Nga Besnik Dizdari
Ky është çasti që u dashka pyetur kështu. Dhe nuk më duket gabim që vë Egnatian para dy të mëdhenjve të futbollit shqiptar. Por le të mos e “denatyrojmë” deri këtu “politikën” e kampionatit. Duke shpresuar që Egnatia, e cila ia ka arritur qëllimeve të saj fort befasuese, nuk do të heshtë as në këto dy javë të fundit…
Kështu pra. Janë vetëm edhe 180 minuta lojë. Largësia midis dy të parëve është vetëm 2 pikë në të mirë të “Sport Klubit”, siç e shkruante shpesh Anton Mazreku, Sport Klub Tiranën e viteve ‘30. Javën që shkoi fituan të dy. SK Tirana në Laç, Partizani në Tiranë me Vllazninë. I pari u dorëzua “keqas”: 1-3! E dyta desh të shndërronte 0-2-n në 2-2. Mirëpo, prapëseprapë Partizani triumfoi, ndonëse ngushtë, vetëm në 2-1.
Në dy kampionatet e fundit, titullin e kanë fituar Teuta e Durrësit (2021) dhe SK Tirana (2022). Partizani është kampion më 2019 – titulli i vetëm ky për të në 30 vjetët e fundit. E ndërsa skuadra e Tiranës kërkon të rrumbullakosë shifrën rekord të 29 titujve të kampionit (unë përherë ia shtoj 2 Kampionatet e Luftës), Partizani kërkon një lavdi të re në stadiumin e tij të ri, për të mbërritur në shifrën e 17 titujve të tij. Shifër kjo që e rendit në vendin e tretë të shumë herë kampionëve. Dinamo, ajo e Kategorisë së Dytë (gënjeshtër e madhe që quhet e Parë), me gjithë mungesat e saj në plot 10 kampionate të 11 viteve të fundit rresht, ende nuk është mbërritur në tituj prej Partizanit. Ajo ka 18 tituj të kampionit. Të harruar, natyrisht. Dhe detyrohet të mbështetet vetëm te një kujtesë krejt e freskët: ajo që i thotë se po rikthehet në Kampionatin Kombëtar, doemos pa ditur askush se ç’do të bëjë për stinën 2023-‘24.
Është një kohë tjetër. Është koha e Rrogozhinës – një qytet me vetëm 22.000 banorë, i vendosur buzë rrugës udhëtuese ndërqytetëse. Është aty sa kalon Kavajën e Besës, që dikur rrogozhinasit e quanin skuadrën e tyre përfaqësuese, por sot po ia rrëmbejnë famën. Besës së famshme pra, kjo e sotmja, e cila ka bukur 9 vjet rresht jashtë Kampionatit Kombëtar. Egnatia e Rrogozhinës i ka “injoruar” të gjithë fqinjët e saj. Jo vetëm Shkumbinin e Peqinit, plot 19 vjet pjesëmarrës i Kampionatit të Parë të Shqipërisë, por deri edhe atë që sot u quaka AF Elbasani i Kategorisë së Tretë, por i cili ka qenë dy herë kampion i Shqipërisë dhe dy herë fitues i Kupës. Sot, për fat, pa pasur kohë t’i gëzohet sadopak stadiumit të tij të ri e modern.
Këtë të diel, Egnatia e Rrogozhinës festoi para kohe qëndrimin në vendin e tretë dhe pjesëmarrjen për herë të parë të saj në Kupat e Europës, ndonëse matematikisht ende sikur të vjen të thuash se “nuk i dihet”. Por, duke qenë 6 pikë para Vllaznisë, edhe sikur skuadra shkodrane t’i fitojë dy ndeshjet e saj e Egnatia t’i humbë, nuk ndodh asgjë. Sepse skuadra e Rrogozhinës ka fituar 3 nga 4 ndeshjet me skuadrën shkodrane. Dikur në barazim pikësh vendoste golavarazhi i përgjithshëm, e kësisoj kështu ndodh sot edhe në shumicën e kampionateve të shteteve të tjera. E këto punë të ndeshjeve të drejtpërdrejta dikur nuk hynin në punë assesi, as në Shqipëri. Kështu, ngaqë mbi gjithçka vlerësoheshin golat e të gjitha ndeshjeve. Dhe është kjo e drejta, sepse kampionati nuk është kupë, por një garë me shumë skuadra e shumë ndeshje që zgjasin gati një vit. Sidoqoftë, kur kujton golavarazhin 46-30 të Egnatias dhe e krahason me këtë 36-35 të Vllaznisë, edhe me atë rregullore rrogozhinasit triumfojnë. Doemos nuk e harrova që ndërkaq Egnatia është finaliste e Kupës së Shqipërisë. Kështu pra ka ndodhur: që një skuadër “e vogël” lufton në dy fronte të lartësisë.
