Sonila Qato dhe vartësit e saj akuzohen nga SPAK se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë, por ish-drejtoresha e ARRSH-së këmbëngul se ka zbatuar ligjin dhe se akuzat e saj ndaj koncesionarit të Rrugës së Arbrit do të faktohen në gjykatë.
Në shtator të vitit 2019, ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Sonila Qato sulmoi publikisht kompaninë koncesionare më të madhe shqiptare në ndërtimin e rrugëve, “Gjoka Konstruksion”, duke e akuzuar se kishte përdorur të dhëna të rreme gjatë aplikimit për një tender me fond limit 19.3 milionë euro.
Akuzat u bënë të ndërsjella pasi “Gjoka Konstruksion”, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët, akuzoi Qaton se kishte manipuluar procedurat e tenderit duke favorizuar një prej bashkimeve të operatorëve konkurrues, që kishte një ofertë rreth 4 milionë euro më të lartë.
Po ashtu, “Gjoka Konstruksion” depozitoi dhe një kallëzim penal në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, që pas shkrirjes së këtij institucioni hetimet u vijuan nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Kjo situatë solli edhe dorëheqjen e Qatos në shtator të 2019-ës. Pas rreth tre vjet e gjysmë hetimesh, SPK ka çuar për gjykim si të pandehur Sonila Qaton dhe 9 vartës të saj për akuzat e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
SPAK e akuzon Qaton dhe vartësit e saj për shtyrjen e afateve të tenderit për favorizimin e një bashkimi operatorësh të përbërë nga kompanitë Ircop S.p.a. & Sulova Ndërtim Prodhim & Vega & A&E Engineering, të cilët kishin dorëzuar ofertë me vlerë më të lartë financiare dhe skualifikimin e të gjithë operatorëve të tjerë.
Sipas SPAK, pas bashkimit të operatorëve të shpallur fitues qëndron në hije kompania e ndërtimit “Vëllezërit Hysa”, e cila në atë periudhë po ndiqej penalisht për abuzime me kontratën e ndërtimit të rrugës së Elbasan-Gjinar.
Gjithashtu, sipas SPAK, autoriteti kontraktor ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifkimin e saj nga tenderi. Madje, ARRSH-ja nuk i është bindur vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik që e ka cilësuar të padrejtë skualifikimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, historia e tenderit të tunelit të Skërficës nuk është vetëm përsëritja në pafundësi e skemave të abuzimit me ligjin por, njëkohësisht, edhe një dëshmi mbi betejën brenda kupolës së kompanive që fitojnë shumicën dërrmuese të koncesioneve dhe tenderave.
“Abuzimet në rrugën Kardhiq-Delvinë janë një tjetër kapitull në librin voluminoz të abuzimeve me koncesionet, tenderat edhe PPP-të, pasoja e të cilave janë qindra miliona euro abuzime në buxhetin e shtetit”, tha ajo.
Në një intervistë për BIRN, ish-drejtuesja e ARRSH-së, Sonila Qato, mohoi akuzat e Prokurorisë Speciale dhe theksoi se gjatë procedurës së tenderimit kishte ndjekur procedurat ligjore.
“Çdo veprim që kam bërë në atë kohë e kam bërë se e kam besuar në faktin që gjërat duhet të shkonin në zbatim të ligjit”, tha Qato. “Ndaj them që kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin në këtë aspekt”, shtoi ajo.
Ndërkohë, në lidhje me vendimin për ngritjen e grupit të punës për verifikimin e punimeve të kompanisë “Gjoka Konstruksion” në kontratën koncesionare të Rrugës së Arbrit, Qato i tha BIRN se nuk ishin falsifikuar dokumente dhe se gjatë hetimit gjyqësor do të zbardhej e vërteta.
“Është një veprim që edhe sot që kanë kaluar katër vite, do ta realizoja prapë”, tha ajo. “Sepse e ndiej si detyrë të çdo titullari për të verifikuar dokumentacionin që atij i vjen, aq më tepër atëherë kur bëhet fjalë për përdorimin e fondeve publike, në lidhje me transparencën, barazinë në tender, në lidhje me interesin publik”, shtoi Qato.
Favorizim e përndjekje
Më 24 prill 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka protokolluar urdhrin e prokurimit për kryerjen e tenderit me procedurë të hapur me objekt “Ndërtimi i rrugës ‘Kardhiq-Delvinë’, loti 7”, me fond limit 2 miliardë e 799 milionë lekë me TVSH (19.3 milionë euro).
