Në të gjithë këto vite, ka pasur një sërë reformash, lëvizje të shpeshta brenda hierarkisë së udhëheqjes që shpesh kanë shkelur Ligjin e Policisë së Shtetit, si dhe alokimi i gradave si favorizim për individë me lidhje politike. Përveç këtyre çështjeve, ka pasur shumë kontrata për pajisje dhe paisjet dhe mjetet të policisë, shumica prej të cilave kanë shkelur ligjin. Fatkeqësisht, në mes të të gjithë këtyre zhvillimeve, jeta e oficerëve të thjeshtë të policisë është bërë vetëm më sfiduese, çfarë tregon një indiferencë të ndjeshme nga krerët e Policisë ndaj përkushtimit, kontributit profesional dhe vetë mirëqënies së efektivëve të Policisë së Shtetit.
Autor: Redaksia INA
Nuk e la policinë as në vitin 1997, atëherë kur shumë oficerë e dorëzuan uniformën. Nuk e la, as kur i dogjën automjetin, që Munyr Muça e interpreton si një mesazh pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, me të cilin punoi në komisariatin e Kombinatit. Dyshoi në atë kohë për hetime të mangëta, që nga mosidentifikimi i gjurmëve papilare, deri te mosverifikimi i tabulateve telefonike, por sërish nuk e braktisi policinë, që e donte njësoj si familjen.
Në krye të 27 viteve në detyrë, kupa e komisarit Munyr Muça u mbush në tetor të vitit 2020, kur kuptoi se po këmbëngulte të bënte përpara në një rrugë pa krye. Vendosi ta lërë policinë dhe Shqipërinë.
“E mbylla me policinë. Sa shefa dhe drejtorë janë të inkriminuar dhe me dosje! Ata kanë lokale, makina luksoze dhe imagjino unë apo shumë policë si ne, që jemi të ndershëm, s`kemi bukë për të ngrënë”, – nis rrëfimin për INA MEDIA-n oficeri i karrierës, i cili është larguar drejt Britanisë së Madhe si emigrant dhe punon jashtë profesionit, që i kishte dedikuar jetën.
Për komisarin në polici ngritja në detyrë vijon nën ndikime politike, në varësi të palës që e merr pushtetin, ndonëse pati shpresë se diçka do ndryshonte nga viti 2013, ai ngeli oficer.
“Morën njerëz nga jeta civile dhe i bënë shefa, të rinj, që u bënë eprorët e mi”, – radhit mes problemeve me policinë dhe ato të çdo qeverisjeje, që ia lë stafetë ngërçin pasardhëses.
U largua, ashtu si vepruan qindra oficerë të tjerë, jo vetëm nga ata që në dekada mbetën policë të rolit bazë, pa patur shansin të ngrihen në karrierë, por edhe nga ata që e kundërshtuan eprorin për urdhra të paligjshëm.
“Në vitin 2018 aplikova për kryekomisar, që u bë dhe kursi i fundit për gradë. Shkuam atje dhe u ndërrua testi. Në vend që ne të plotësonim një formular me 100 pyetje, ku një pjesë duhej bërë me shkrim, nuk ndodhi. Aty fituan vetëm 12 veta”, – kujton komisari Munyr Muça, të cilit në atë kohë, kur Drejtor i Përgjithshëm ishte Ardi Veliu, iu dogj mundësia për ta fituar gradën që i takonte me ligj, jo vetëm një e drejtë, por edhe motivim për karrierën. Në fakt, edhe Ardi Veliu e mori gradën, pak ditë përpara se të emërohej Drejtor i Përgjithshëm, gjë e cila kishte ndodhur më herët edhe me paraardhësit e tij. Ky ndikim për të bërë shefa dhe drejtorë të paracaktuar, nuk është hetuar asnjëherë nga prokuroria. Në shkresat ekskluzive, që disponon INA MEDIA, rezulton se edhe një kallëzim i depozituar nga Muhamet Rrumbullaku, shef i asaj kohe në SHCBA (sot agjenci), për emërimin e dy oficerëve duke i ngjitur në karrierë në shpërdorim detyre, në kohën që ata ishin nën verifikim nga Drejtoria e Standardeve, u mosfillua nga prokuroria e kryeqytetit.
