Qershori dhe korriku mund të quhen ndryshe ‘Muajt Kombëtarë të Shalqirit’, këtij fruti të kuq, të ëmbël e të freskët, epitoma e verës perfekte. Gjatë këtyre muajve, prodhimi i shalqirit në vend arrin kulmin.
Shalqiri është padyshim fruti më i konsumuar në Shqipëri ndjekur nga pjepri dhe vedeni. Shalqiri është pjesë e të njëjtës familje botanike që përmbledh kastravecat, kungujt dhe kungulleshkave. Mendohet që shalqini është zbuluar në Egjipt rreth 5000 vjet më parë siç është përshkruar edhe në shumë hieroglife.
Shalqiri i rritur në Shqipëri nuk ka të krahasuar në aspekt shijesh dhe vlerash. Zonat e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës janë kampionë të prodhimit të shalqirit në Shqipëri. Vendi ynë numëron plot 5600 hektarë tokë të mbjellë më shalqi. 2300 hektarë gjenden në zonat e lartpërmendura dhe 764 hektarë të tjerë në zonën e Shkodrës.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka prodhuar plot 221,628 ton shalqinj nga fushat dhe 1044 ton nga serat. Prodhimi vjetor i Lushnjës arrin në 81, 804 ton ndjekur nga Shkodra me 22 779 ton. Ritmi i prodhimit të Lushnjës është 51 ton për hektar ndërsa i Shkodrës është 30 ton për hektarë. Shalqinjtë në zonën veriperëndimore që përfshin Lezhën dhe Shkodrën mbillen në Prill dhe mblidhen në korrik.
Ngrënia e shalqirit është argëtim më vete për shqiptarët. Por gjithsesi duhet të kini kujdes. Kur të hani shalqi, që mos të përballeni me hungërimat e stomakut, idealja është që të mos hani ushqim tjetër 30 minuta para ose pas ngrënies së shalqirit.
6 fakte interesante për shalqirin
- Shalqiri ka më shumë likopen se domatet
Likopen është një antioksidant i fuqishëm që i jep frutave ose perimeve atë ngjyrën e bukur rozë ose të kuqe. Zakonisht ky antioksidant gjendet tek domatet, por shalqini është një burim më i përqendruar antioksidantësh. Një filxhan me shalqin ka 1.5 herë më shumë likopen se sa një domate e madhe e freskët.
- Lëngu i shalqirit çliron nga dhimbjet e muskujve
Nëse keni një mikser frutash, atëherë shtrydhni një të tretën e një shalqini të freskët dhe pijeni lëngun para stërvitjes. Ky lëng përmban më shumë se një gram amino acidesh që mbrojnë kundër dhimbjeve muskulare. Studimet kanë treguar që meshkujt që pijnë lëng natyral shalqiri para stërvitjes vuajnë më pak nga dhimbjet e muskujve ditën e nesërme, në krahasim me meshkujt që pijnë vetëm ujë.
- Shalqiri është edhe frut, edhe perim
Siç e thamë më lart, shalqiri është i të njëjtës familje me kastravecin, kungujt dhe kungulleshkat. Kjo për faktin se shalqiri është pjesërisht frut dhe pjesërisht perime. Në fund të fundit është një kokërr e madhe që prodhon fara. Fakti tjetër që mbështet këtë teori është se lëvorja e shalqinit është e ngrënshme.
- Ju mund të hani farat dhe cipat e bardha e shalqinit
Shumica e njerëzve i hedhin cipat e bardha ose lëvoret e shalqinit. Ajo që duhet të dini është se nëse këto lëvore i fusni në një mikser ushqimor bashkë me limon jeshil, do të pregatisni një masë shumë të shijshme dhe të shëndetshme. Lëvorja e shalqinit përmban shumë elementë ushqyes të shëndetshëm që i bëjnë mirë gjakut. Lëvorja në fakt ka më shumë amino acidë siç është citrulina se vetë tuli. Citrulina transformohet në argininë për veshkat. Është një amino acid i rëndësishëm për shëndetin e njeriut dhe sistemin imunitar por ka edhe vlera terapeutike.
Shumë njerëz preferojnë shalqinin pa fara, por farat e zeza të shalqinit janë krejt të ngrënshme dhe të shëndetshme. Ato përmbajnë hekur, zink, proteina dhe fibër.
- Shalqiri është pothuaj i gjithi ujë
E dini të gjithë ndoshta, por bëhet fjalë për një të dhënë interesante. 91 % e shalqinit është ujë. Kjo do të thotë që nëse në ditët e nxehta të verës ju konsumoni shalqi jo vetëm që do të qëndroni të hidratuar, por edhe keni një zëvëndësues natyral për ujin.
- Keni dëgjuar për shalqirin e verdhë?
Shalqini i verdhë është më i ëmbël. Ka një shije që të kujton mjaltin dhe ndryshe nga shalqini me tul të kuq. Shalqini i verdhë ofron një sërë vlerash shëndetësore dhe ushqimore, por deri më tani të gjitha studimet shkencore janë përqendruar në varietetet e shalqinit me tul të kuq.
Zhgënjimi më i madh është kur pret shalqinin dhe zbulon që është pa shije ose pa atë ngjyrën e ndezur të kuqe. Ndaj duhet të mësoni si të zgjidhni shalqinin perfekt. Në pjesën fundore të shalqinit duhet të kërkoni për një një njollë të zbehtë me nuancë të verdhë (jo të bardhë e as jeshile). Ajo njollë formohet teksa bostani piqet dhe është treguesi më i mirë i një shalqini të pjekur mirë. Një tjetër taktikë përzgjedhjeje është që të zgjidhni një shalqi të rëndë në peshë, me lëvore të lëmuar ose mund të zgjidhni taktikën mjaft popullore të kërcitjes së gishtit. Thuhet që shalqini i pjekur lëshon një tingull të mbytur bas nën goditje./AgroWeb.org/
Discussion about this post