Njësia e prokurimit e ngritur për këtë qëllim përbëhej nga të pandehurit Miranda Shkurti, Admir Pahumi dhe Nikollaq Mihali. Ata kanë hartuar “Dokumentet Standarde të Tenderit” dhe kanë kryer publikimin në Agjencinë e Prokurimit Publik, duke përcaktuar si afat për dorëzimin e ofertave dhe kërkesave për të marrë pjesë në tender datën 27 maj 2019, ora 11:00. Sipas prokurorisë, pa pasur ndonjë shkak ligjor, është vendosur shtyrja e dorëzimit të ofertave deri në datën 7 qershor 2019.
Në vijim, njësia e prokurimit ka kryer ndryshimin e Dokumenteve Standarde të Tenderit dhe ka vendosur sërish shtyrjen e dorëzimit të ofertave deri më 17 qershor 2019. Po në këtë datë është ngritur Komisioni Vlerësimit të Ofertave, KVO, me kryetare Elona Gogon dhe anëtarë Erdit Salillarin dhe Astrit Ndreun, që kanë kryer verifikimin në sistem të operatorëve ekonomikë ofertues që ishin gjashtë bashkime shoqërish.
Oferta më e ulët ishte ajo e paraqitur nga bashkimi i operatorëve “Gjoka Konstruksion & Cobial & Gr Albania & Geoportal”, me çmimin total pa TVSH në vlerën 1 miliard e 789 milionë lekë. Ndërsa oferta më e lartë ishte ajo e bashkimit të operatorëve “IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim & Vega & A&E Engineering”, me çmimin total pa TVSH në vlerën 2 miliardë e 299 milionë lekë.
Me një urdhër të datës 20 qershor 2019 është ndryshuar një prej anëtarëve të KVO-së, Astrit Ndreu, i cili është zëvendësuar nga Simon Prendi. Po në atë ditë, KVO-ja ka vendosur të kualifikojë si fitues bashkimin e operatorëve “IRCOP etj…”, me ofertën më të lartë. Të gjithë ofertuesit e tjerë janë skualifikuar.
Lidhur me skualifikimin e bashkimit të kompanive “Gjoka Konstruksion, etj….”, KVO ka argumentuar se ata janë kontraktorë me ARRSH-në për lotin 4 të kësaj rruge, por se nuk janë përfunduar 70% e punimeve të kontraktuara, që përbëjnë shkak për skualifikim të çdo operatori që paraqet një problem të tillë. Po ashtu, ka konstatuar se nuk ka paguar detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëmarrësit, duke e vlerësuar si tjetër shkak për skualifikim.
Pas ankesës së “Gjoka Konstruksion” dhe disa operatorëve të tjerë, ARRSH ka vendosur pezullimin e procedurës së prokurimit, por në vijim nuk e ka pranuar pretendimin e kësaj kompanie.
“Gjoka Konstruksion” ka ushtruar ankimim dhe te Komisioni i Prokurimit Publik që ka vendosur pezullimin e procedurës dhe shqyrtimin e saj në themel. Pas dërgimit të informacionit për procedurën e prokurimit nga ana e ARRSH-së, Komisioni i Prokurimit Publik ka gjetur të pabazuara shkaqet e skualifikimit të kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe ka vendosur të pranojë ankesën e saj duke anuluar vendimin e KVO-së.
Por ARRSH-ja ka këmbëngulur në vendimmarrjen e saj, duke vijuar të gjejë të tjera probleme. Më 9 gusht, kryetarja e KVO-së, Elona Gogo, i ka kërkuar Qatos që të verifikojë realizimin e punimeve të ngjashme të kryera nga “Gjoka Konstruksion” në projekte të tjera.
Katër ditë më vonë, ARRSH ngriti grupin e punës për verifikimin e zbatimit të punimeve që “Gjoka Konstruksion” ka kryer në Rrugën e Arbrit dhe konkludoi se tunelet në ndërtim ishin të papërfunduar. Bazuar në këtë të dhënë, si dhe në vlerësime ligjore në zbatim të legjislacionit për Prokurimin Publik, ARRSH-ja i kërkoi Komisionit të Prokurimit Publik që të rishikonte vendimin. Komisioni nuk e pranoi këtë kërkesë të ARRSH-së dhe, në përfundim, “Gjoka Konstruksion” dhe operatorët në të njëjtin bashkim, janë renditur të parët.