Por, ndryshe nga komisari Muça, që rezistoi 27 vite, Emiliano Nuhu shprehet për INA MEDIA-n se u arratis dhe kërkoi azil nën kushtet e rrezikut real. Pasi regjistroi denoncimin e Xhisiela Malokut kundër Rexhep Rrajës (djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja), u bind se disa kolegë të tij i regjistronin kallëzimet dhe nuk ishin në krahun e qytetarëve. Nuhu pretendon se denoncuesja u kërcënua në zyrën e njërit prej oficerëve dhe e njëjta gjë i ndodhi dhe atij.
Më 14 gusht 2018, oficeri Nuhu i dërgon një e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ku e vë në dijeni se ishte kërcënuar nga Redjan Rraja dhe Ramazan Rraja (nipi i ish-deputetit). Ky e-mail, i vënë në dispozicion të INA MEDIA-s, i tregon Veliut prova mbi policinë, që ai drejtonte asokohe.
“Duke marrë parasysh faktin që këta persona janë kontingjent dhe me tendenca të theksuara kriminale në vendosjen e lëndëve eksplozive në automjete dhe banesa, të pushtetshëm, impulsivë, lëvizin gjithmonë të armatosur, nuk goditen nga strukturat e policisë lokale, ndjehem i rrezikuar”, – i shkruan më tej Nuhu numrit një të policisë, Ardi Veliu.
Nuk mori asnjë përgjigje prej eprorit. Emiliano Nuhu thotë për Investigative Network Albania-n se reagimi ishte një urdhër që e transferonte atë në Berat.
“Thjesht u hakmorën, duke më larguar 100 km nga vendbanimi, sepse unë po vazhdoja detyrat që më kishte deleguar prokuroria dhe kjo ishte mënyra më e mirë për të rimarrë dosjen”, – thotë Nuhu për INA MEDIA-n, i cili kujton se më pas u referua për shpërdorim detyre në prokurori.
Ashtu si për Nuhun, që po ndjek nga azili zhvillimet se si policia e Krujës nuk veproi në kohë për një episod të dytë dhune të Rrajave, të cilët masakruan një qytetar, pasi denoncoi guroren e vëllait të deputetit socialist, Munyr Muça nënvizon se mospastrimi i policisë është një nga problemet kryesore të kësaj force.
Për të ishte e vështirë që të niste jetën e emigrantit në moshën 52-vjeçare, por Muça i kishte humbur të gjitha në atdhe, edhe shtëpinë që iu shemb për të ndërtuar një pallat.
“Sot jam 55 vjeç, kam përfunduar dy akademi të larta, tokësoren dhe të Rendit. Në vitin 1993 kam dalë për herë të parë komandant toge në Gardë. Në vitin 1994 kalova inspektor krimesh”, – kujton jo pa nostalgji komisari.
Si një njohës i të gjitha tranzicioneve në policinë shqiptare, ai thotë me zë të lartë se në polici nuk ecet pa mbështetje, aq më tepër kur ligjet dhe eprorët, që ndryshohen, prekin karrierën në polici, që sjell promovim pa meritokraci dhe që si pasojë ka ndikimin tek oficerët, por edhe te goditja e krimit.
“Ligji urdhëron që çdo vit në muajin shkurt të bëhet konfigurimi i gradave. Që nga viti 2012 e lart është hapur vetëm një herë. Unë isha i askujt, nuk futesha në radhën e pëlqimeve”, – thekson për INA MEDIA-n ish-komisari.
Policia e Shtetit pranon se që prej vitit 2013, 1.405 punonjës kanë hequr dorë nga karriera në polici, megjithatë raportet vjetore, të studiuara nga INA MEDIA, tregojnë se çdo vit janë liruar nga detyra mesatarisht 350 deri në 400 efektivë, të cilët zëvendësohen nga numri i përvitshëm dhe në rritje i të rekrutuarve si studentë. Policia e Shtetit përmend më tej për INA MEDIA-n se konkurrimi i fundit u hap vjeshtën e kaluar nga Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku.
“Konkurrimi për fitimin e gradës bëhet sipas nevojave që policia ka. Konkurrimi i fundit u bë në shtator për fitimin e gradës nënkomisar”, – përgjigjet institucioni i policisë.
Por, nga 10.599 punonjës, që duhet të jenë strukturë policore, aktualisht janë në detyrë vetëm 9.632 punonjës, çka do të thotë se policisë i mungojnë nga largimet deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi gati 1.000 efektivë.