Shqipëria do të ketë në Kupën e Europës skuadrën e një qendre të vogël banimi. Madje një skuadër e ndërtuar në mënyrën më sensacionale brenda vetëm 12 muajve. Mund të jetë një rekord botëror. Vetëm 5 lojtarë të saj kanë qenë me Egnatian sezonin e shkuar. Ndërsa plot 17 lojtarë të tjerë luajtën nën fanellën e aj vetëm në këtë kampionat. Çka do të thotë që të mos guxojmë më e të flasim për skuadra të rinjsh, për akademi apo rritje dhe edukim e formim talentesh brenda klubit e qytetit të tij. Kjo ka marrë fund në Shqipëri. Dhe jo vetëm tek Egnatia, por thuajse në të gjitha skuadrat shqiptare të Kampionatit të saj Kombëtar. Shembulli që na thotë se kështu bëjnë edhe klubet e shteteve të tjera, për futbollin e Shqipërisë në këtë stad zhvillimi apo moszhvillimi të tij, nuk vlen. Kjo, ngaqë skuadrat shqiptare as që mund ta shkojmë nëpër mend se mund të fitojnë një Kupë të Europës, siç synojnë jo pak shtete të tjera. Ajo që mund ta çojmë nëpër mend është kjo tjera: që bilancin tonë të garave në Kupën e Europës, thjesht në turin e parë, ta kemi e pakta në 50 për qind kualifikim.
Egnatian nuk kemi përse ta kritikojmë. Ajo nuk kishte rrugë tjetër për të përballuar një kampionat në të cilin po merrte pjesë vetëm për të tretën herë në histori. Dhe padyshim ky kampionat pati vetëm një risi: Egnatian e Rrogozhinës. Gjithçka tjetër, jo vetëm nuk është një risi, por në thelb mundet të jetë edhe një mërzi. Mërzi sepse më shumë se kombëtar ai të dukej një kampionat i Shqipërisë së Mesme. Mërzi, sepse kampionatit i munguan Skënderbeu i Korçës, Elbasani, Flamurtari i Vlorës, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës, Besa e Kavajës, Apolonia e Fierit, Lushnja, Dinamo – të gjitha skuadra qytetesh tradicionale. Sa herë e kam shkruar këtë? Njëqind herë! Thjesht sepse askush nuk mbështet zgjerimin e numrit të skuadrave. Madje, më fort se kaq askush nuk nxit, nuk kërkon rishikimin dhe ndryshimin e të gjitha kampionateve të futbollit në Shqipëri. Janë “trima” shembullorë e nuk kanë aspak “frikë” nga kritikat e drejta. Kjo është autokracia e re në drejtimin e futbollit shqiptar, për çka ka marrë lejen e një qeverie, e cila për këto punë është përtej indiferentes.
Dhe vijmë te përgjigjja e pyetjes së këtij editoriali:
Egnatia e Rrogozhinës apo SK Tirana e Partizani?…
Është një pyetje që ta nxit gazetaria, shkrimet tona. Po, edhe pse janë vetëm 180 minuta lojë, sot ajo nuk mund të marrë përgjigje. Ose ndoshta mund të marrë përgjigje vetëm pjesa e parë e saj që mishërohet tek Egnatia e Rrogozhinës pranë së cilës nuk mund të vihet asnjë lloj pyetjeje. Ose mund të bëhet vetëm një pyetje: si arriti trajneri Edlir Tetova ta bënte këtë skuadër mëtuese brenda 12 muajve, me vetëm 5 lojtarë të një viti më parë (Puja, Kacbufi, Agbekpornu, Lila, Xhekson) dhe me 17 të rishtarë të sinkronizuar nën fanellën e saj: Atanda, Sherri, Fangaj, Malota, Memolla, Musta, Emsis, Fernando, Mëllugja, Zejnullai, Ayinde, Diamanti, Duamena, Kasa, Meçja, Paulauskas, Doukou. Kur plot 9 prej tyre vinin nga kombësi apo shtete të tjera. Madje me një gjeografi heterogjene ndërshtetase deri në skaj: Nigeria, Gana, Letonia, Lituania, Brazili, Bregu i Fildishtë! Sinkronizimi, përveç të tjerave, i kësaj “poliglotësie” (shumëgjuhësie), në një stil të vetëm, prej trajnerit Tetova te një skuadër e një tradite thuajse krejt modeste, shndërrohet thuajse në një vepër të rrallë në futbollin po modest të Shqipërisë. Pa harruar kurrsesi mbështetjen e fuqishme të presidentit të saj, Agim Demrozi. Ky është njeriu, i cili shkarkoi në Javën e 17-të Shpëtim Duron – një nga trajnerët më të spikatur të viteve të fundit në futbollin shqiptar. Iu kthye trajnerit Ilir Tetova, i lindur e i formuar në një nga qytetet më sportive të Shqipërisë, që është Durrësi me Teutën e tij.