Më 30 gusht 2019, operatori “Sulova Ndërtim Prodhim”, pjesë e bashkimit të operatorëve me ofertën më të lartë që u shpallën fillimisht si fitues nga KVO-ja, ka ankimuar tek ARRSH-ja vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, duke kërkuar që “Gjoka Konstruksion” të skualifikohet se nuk përmbush kriterin e punëve të ngjashme. Po atë ditë, ARRSH-ja ka vendosur pezullimin e procedurës së prokurimit dhe është ngritur komisioni i shqyrtimit të ankesës. Qato ka pranuar ankesën e kompanisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, duke skualifikuar ofertën e paraqitur nga “Gjoka Konstruksion” e të tjerë.
Në këtë vendim, ARRSH i është referuar raportit të inspektimit të 20 gushtit 2019, megjithëse nuk është gjendur bashkëlidhur ndonjë raport i mbajtur për këtë qëllim nga komisioni.
Më datë 2 shtator, KVO ka kryer renditjen përfundimtare duke vendosur të parin bashkimin e operatorëve “IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim etj….”.
Katër ditë më vonë “Gjoka Konstruksion” ka bërë sërish ankesë pranë ARRSH, por ajo i është rrëzuar më 12 shtator.
Sipas prokurorisë, nga shqyrtimi i të gjithë dokumentacionit të administruar nga ana e ARRSH-së dhe ish-drejtoresha Sonila Qato, janë konstatuar një sërë veprimesh të kryera në kundërshtim me ligjin.
SPAK konstaton se më datë 24 prill 2019 janë hartuar njëkohësisht urdhri i prokurimit, Dokumentet Standarde të Tenderit të cilat edhe janë publikuar, si dhe është mbajtur procesverbali. Sipas prokurorisë, këto veprime janë qartazi fiktive, pasi për hartimin e Dokumenteve Standarde të Tenderit duhet kohë për shkak se nevojitet të studiohen termat e referencës dhe të kryhet preventiv paraprak.
Nga hetimi ka rezultuar se konkurrenti “B.O.E. IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim etj…” është pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit në Shqipëri pikërisht në ditën e caktuar për hapjen e ofertave. Nisur dhe nga fakti se shtyrja e afatit të procedurës nga njësia e prokurimit është kryer tej afateve të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, SPAK vlerëson se këto rrethana provojnë edhe arsyen reale të shtyrjes së këtij tenderi, atë të favorizimit të bashkimit të operatorëve “B.O.E. IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim etj…”, që të mund të siguronte dokumentet e nevojshme për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit.
Në vijim, SPAK konstaton standarde të ndryshme të ARRSH-së në lidhje me vlerësimin e kritereve të operatorëve që kanë marrë pjesë në tender.
“E ndërsa në lidhje me operatorët ekonomikë të skualifikuar KVO ka arsyetuar sa i takon shkaqeve që e çuan atë në skualifikimin e operatorëve, në rastin e bashkimit të operatorëve të vetëm të kualifikuar dhe që u shpallën fitues nuk gjejmë as edhe një rresht të vetëm se si ky bashkim operatorësh ekonomik i plotëson këto kritere”, argumenton prokuroria dhe e cilëson këtë veprim të KVO-së të kuptueshëm dhe rrjedhojë të dashjes së tyre direkte për të kualifikuar dhe shpallur me çdo kusht fitues bashkimin e operatorëve “IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim etj…”.
Nga hetimet evidentohet se KVO e ka marrë këtë vendim megjithëse diferenca mes ofertës ekonomike të paraqitur nga “Gjoka Konstruksion etj…” ishte dukshëm shumë më ekonomike se ajo e “IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim etj…”.
Nisur nga fakti se KVO nuk ka bërë analizë të dokumenteve të “IRCOP & Sulova Ndërtim Prodhim etj…”, një gjë të tillë e ka kryer prokuroria, prej nga janë konstatuar probleme – konkretisht se nuk ka qenë i përmbushur kriteri i shlyerjes së gjithë detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike, shkak i mjaftueshëm për skualifikim.
Po ashtu, ka rezultuar se IRCOP nuk ka disponuar mjetet dhe pajisjet teknike të nevojshme për realizimin e kontratës, por ka lidhur kontrata qiraje për mjetet. Edhe operatori ekonomik “A&E Engenering”, pjesë e këtij bashkimi, ka rezultuar se nuk ka paraqitur dokumentet në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit.