Përjashtime… hakmarrje, ripranime dhe struktura që përsëriten
Numri limit i punonjësve të Policisë së Shtetit caktohet me Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 531, datë 28 korrik 2022. Duke llogaritur edhe punonjësit civilë, Policia e Shtetit duhet të ketë 11.834 punonjës, nga të cilët me gradë policore duhet të jenë 10.599 efektivë.
Sipas hulumtimit të INA MEDIA-s, Shqipëria numëron 231 policë për 100 mijë banorë. Komisariati digjital, i konsideruar si shtegu i ankesave të qytetarëve, jo vetëm për zhurmat dhe parkimet, aktualisht është jashtë funksionit nga një sulm kibernetik, nën hetim që prej vitit 2021.
“Telefonoja vazhdimisht sallën për lokalin poshtë, – kujton Drita, – banore në rrugën Komuna e Parisit. – I zoti i lokalit nuk e di nga e mori vesh që isha unë. I kërkova falje atij. Pastaj e zgjidha hallin. Dërgoja material në këtë rubrikën dhe policët kanë frikë, kur ua lë me prova. Shefat i kanë miq këta poshtë. Vinin dhe ua mbyllnin”, – ankohet e moshuara.
E përfshirë në eksperimente strukturash, që shkrihen pa rezultate, lëvizja më jetëshkurtër rezulton të jetë ajo e kthimit të RENEA-s në një komisariat (gjatë kohës së drejtimit të Policisë së Shtetit nga drejtori, Artan Didi), dhe që më pas u kthye në statusin historik të një reparti të forcave speciale, sikundër ndodh edhe me njësi të tilla të botë.
Por, kulmi i ndryshimeve strukturore ndodhi në kohën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu, që rezulton se e firmosi tri herë ndryshimin e strukturës së Policisë së Shtetit. OFL dhe FAST ishin dy struktura, që synonin bllokimin e pasurive të të rrezikshmëve dhe arrestimin e të shumëkërkuarve, të cilat rezultuan se u kthyen në fabrika vendesh pune.
Në shkresat që disponon INA MEDIA për çdo komisariat në vend gjatë kësaj kohe lëvizja më e çuditshme, e firmosur nga Veliu, u regjistrua në komisariatin e Hasit. Struktura e këtij komisariati, e përbërë nga 30 persona, kishte vetëm një agjent të hetimit të krimeve.
Një raport i Komisionit Hetimor të Kuvendit, i vitit 2014, që u ngrit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë lëvizjeve në Policinë e Shtetit, tregon se Policia e Shtetit ndër dekada vijon ta ketë të pazgjidhur stabilitetin në detyrë të oficerëve dhe promovimin e tyre. Me synimin që të vlerësonte lëvizjet, që ndodhën në polici, nga 15 shtatori 2013 deri më 31 janar 2014, atëherë kur Ministrinë e Brendshme e drejtonte Saimir Tahiri, komisioni u përpoq të sillte njëherazi problemin e ri-pranimeve në polici të disa ish-zyrtarëve të larguar përpara vitit 2014, si të dyshuar për veprimtari korruptive dhe implikime në aktivitete kriminale.
I thirrur nga komisioni hetimor mbi strukturën e re, të miratuar nga ish-ministri Tahiri, në tetor 2013, zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në atë kohë pranoi se asnjë nga drejtuesit e policisë nuk kishte propozuar ndryshime në strukturë.
Pas kësaj seance, Muhamet Rrumbullaku “u prek” nga struktura e re “TAHIRI”, pasi fillimisht iu kërkua të hiqte dorë nga grada e më tej e la policinë, për t`u kthyer në vitin 2019 në krye të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme (sot, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore). Nga ana tjetër, përgjegjësinë për shkrirjen e strukturave e pranoi pjesërisht Hysni Burgaj, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili po ashtu ishte ngritur në detyrë përpara vitit 2013, duke fituar disa grada njëherësh. Por, dokumentet e vëna në dispozicion të INA MEDIA-s tregojnë se rasti më tipik, që ilustron se si oficerët shtyhen që të heqin dorë nga grada, është ai i Edmond Rizait, në atë kohë kreu i Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar.
Ai është i vetmi oficer, i cili kundërshtoi lënien e gradës “Drejtues i Parë” dhe që pas këtij momenti u penalizua me ulje në gradë për 6 muaj, të cilën e kundërshtoi në gjykatë. Gjykata i dha të drejtë. Sipas investigimit të INA MEDIA-s, llogaritet që në total u larguan gjatë kësaj periudhe 403 punonjës policie, ndërkohë që u ri-pranuan 248 të tjerë, të cilët po ashtu në çastin e largimit nga detyra kishin grada drejtuese.
