të dhënave nga rrjetet sociale. Ky aplikacion është në pronësi të kompanisë ‘Meta’, e cila është edhe kompania mëmë e rrjetit social ‘Facebook’.
‘Bashkë Fitojmë’ udhëheq në Tiranë dhe Durrës
Në zgjedhjet vendore të 14 majit, qytetarët shqiptarë me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe këshilltarët për 61 bashkitë e Shqipërisë.
Aktualisht, Partia Socialiste në pushtet drejton të gjtha bashkitë e vendit, përveç Shkodrës, një situatë e pazakontë e krijuar pas bojkotit të opozitës në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
Fushata për zgjedhjet ka filluar më 14 prill dhe kryesisht është dominuar nga organizime të vogla elektorale që filmohen dhe transmetohen nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave audiovizive. Edhe pse shpërndarja në rrjetet sociale nuk është garanci për suskes elektoral në kutinë e votimit, ajo ka një rëndësi të veçantë në shpërndarjen e mesazheve të kandidatëve.
Në bashkinë e Tiranës garojnë për postin e kryebashkiakut 5 kandidatë, përfshirë kryebashkiakun aktual të Partisë Socialiste Erion Veliaj, ish-deputetin Belind Këlliçi që garon për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, Roland Bejko nga Partia Demokratike, Lajla Përnaska nga PDIU dhe Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë.
I mbështetur nga një aparat i madh propagandistik, Veliaj ka 541 mijë ndjekës në ‘Facebook’, gati pesë herë më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë që garojnë për kryebashkiak të Tiranës.
Megjithatë, të dhënat e ‘Crowdtangle’ për tre javët e para të fushatës zgjedhore tregojnë se ai ka marrë më pak shikime në videot e të tij elektorale në ‘Facebook’ në krahasim me ish-deputetin Belind Këlliçi, i cili ka 71 mijë ndjekës.
Nga data 14 prill deri me 5 maj, Këlliçi regjistroi 4.01 milionë shikime (video views) në Facebook, në krahasim me 3.17 milionë shikime të regjistrura nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i ndjekuar nga Roland Bejko me 215 mijë shikime.
Mungesa e entuziazmit të ndjekësve virtualë ndaj postimeve në ‘Facebook’, duket se e ka shtyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, të fillojë një fushatë të kushtueshme reklamash gjatë javës së fundit, duke shpenzuar mesatarisht 2 mijë USD në ditë.
Sipas të dhënave të ‘Crowdtangle’ të analizuara nga BIRN, një situatë e ngjashme shfaqet edhe në bashkinë e Durrësit, ku garojnë përballë njëri-tjetrit kryebashkiakja aktuale, Emiriana Sako e Partisë Socialiste dhe Igli Cara i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.
Që prej 14 prillit, Sako ka regjistruar 565 mijë shikime në postimet e saj në Facebook. Ndërkohë, rivali i saj, Igli Cara ka regjistruar 1.12 milionë shikime.
Situata është më e barazpeshuar në Shkodër, ku garon kryebashkiaku aktual, Bardh Spahia dhe ish-deputeti i PS-së, Benet Beci. Prej datës 14 prill, Spahia ka gjeneruar 728 mijë shikime në Facebook, krahasuar me 746 mijë shikime të Benet Becit.
Ndryshe në Elbasan, Partia Socialiste është në avantazh të qartë përsa i takon shikimeve të postimeve në rrjetin social Facebok. Krybashkiaku aktual Gledian Llatja ka marrë 1 milion shikime për postimet e akitiviteteve të tij zgjedhore, krahasur me 92 mijë të regjistruara nga ish-deputeti Luçiano Boçi, i cili garon për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’.
PS udhëheq në rang kombëtar
Edhe pse kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ po bëjnë një fushatë të suksesshme në rrjetet sociale për zgjedhjet vendore në disa prej bashkive kryesore të vendit, në nivel kombëtar Partia Socialiste kanë një avantazh të ndjeshëm kundrejt opozitës.
Sipas të dhënave të ‘Crowdtangle’, 61 kandidatët për kryetarë bashkie të PS-së, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe 12 drejtuesit politikë të qarqeve – ministra dhe deputetë, kanë një numër të akumuluar prej 3.19 milionë ndjekësisht në Facebook.
Ndërkohë, 61 kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë, së bashku me drejtuesit e koalicionit Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe 12 drejtuesit politikë të qarqeve kanë 1.85 milionë ndjekës.
Që nga fillimi i fushatës zgjedhore, Partia Socialiste ka arritur të gjenerojë 19.74 milionë shikime në postimet e saj në ‘Facebook’, kundrejt 11.61 milionë shikimeve të koalicionit Bashkë Fitojmë.
Avantazhi kryesor i Partisë Socialist në Facebook vjen nga llogaria e kryeministrit Edi Rama, e cila nga fillimi i fushatës në 14 prill ka marrë 6.33 milionë shikime, i ndjekur nga Erion Veliaj me 3.16 milionë shikime dhe drejtuesi i qarkur Fier, Taulant Balla me 1.8 milionë shikime.
Ndërkohë, në koalicionin Bashkë Fitojmë udhëheq kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi me 3.99 milionë shikime, i ndjekur nga ish-kryeministri Sali Berisha me 2.8 milionë shikime dhe Ilir Meta me 1.44 milionë shikime.
/Reporter.al/
Discussion about this post