Prokuroria ka gjetur se KVO ka kryer verifikim lidhur me ecurinë e punëve të ngjashme vetëm për shoqërinë “Gjoka Konstruksion”. Urdhrat për ngritjen e grupeve të punës për verifikimin e këtij kriteri ka rezultuar se nuk janë ngritur siç e parashikon ligji, pasi për shqyrtimin e ankesave duhet të ngrihet Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave.
Anëtarët e grupit të punës për verifikimin e tuneleve në rrugën e Arbrit, Arbër Toska, Simon Prendi, Almir Hoxha dhe Mimoza Hasanaj akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve”. Ata, sipas SPAK, kanë përgatitur në të njëjtën ditë dy raporte që ndryshojnë nga përmbajtja.
Përmbajtja e këtyre raporteve ka rezultuar në kundërshtim edhe me dokumentacionin e dorëzuar nga ana e bashkimit të operatorëve “Gjoka Konstruksion”, si dhe janë tërësisht të ndryshme nga të dhënat e përftuara nga procesverbali i këqyrjes së realizuar nga Policia Gjyqësore apo dhe aktit të ekspertimit të kryer nga ana e ekspertëve të caktuar nga SPAK.
SPAK konstaton, ndër të tjera, se i pandehuri Simon Prendi ka qenë njëkohësisht anëtar i KVO-së dhe i grupit të punës, duke u gjendur në situatë të hapur konflikti interesi.
Po ashtu, është gjetur si problem caktimi i të pandehurit Almir Hoxha si anëtar i Komisionit të Shqyrtimit të Ofertave dhe njëkohësisht si anëtar i grupit të punës.
Sipas prokurorisë, nisur nga qëndrimi i KVO-së dhe i drejtoreshës së ARRSH-së, Sonila Qato, si dhe konkluzioneve të grupeve të punës dhe vendimmarrjes përfundimtare të këtij autoriteti kontraktor, rezulton qartë se gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi janë mbajtur dy standarde. Nga njëra anë është favorizuar dukshëm bashkimi i operatorëve “Sulova Ndërtim Prodhim & IRCOP SPA etj…” dhe nga ana tjetër një diskriminim, madje një përndjekje e shoqërisë “Gjoka Konstruksion etj…”.
Administratori i “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka, u shpreh për BIRN nëpërmjet një komunikimi në aplikacionin WhatsApp se në procedurën e këtij tenderi kishin ndjekur të gjitha rrugët ligjore.
“E rëndësishme për ne është se në finale u vërtetua që kishim të drejtë”, shkroi ai.
Edhe ish-drejtorja e ARRSH-së, Sonila Qato, shprehet e ka bindjen se nga ana e saj dhe e vartësve janë ndjekur gjithë procedurat ligjore për prokurimet publike.
“Specialistët që u morën me trajtimin e termave të referencës kanë qenë shumë të kujdesshëm në mënyrë që kjo procedurë prokurimi të ishte e suksesshme, në funksion të mbrojtjes së të gjitha detyrimeve ligjore nga njëra anë, por dhe të buxhetit dhe interesit publik nga krahu tjetër”, tha ajo.
Sipas Qatos, skualifikimi fillestar i kompanisë “Gjoka Konstruksion” është bërë sipas përcaktimeve të vendimit të qeverisë nr. 42 i vitit 2009, që i atribuonte ARRSH-së detyrimin ligjor që të mos kualifikonte në procedurat e prokurimit ato shoqëri të cilat ishin kontraktuese të saj dhe, deri në momentin e konkurrimit, nuk kishin realizuar 70% të punimeve të kryera.
Sipas saj, nga gjashtë operatorët ekonomikë që konkurruan, mes tyre dhe “Gjoka Konstruksion”, nuk e plotësonin këtë kriter. Për rrjedhojë, është kualifikuar si fituese bashkimi operatorëve “Ircop, etj.”, që nuk kishin pasur kontratë të mëparshme me ARRSH-në.
Një vendim tjetër qeverie që mban datën 25 korrik 2019 që ka shfuqizuar paragrafin lidhur me kriterin e përfundimit të punimeve në masën 70% sillet nga Qato si argument për vendimmarrjen e ndryshme nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik që ka konfirmuar “Gjoka Konstruksion” si fituese. Megjithatë, Qato thekson se një akt nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, edhe nëse është shfuqizues.