Nga një monitorim në website-in www.gjykataelartë.gov.al konstatohet se largimet e pjesës dërrmuese të oficerëve janë kthyer për rigjykim në Gjykatën e Apelit, ku përfshihen edhe oficerë të përjashtuar, se nuk kishin monitoruar territorin për lojërat e fatit. Apeli është e njëjta gjykatë, që ka shpallur dhe ka njëherazi nën shqyrtim fitimin e gradave pa konkurrim, që urdhërohet nga Ligji i Policisë së Shtetit. Fituesit e gradave gjyqësore i morën ato sipas pozicionit ku ishin caktuar, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta, në këto detyra duheshin kryer emërime sipas gradave.
Mes dy anëve të një realiteti të paqëndrueshëm për policinë, një betejë për karrierën e kreu edhe ish-zv/Drejtoresha e Përgjithshme për Formimin Policor, Anila Rumano Hoxha, që po bëhet gati për ta përcjellë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
“Me një urdhër të Saimir Tahirit, nëpërmjet organikës së re të Policisë së Shtetit departamenti u shkri dhe kësisoj edhe pozicioni i drejtuesit, duke nxjerrë një urdhër të kundërligjshëm që më largoi nga radhët e Policisë së Shtetit. Them i kundërligjshëm, sepse në Ligjin për Policinë e Shtetit punonjësit të Policisë së Shtetit i garantohet pozicion i ri në gradën që ka patur ose një gradë më poshtë, sipas mundësisë së sistemimit. Në rastin tim, jo vetëm që m`u ndërpre mandati si drejtuese e departamentit, që edhe në këtë rast është e parashikuar, kur ndërpritet mandati i drejtuesit të departamentit, por edhe këto veprimet e mësipërme nuk u ndërmorën; as nuk u thirra, as nuk m`u ofrua vend pune, por direkt largim nga Policia e Shtetit”, – kujton ish-zyrtarja.
Rumano e fitoi çështjen në Gjykatë të Lartë, e cila i dha të drejtë, e gjeti vendimin e ish-ministrit Tahiri të jashtëligjshëm dhe i dha edhe shpërblim page deri në përfundim të mandatit, në janar 2016. Por, pavarësisht këtij vendimi, në momentin kur ajo kërkoi nxjerrjen e një urdhri të ligjshëm, Policia e Shtetit refuzoi.
“Më 20 nëntor të vitit 2015 i çova kërkesë Drejtorisë së Policisë, duke e rikujtuar se në datën 5 janar më përfundonte afati i qëndrimit sipas mandatit. Kërkova nxjerrjen e një urdhri të ligjshëm për largimin tim nga Policia e Shtetit dhe kërkova dhe trajtimin financiar si oficere e Policisë së Shtetit. Ata nuk ranë dakord. Iu drejtova edhe ministrit të Brendshëm dhe nuk gjeta zgjidhje”, – shprehet ajo.
“Pas kësaj hapa një gjyq tjetër, duke kërkuar nxjerrjen e një urdhri të ligjshëm lirimi, pasi e pashë të pamundur disponueshmërinë e tyre për të më kthyer në polici”.
Në Shkallën e Dytë zonja Rumano fitoi pas tetë seancave të hapura, me vendim nga kjo e fundit se Policia e Shtetit duhet të nxirrte një urdhër lirimi dhe plotësim detyrimesh financiare.
“Gjykatës së Lartë iu kërkua nga policia moszbatim i vendimit të Gjykatës së Apelit, me arsyetimin se zbatimi i këtij vendimi përbënte një precedent të rrezikshëm”, – thotë Rumano për INA MEDIA-n, e cila nga kjo gjykatë mori përgjigjen se “çështja ishte gjykuar tashmë” dhe asaj nuk i lindte asnjë e drejtë.
Në një përgjigje zyrtare për INA MEDIA-n, Policia e Shtetit pranon se që prej vitit 2013 e deri në momentet e publikimit të artikullit janë shkarkuar 783 punonjës policie, nga të cilët 197 të nivelit të mesëm dhe drejtues dhe 586 punonjës policie të nivelit zbatues.