E lëmë mënjanë fenomenin “Egnatia” dhe shkojmë te titulli i SK Tiranës apo Partizanit. Një gjë duhet pranuar: ka mundësi që 2 pikët epërsi të Sport Klub Tiranës, të mbeten 2 pikë të arta. E megjithatë!…
Do të kemi SK Tirana – Bylisi dhe Kastrioti – Partizani. Mandej janë Erzeni – SK Tirana dhe Partizani – Teuta. Për një çast të duken gjëra të lehta. Mirëpo, teksa mendon se ndërsa dy kryesuesit kërkojnë titullin, menjëherë kujton se Erzeni, Bylisi e madje edhe Kastrioti kërkojnë mosrënien. Ndërkohë që Teuta kërkon Europën. Dhe papritmas “çështja” që nuk të duket kaq e thjeshtë, ndonëse forca e një SK Tirane dhe e një Partizani, qëndron shumë më lart. Nga ana tjetër, statistikat na thonë se me gjithë shkëputjen e dukshme të dy kryesuesve, ky kampionat ka çudinë madhe që na bën të mbërrijmë deri dhe te skuadra e fundit, Kastrioti i Krujës, e cila ka fituar 8 ndeshje dhe ka barazuar 11, çka ka vite që kësisoj “fitimtarësh” të vendeve të fundit të renditjes, nuk kemi parë.
Me ndeshjet e kësaj të enjteje, nis të zhvillohet drama e 180 minutave të fundit. Dhe ja që papritmas, ky editorial, po më duket sikur fjalët tona nuk kanë fort peshë. Por gara çuditërisht është ende e fortë, madje disi universale në kampet e saj. Në kampin e luftës për titullin kampion. Në kampin e luftës për vendin e katërt që të çon në Europë. Në kampin e luftës për mosrënie, ku përfshihen 4 skuadra.
Ky është një kampionat që në renditjen e tij nuk ka një “mes të artë”, siç thuhet. Dhe dikur “mesi i artë” të siguronte ndeshje të bukura. “Mesi i artë” nuk luante me trysninë për renditje, as për titull, as për mosrënie e as për Europë. “Mesi i artë” luftonte vetëm për futboll. Futboll dëfryes, pa frikën e vendit që duhet zënë në renditje.
E vërteta është se ky futboll ka marrë fund në Shqipëri. Ai është diçka tjetër. Deri aty saqë për një çast të duket se edhe lufta për Europën më tepër bëhet për paratë e UEFA-s sesa për dëfrimin e spektatorit të qytetit tënd. Ndonëse dihet, kur fiton në Europë, e nderon, e dëfren fort qytetin tënd.
Diçka presim të ndryshojë, megjithatë. Është diçka e bukur që u rikthyen Skënderbeu e Dinamo, ndonëse prapë edhe kjo është pak. Po nuk u kthyen edhe skuadrat e tjera tradicionale të qyteteve parësore, kështu kanë për të shkuar punët…
Sidoqoftë, pa pesimizëm, le t’i gëzohemi garës enigmatike që futbolli përherë të blaton. SK Tirana apo Partizani? Vetëm kaq? Jo. Kemi edhe Vllazninë, Teutën apo Laçin për Europën. Kemi Kastriotin, Bylisin, Erzenin dhe ndoshta edhe KF Kukësin për rënie apo mosrënie. Detyrë të vështirë paskan 180 minutat e fundit, teksa i duhet që “pa mëshirë” të japë këto tri sentenca vërtet dramatike, edhe pse është fort e vështirë që ato t’i japin një peshë më cilësore këtij kampionati 2022-‘23 që ka vendosur rekordin më të pakëndshëm të mungesës së spektatorëve. Nuk ndalin ndeshjet deri me vetëm 700, 500, 400 e madje deri edhe me më pak se 100 spektatorë të pranishëm! Ky është dështimi i madh i Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Shkaqet? Fajtorët? Kush e ka fajin, pra?
Eh, sikur të ishte vetëm një faj apo një fajtor!…/PanoramaSport
Discussion about this post