Ngritjen e grupit të punës për verifikimin e punimeve që “Gjoka Konstruksion” po kryente në Rrugën e Arbrit, që nuk ishte në administrimin e ARRSH-së, Qato e justifikon me kërkesën e kryer nga ana e një anëtare të KVO-së për shkak të “shqetësimit” të rritur të tyre pas publikimit të informacioneve në media se kishte pasur shembje në tunelin e Murrizit.
Sipas Qatos, raportet e grupit të punës janë të ndryshëm pasi mbajnë fraksione të ndryshme protokolli. Ajo u shpreh se përmbajtja është e njëjtë, megjithëse në një raport është më e zgjeruar.
Qato këmbëngul se prokuroria nuk e ka trajtuar çështjen në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Ajo vëren se prokuroria ka cilësuar si fitues bashkimin e kompanive “IRCOP, etj.”, por, sipas saj, kjo nuk është e vërtetë, pasi kjo procedurë prokurimi nuk ka përfunduar deri në momentin që ajo është dorëhequr nga detyra dhe se kontrata finale është nënshkruar me “Gjoka Konstruksion” që është shpallur fituese me vendim.
Kompania përfituese në hije
Shoqëria “Sulova Ndërtim Prodhim” është vlerësuar prej hetuesve se është krijuar formalisht për të përfaqësuar në këtë procedurë tenderimi interesat e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, që ishte fituesja e vërtetë e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH-së.
Prokuroria e cilëson të provuar se administratori i shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, Elton Musta, e ka krijuar këtë shoqëri kur vijonte të ishte i punësuar te shoqëria “Vëllezërit Hysa”.
“Nuk është gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë ‘Vëllezërit Hysa’, e cila përdoret nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj, por në emër të shoqërisë ‘Sulova Ndërtim Prodhim’”, citohet në vendimin paraprak të gjykatës.
Prokuroria ka sjellë si argument për të mbështetur konkluzionin e saj edhe faktin se Musta ua ka shitur këtë kompani në tetor të vitit 2020 fëmijëve të administratorëve të shoqërisë “Vëllezërit Hysa”.
Sipas organit të akuzës, shoqëria “Vëllezërit Hysa” nuk ka marrë pjesë vetë në procedurën e prokurimit për lotin 7 të rrugës “Kardhiq-Delvinë”, por ka përdorur shtojcën e saj, shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim”. Ndërkohë, administratori kësaj të fundit, Elton Musta, është shfaqur si përfaqësues i bashkimit të operatorëve në kontratën e lidhur mes tyre, megjithëse kishte përqindjen më të vogël. Sipas Prokurorisë, Musta e ka marrë këtë status nën kujdesin e shoqërisë “Vëllezërit Hysa”.
SPAK vlerëson se shoqëria “Vëllezërit Hysa” e ka zgjeruar mekanizmin e mashtrimit në këtë procedurë prokurimi duke u vënë në kontakt me shoqërinë italiane “IRCOP Italia”. Sipas prokurorisë, hetimi ka provuar se dhe IRCOP nuk ishte gjë tjetër veçse një mbulim për të plotësuar kriteret e pjesëmarrjes në këtë procedurë prokurimi.
Ka qenë vetë shtetasi Agron Hysa ai që ka vajtur fillimisht në Itali dhe i ka kërkuar shoqërisë IRCOP që të marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi. Po ashtu, ka dërguar një të punësuar në kompaninë e tij së bashku me dokumentacionin e nevojshëm në Romë që të merrte kontaktet me përfaqësues të “IRCOP Italia”.
Në vendim thuhet se edhe veprimet e “IRCOP Italia” në Shqipëri, në nënshkrimin e kontratave të qiramarrjes të disa makinerive apo dhe për interte betoni, janë mbikëqyrur nga shoqëria “Vëllezërit Hysa”.
Prokuroria nënvizon si shumë domethënës faktin se, megjithëse përfaqësuesi i IRCOP ka autorizuar shoqërinë “Tonuci&Partners” në Tiranë që të krijojë degën në Shqipëri, nga hetimet ka dalë se në gjithë veprimet për regjistrimin e dokumentacionit shfaqet e punësuara e shoqërisë Vëllezërit Hysa, e cila kishte siguruar edhe kontaktet në Romë.