“Për të njëjtën periudhë kohore rezulton se janë ndryshuar katër drejtorë të përgjithshëm, Artan Didi, Haki Çako, Ardi Veliu dhe Gledis Nano. Kulmi u arrit me Haki Çakon, i cili gjatë mbajtjes së mandatit u pezullua nga detyra si i dyshuar për shpërdorim detyre për skandalin e IMSI Catcher, i sjellë në Shqipëri pas një marrëveshjeje dypalëshe midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
Shkresat që disponon INA MEDIA tregojnë se kjo masë e sigurisë personale qëndroi në fuqi vetëm 10 ditë, duke u shfuqizuar nga Apeli. Përballë këmbënguljes së Çakos se pajisja, që gjurmonte Imeit e telefonave celularë, nuk ishte përdorur në Shqipëri, prokuroria gjeti të dhëna që tregonin se në të paktën dy raste automjeti me IMSI Catcher ka qenë në posedim nga polici Entiol Xhelili (edhe ky i larguar tashmë nga Shqipëria). Hetimi u pezullua për numrin një të policisë dhe disa vartës dhe vijon të ketë këtë status në pritje të letërporosive nga drejtësia italiane.
Muhamet Rrumbullaku, drejtori aktual i Policisë së Shtetit, kaloi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në krye të uniformave blu. Në AMP ai u zëvendësua nga Veliu, i cili drejton, jo vetëm AMP, por edhe procesin e vetting-ut në radhët e policisë.
Nga një vëzhgim i INA MEDIA-s në website-in www.kjv.al për gjetjet e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për vendimet që duhet të ishin bërë publike, këto vendime nuk ishte e mundur që të aksesoheshin. Në website-in amp.gov.al, në rubrikën “Vettingu në polici” rezulton i publikuar vetëm një vendim që mban datën 26 maj 2023, ndërkohë njoftimet për seancë vetting-u janë të paaksesueshme, pasi aty shkruhet: “Kjo rubrikë nuk ekziston”.
Si një institucion që inspekton policinë, AMP drejtohet nga Ardi Veliu, që sipas Curriculum Vitae, të publikuar në website-in zyrtar, rezulton se u rikthye në polici pas vitit 2013, 7 vite pasi kishte shërbyer në Policinë Bashkiake të Vlorës. Ai u katapultua në disa drejtori vendore, derisa 10 ditë përpara se të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mori gradën e Drejtuesit të Parë.
Si edhe të mëparshmit, Veliu nuk e përfundoi mandatin, pas shumë çështjesh të rënda për rendin, si vrasja e Klodian Rashës, për të cilën tre vjet më vonë zëdhënësi i policisë, Gent Mullai, pranoi se policia gaboi, kur tha se arma e gjetur në një rrugë i përkiste të ndjerit.
“Ne e thamë këtë gjë bazuar në informacionin paraprak, që morën nga punonjësi i policisë”, – deklaroi Mullai më 5 korrik 2023. Por, çështja e pistoletës Glock nuk u hetua asnjëherë nga Prokuroria për falsifikim të vendngjarjes, me synimin që në opinion të ngrihej pista se policia e qëlloi për vdekje të ndjerin, pasi ai ishte i armatosur. Edhe kjo çështje vazhdon të jetë e pezulluar.
Një tjetër vendngjarje “u prish” pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, më datë 21 prill 2021. Ndryshe nga sa deklaroi ish-Drejtori i Përgjithshëm, Veliu, fill pas vrasjes, se në vendngjarje nuk u gjetën prova për shitblerjen e votës, Arjan Hoxha, njëri nga të vetëshpallurit si vullnetarë të mbrojtjes së votës, këmbëngulte se personi, që bllokuan në një mjet (drejtuar nga Mehmet Greca), kishte lista emërore.
Prokuroria dhe gjykata e vërtetuan këtë dëshmi dhe gjatë masës së sigurisë ndaj gjashtë efektivëve, dy prej tyre zëvendësdrejtorë, u ngritën akuzat e shpërdorimit të detyrës. Hetimi provoi se Drejtori i Përgjithshëm nuk kishte thënë të vërtetën, jo vetëm mbi krimin elektoral, por edhe mbi mosveprimet e policisë, e cila, pavarësisht se gjendej përballë një denoncimi, nuk veproi dhe nuk i shoqëroi palët, mes tyre edhe të kallëzuarin, Greca.
“U gjetën 5 fletë me lista emrash dhe ID, 17 fletë formati, kopje kartash identiteti dhe pasaporta biometrike, 5 gjurmë-kopjues, formular patronazhi me emrin Met Dafllaku”, – përmendet në vendim, pikërisht e kundërta e asaj që këmbëngulte drejtori Veliu.
Megjithatë, ai tanimë drejton Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, si institucioni që kontrollon paligjshmëritë dhe etikën në Policinë e Shtetit.
Probleme të theksuara në komunikimin e brendshëm. Tradhtohen efektivët
Në një intervistë ekskluzive për INA MEDIA -n dhe në kushtet e anonimitetit, një oficer policie rrëfen se si u la në baltë nga eprorët më të lartë. Ai tregon se si shumë prej tyre druhen të hedhin të dhëna në MEMEX, ndryshe Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal për të dhëna sekrete mbi çdo të dyshuar me ngarkesa kriminale. Oficeri shërben në Elbasan dhe akuzon se policët druheshin të shkruanin aty për grupet kriminale, pasi, sipas tij, disa herë informacioni SK2 ka dalë jashtë policisë. Kjo i ka vënë ata në pozita rreziku.
Oficeri e nis dëshminë e tij, duke thënë se mban mend një rast, në të cilin kishte marrë informacion në lidhje me shtetasin në kërkim, Talo Çela.
“Informacioni në fjalë kishte të bënte me vendndodhjen e saktë të këtij personi në kërkim, personat që e shoqëronin, ku strehohej, tipin e automjetit, targën e automjetit dhe fotot e automjetit. Ky informacion nga ana ime nuk u hodh në MEMEX dhe ky informacion i shkoi direkt drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ndërkohë që ne, personat e dedikuar për luftën ndaj krimit, prisnim ndonjë lëvizje të shpejtë me qëllim kapjen e personit në kërkim, asnjëherë nuk morëm përgjigje apo dijeni.”
Ai me keqardhje shprehet se, nëse informacioni do të ishte përdorur në kohë reale, ai do pasohej me info të tjera mbi lëvizjet e Talo Çelës, të cilat mund të rezultonin në arrestimin e tij; por ky nuk është një problem i izoluar.
Një shkresë e vitit 2021, që INA MEDIA disponon, radhit probleme të tjera po aq të rënda, sikurse është mbajtja e informacioneve nga eprorët.
“Për ngjarjet e rënda, zëvendësdrejtorët dhe vartësit e tyre nuk informojnë në kohë reale sektorët dhe drejtoritë qendrore sipas linjave. Shpeshherë informacionet merren nga mediat ose rrjetet sociale. Fillimi i operacioneve me “Hetim në Mbulim” nis mbi bazën e informacioneve të pasakta. Ky fenomen në shumë raste ka çuar në ndërprerjen e Operacioneve në Mbulim, të cilat, përveç riskut të lartë të punonjësit të policisë, shoqërohen edhe me kosto të konsiderueshme financiare. Informacionet e ardhura nga DVP-të për miratimin e përgjimeve parandaluese nuk iu përmbahen kërkesave të ligjit Nr. 69/2017. Në përgjimet parandaluese në shumë raste rezulton që numrat telefonikë për subjektet nuk rezultojnë aktivë”, – përmendet në shkresë, ku tregohen problemet e pazgjidhura në polici.
Edhe RENEA, me dyshime për dekonspirime
A.T, (emri dhe inicialet e oficerit janë ndryshuar për efekt të ruajtjes së identitetit të tij), ishte nga ata oficerë të rinj, që mund të kishte patur të ardhme në Policinë e Shtetit. Pas një kohe të shkurtër si polic i Shqiponjave në Tiranë, oficeri, i frymëzuar për rendin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve, konkurroi dhe u bë pjesë e repartit elitar RENEA, por karriera e tij nuk zgjati shumë. Dy operacione të njëpasnjëshme, ku ai pa një realitet të ndryshëm nga pasioni për ligjin, si dhe dyshimet se efektivët tradhtohen nga brenda radhëve, e çuan drejt dorëheqjes së parevokueshme nga Policia e Shtetit.
Ishte viti 2020, kur RENEA u urdhërua të kontrollonte befasisht bizneset e Ervis Martinajt, në atë kohë një emër i pandëshkueshëm dhe i fuqishëm. A. T., e kishin mësuar se, kur RENEA hyn për kontrolle dhe për kapjen e personave të rrezikshëm, parimi i sigurisë, që zbatohet, është shtrirja barkas dhe prangosja e kujtdo. Ky ishte standardi, që po ndiqte atë ditë polici i ri, kur i armatosur dhe me maskë rasti e solli që ai të urdhëronte të ulej në tokë vetë Ervis Martinajn.