Sipas SPAK, hetimet krijojnë dyshimin se Elton Musta, në cilësinë e administratorit dhe ortakut të vetëm të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, ka paraqitur rrethana të rreme në procedurën e prokurimit në fjalë, konkretisht në lidhje me pjesëmarrësin dhe përfaqësuesin e vërtetë në këtë procedurë prokurimi dhe që ishte shoqëria “Vëllezërit Hysa”.
Kjo e fundit nga ana tjetër, konsiderohet se ka paraqitur rrethana të rreme duke fshehur veten, që ishte në fakt konkurruesi, fituesi dhe përfituesi i vërtetë.
Bazuar në këto rrethana, janë ngritur dyshime se administratori kompanisë “Vëllezëit Hysa”, Agron Hysa, dhe i punësuari në shoqërinë e tij, Elton Musta, kanë konsumuar elementët e veprës penale “falsifikimi i dokumenteve”. Për këta persona është vendosur ndarja e çështjes në një procedim penal më vete.
Administratorët e shoqërisë “Vëllezërit Hysa”, Agron Hysa dhe Kujtim Hysa, u ndaluan në fillim të vitit 2018, pasi një hetim i Prokurorisë së Elbasanit konstatoi se nuk kishin kryer punimet në aksin rrugor “Elbasan-Gjinar”, ku ishin të angazhuar në cilësinë e nënkontraktorit. Megjithatë, ata u liruan pak kohë më vonë dhe në vitin 2021 çështja e mbyll.
Agron Hysa ishte i paarritshëm për një koment deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Sonila Qato u shfajësua se ARRSH nuk mund të kishte dijeni qw kompania ‘Vëllezërit Hysa’ fshihej pas “Sulova Ndërtim Prodhim”.
“Autoriteti kontraktor nuk hyn dhe nuk bënë hetimin që ka bërë prokuroria se një punonjës i ‘Vëllezërve Hysa’ paska qenë administrator i kësaj kompanisë këtu,” tha ajo.
Qato theksoi se nuk kishte pasur dijeni për këtë kompani.
“Unë personalisht nuk i njoh, nuk i kam takuar asnjëherë. Ju uroj shëndet dhe nuk di të kenë pasur lidhje me këtë procedurë prokurimi as në kohën kur drejtoja ARRSH-në”, theksoi ajo.
Maja e ajsbergut
Sonila Qato është vajza e ish-ministrit the kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës gjatë regjimit komunist, Llambi Gegprifti, dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të kryeministrit Edi Rama.
E diplomuar si juriste në vitin 2001 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, gjatë viteve 2002-2007 Qato ka punuar ne zyrën e prokurimeve të Bashkisë Tiranë dhe në vitet 2007-2011 ka mbajtur detyrën e drejtores së përgjithshme të urbanistikës dhe kontrollit të territorit. Në shtator 2017 ajo u emëruar Ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe në fillim te vitit 2019 drejtoreshë e ARRSH-së.
Me 19 shtator 2019, Sonila Qato dha dorëheqjen nga ARRSH-ja duke theksuar se vorbulla e akuzave në media rreth tenderit të tunelit të Skërficës e kishte vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën.
“Nga njëra anë, më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe, nga ana tjetër, duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore”, deklaroi Qato.
“Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë”, shtoi ajo.
Kontrata për ndërtimin e tunelit të Skërficës iu dha nga pasardhësi i saj kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe hapja e rrugës Kardhiq-Delvinë u festua nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku me këngë polifonike në korrik të vitit 2022.
Grupi polifonik nuk kurseu lavdet për kryeministrin Rama, për të cilin kënduan: “Nisën punimet e para në janar 2007, por i sosi Edi Rama në më pak se gjysmë mandat.”
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, festa isopolifonike e qeverisë është e shtirur dhe tenton të fshehë historinë e gjatë të abuzimeve me ndërtimin e kësaj rruge.
“Kishim vite që e ndiqnim këtë çështje pasi ajo rrugë u kthye në një gangrenë të qeverisë”, kujtoi Tabaku, ndërsa shtoi se ajo përbën vetëm majën e ajsbergut të kapjes së shtetit.
“Praktikisht, ne sot jemi në kushtet e një shteti të kapur që operon jo më në bazë të sundimit të ligjit dhe një shteti të së drejtës, por në bazë të interesave personale të një klientele të lidhur ngushtë me qeverisjen dhe që ndikon në këtë të fundit në proceset e tenderimit publik, koncesioneve dhe PPP-ve”, përfundoi ajo. /BIRN/
Discussion about this post