Kur efektivi i specialëve u ndesh me kundërshti, reagoi, duke e shtrirë me forcë dhe në një moment shokët e tij panë, kur në aksion e sipër e qëlloi me shuplakë të njohurin si mbreti i lojërave të fatit, por ajo që pa A. T., pak minuta më vonë e shembi profesionalisht. Ai vërejti disa eprorë të tij, duke ngushëlluar Ervis Martinajn, duke e qetësuar me fjalët: “Mos u mërzit”.
Nën anonimitet, miqtë e A. T., oficerë në RENEA, flasin për INA MEDIA-n mbi pikën e thyerjes së ish-policit, që tani shërben si profesor në një fakultet.
“Pas këtij momenti, ne vazhduam kontrollet e vërejtëm G. M., të shtangur nga skena e gatishmërisë së disa eprorëve. Na mblodhi më pas dhe deklaroi: “Do ta lë policinë. Kjo polici nuk është ajo që unë doja”.
Mes policëve të repartit special kishte kohë që gumëzhinin thashethemet, nëse tradhtoheshin apo jo nga vetë radhët e tyre apo nga kush. Me dyshimet se u dekonspiruan, aksionet e dështuara ndër vite e kthyen RENEA-n pa të kërkuarit Gëzim Çela, ish-oficer policie, i dyshuar si trafikant, Talo Çela, Klement Balili dhe Ervis Martinaj.
Një nga efektivët veteranë në RENEA shton: “Hera e parë, kur mbërritëm për kontroll blic në Fushë Kuqe, ishte pas një informacioni se aty ishte rrahur një kryetar bashkie nga veriu i vendit. Ai kishte luajtur bixhoz dhe kishte humbur shumë. U bë briefing dhe u nisëm. I neutralizuam dhe i mbajtëm shtrirë edhe klientët. Aty gjetëm makina luksoze dhe çelësat në kuadër. Më vonë mësuam se aty kishin qenë Bajrat dhe ishin larguar, pa mbërritur ne. E kuptuam që dikush kishte njoftuar dhe të gjithë kishin ikur. Ervis Martinajn e çuam në policinë lokale bashkë me mjetin e blinduar dhe më pas ai doli”, – kujton ngjarjen e para tre viteve oficeri.
Disa me mjete luksoze, disa me hekurishte, shpenzimet abuzive nuk ndalojnë
Në shkresat që disponon INA MEDIA rezulton se çështja e automjeteve për policinë realisht është një histori e përsëritur. Në një nga auditimet e urdhëruara nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, vërehet se si policia lëviz me automjete me qira dhe për çdo kilometër shtesë faturohet 0.5 euro/km. Dëmi i shkaktuar shtetit rezulton në shumën 1,877,425 euro.
“Në Tiranë konstatohet se 48 mjete, të cilat janë marrë me qira operacionale, sipas kontratës me nr. 17/4, datë 19.06.2017, rezultojnë me tejkalim të limiteve kilometrike në shumën 3.754.850 km, krahasuar me limitet e përcaktuara në pikën 7.7 të Kontratës nr. 17/4, datë 19.06.2017.
Për tejkalimin e kilometrave, bazuar në formularin e ofertës, çdo kilometër shtesë, i realizuar do të faturohet me 0.5 euro/km, për rrjedhojë është shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në shumën 1,877,425 euro”, – përmendet në auditim, i cili ende nuk është bërë pjesë e fashikujve hetimorë.
Por, ndërkohë që Policia e Shtetit paguan shifra marramendëse për automjetet e patrullave dhe funksionarëve të lartë, reparti RENEA mbetet sërish me automjete të përshtatura.
Në kushtet e anonimitetit oficeri rrëfen se si u prek edhe elita policore, deri aty sa edhe mjetet për aksione rezultojnë të përshtatura. Mjetet u dorëzuan, në kohën kur Ministrinë e Brendshme e drejtonte Sandër Lleshaj dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë ishte z. Ardi Veliu.
“RENEA sot shkon në vendngjarje me Ford Transit, me kalueshmëri të lartë, por që nuk kanë qenë të dizajnuar për pasagjerë. Kanë qenë furgonë mallrash. Ne me njëri-tjetrin, që rrimë ngjit e ngjit, i quajmë furgonë patatesh”, – shpjegon oficeri për INA MEDIA-n; por, kur ai së bashku me kolegët e tij e ngritën këtë problematikë pranë eprorëve, thotë se morën përgjigjen: “O këto mjete, ose ecni, rrini te pisha”, një eufemizëm, që nënkuptonte pemën e dikurshme përballë Ministrisë së Brendshme, poshtë së cilës prisnin për t`u rimarrë në detyrë oficerët e shkarkuar.
A ka zgjidhje?
Në emigrim, po si një ish-oficer, i cili e do ende forcën e policisë, Munyr Muça thotë se ka nevojë për ndërhyrje të thella, duke filluar me kontrollin faktik të uniformave blu e duke vijuar edhe me uljen e volumit të aktiviteteve të oficerëve të policisë.
“Policia kontrollon parkimet e gabuara, ndërtimet pa leje, depozitat e ujit, muzikën në lokale. E imagjinoni dot, sa kohë dhe energji humbet me këto probleme. Policët merren me çështje volumi dhe jo me kriminalitetin. Kontrollin e territorit për drogën nuk mund ta bëjë vetëm një inspektor i Vaqarrit, për shembull. Është e pamundur, t`ia lësh vetëm inspektorit të zonës”.
Duke numëruar problemet, Muça vlerëson si problem mungesën e hetimeve reale.
“Sa raste keni, që ata turren dhe mbledhin policë? Më gjej një rast, që është hetuar një shef komisariati apo drejtor prej tyre, që të penalizohet. Penalizohen vetëm komandantët dhe ata me grada jo-drejtuese. Më gjeni një inspektor, që është ngritur në detyrë; një ndër më të mirët, që, pasi ka zbuluar një krim, i kanë dhënë gradë, e kanë dekoruar…”, – shtron pyetjet retorike ish-komisari Muça.
Njësoj mendon dhe Klodian Xhaferri, i diplomuar në Turqi dhe i hyrë në radhët e policisë pas vitit 2013. Karriera i zgjati pak. Këmbëngul për INA MEDIA-n se e la policinë, duke ikur jashtë vendit dhe se nuk janë pak ata që janë zhgënjyer.
“Është një shprehje, që shefat e komisariatit e përdorin shpesh: “E di unë!”. Dhe eprori ka fuqi të plotë te vartësi, tek oficeri i Policisë Gjyqësore, që varet prej tij dhe ndodh kështu: me urdhër të shefit, kur është për t`u arrestuar, nuk e arrestojnë, kur nuk duhet arrestuar, e arrestojnë. E ka fuqinë e plotë shefi i komisariatit, sepse kanë krahët e ngrohta, për të dhënë urdhra”, – thotë prerë Xhaferri.
Ai i shpjegon INA MEDIA-s se konflikti me eprorët filloi, sepse refuzoi të kryente arrestim pa procedurë.
“Por rregulli është që oficeri duhet të komunikojë me prokurorin, kur bëhet procedura e ndalimit. Në fakt, ndalimi bëhet me urdhër apo sipas dëshirës së shefit të komisariatit. Kam patur rast për thyerje banese, apo për vjedhjen e një pako kafeje, apo për vjedhjen e një kanoçeje me pije energjike, kur shefi thoshte: “Arrestoje” dhe, në momentin që dilte ky debat, komunikoja me prokurorin dhe këtu më nisën problemet, debatet. Sepse, punonjësi i policisë nuk ka ku e shtron problemin, në momentin që nuk ka mbështetje. Problemi yt nuk dëgjohet në asnjë vend dhe automatikisht do kesh përplasje. Në këto rrethana, kur prish rreshtat, të transferojnë. Dorëzova fletën e shkëputjes nga puna dhe ika nga Shqipëria i zhgënjyer”, – nënvizon ish-oficeri i policisë.
Ndër vite reformat kanë qenë të shumta, lëvizjet mes rangjeve drejtuese akoma edhe më të shumta, shpeshherë duke shkelur Ligjin e Policisë së Shtetit dhe duke bërë favore me alokimin e gradave të shumëfishta për të parapëlqyerit e politikës; kontratat për mjetet dhe pajisjet e Forcave kanë qenë të shumta, shpeshherë me shkelje të ligjit dhe dosje hetimore, që kanë prodhuar skandale të bujshme, por jeta e oficerit të thjeshtë të policisë vetëm sa është vështirësuar, duke treguar se vlera e mundit, e karrierës së këtij të fundit në sytë e eprorëve është tejet e ulët.
Discussion about this post