Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin e ish-sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe mikeshës së saj, Laura Shteto, të akuzuara se kanë marrë rreth 300 mijë lekë të reja nga përfaqësuesit e një kompanie private që fitoi tenderin për “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Tirane dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë të reja.
Kolegji Penal ka vendosur këtë të mërkurë të mos pranojë rekursin e dy zonjave, të cilat kundërshtonin vendimin e masës së arrestit me burg, të konfirmuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit, në qershor të këtij viti. Në faqen e Gjykatës së Lartë lexohet: “Mospranimin e rekurseve të paraqitur nga personat nën hetim, Joana Duro dhe Laura Shteto, ndaj vendimit nr. 24, datë 22.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Diçitura: Gjykata e Lartë refuzon lirimin e Joana Duro dhe Laura Shteto
Duro dhe Shteta, së bashku me Vladimir Topin e Silvi Shehun, përkatësisht administrator dhe inxhinjer i kompanisë fituese të tenderit, “Dricons”, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK në 2 qershor të këtij viti, nën dyshimet se janë përfshirë në “korrupsion pasiv” dhe “korrupsion aktiv”. Ish-zyrtarja e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, si edhe Shteto, punonjëse e nivelit të lartë në Agjencinë e Shërbimeve të Integruara (ADISA), kundërshtuan vendimin e arrestimit pranë Gjykatës së Apelit të Posaçëm. Trupa gjykuese, në fund të qershor 2023, vendosi të rrëzojë kërkesën e tyre dhe ato iu drejtuan me rekurs Gjykatës së Lartë.
Edhe kjo e fundit, në 3 Tetor 2023 vendosi të mospranojë kërkesë e dy zonjave, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre. Më herët, në 17 korrik të këtij viti, Prokuroria e Posaçme njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin në gjyq të rastit. Në njoftimin për media, SPAK-u informoi se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
1.Joana Duro, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
- Laura Shteto, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.
- Vladimir Topi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.
- Silvi Shehi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.
Diçitura: SPAK akuzon Duron dhe Shteton për korrupsion pasiv
Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.
Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare.
Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë ) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.
Përgjimet që fundosën Duron
Pas arrestimit të ish-numrit 2 të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së drejtimin nga Ogerta Manastirliu, media siguroi pjesë nga dosja hetimore, përfshirë edhe përgjime të kryera nga SPAK-u gjatë hetimit.
Nga audio-përgjimet ka rezultuar se më datë 31 maj të këtij vitit, Vladimir Topi dhe Silvi Shehu kanë komunikuar me njëri-tjetrin dhe kanë bërë gati 330.000 mije lekë, për t’i dhënë për të kryer akt korruptiv, pasi kishin fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë për LOT 1,”Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Tirane dhe Durrës, me fond limit 805.872 leke”.
Diçitura: Joana Duro, ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë
Paratë ishin dhënë nga Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro. Nga biseda që ka bërë e pandehura Laura Shteto me bashkëshortin e saj, Genci Shteto, administrator dhe ortak me 100% te aksioneve të operatorit ekonomik “OE SHTETO-PRO”, e pandehura Laura Shteto ka komunikuar se “ku jemi ne këtu, çfarë fitojmë apo do bëjmë korrierin si herën tjetër“. Shtetasi Genci Shteto komunikon se “do vij unë t’i marr vlerat monetare dhe t’i sjell te Laura“, por kjo e fundit komunikon se “le të m’i sjellë Silvi mua (Silvi Shehi) dhe ja jap unë “.
Më 1 qershor, Silvi Shehi, ka komunikuar me Laura Shteto, dhe kjo e fundit i thotë se deri ne orën 16:30, është në punë dhe Silvi mund të shkojë te ndërtesa e QKB-së në anë të Ministrisë së Jashtme dhe t’ja dërgojë paratë. Nga ndjekja me metoda speciale të hetimit, përgjimet telefonike dhe vëzhgimet e kryera, është dokumentuar dërgimi i shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjete mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek Joana Duro.
Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro të cilat u kapën në flagrancë dhe u sekuestruan. Këto para janë dhënë si ryshfet nga i pandehuri Vladimir Topi i cili do përfitonte në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjithashtu, rezulton se Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me Vladimir Topin, ka marrë shumën e parave nga banesa e tij dhe ia ka dërguar Laura Shtetos dhe më pas paratë kanë shkuar të Sekretarja Duro.
Paratë u gjetën në zyrën e skeretares në një zarf të bardhë të mbyllur ku veç parave ndodheshin edhe dy letra formati A4 analiza spitalore në emër të Genci Shteto. Nga zbardhja e bisedave telefonike më datë 13 prill mes Genci Shtetos dhe Vladimir Topit.
A-Genci dhe B, Vladimiri.
A: O Ladi, ça bëre? Mirë, mirë. Dëgjo desha me e bë atë vizitën unë…
A: Domethënë, desha të të vinja për vizitë e kam fjalën..
B: Epo unë jam në Krujë…ti ngrihesh vonë..
A: Jo mirë mirë..shiko..eh..është një tender.. për projektimin e spitalit të degës (nuk kuptohet)..
A: Djegie plastikës edhe duhet me bo nji letër interesi..e bën banka botërore…kështu që nuk është kaq e pamundur domethene..eeh… edhe thashe t’ja u tregoja njëherë..si dokument edhe..të flisnim..
B: Jo mirë mirë bën. Mirë bën po. Në qoftë se je i lirë, unë jam në Krujë nëse pret puna
A: Po pret o pret..pret o burrë..
B: Eh. Unë do kthehem nga Kruja dhe drejt e në zyrë do vete nëse je i lirë pastaj do të marr.
B: Po të marr unë. Me ministrinë e Shëndetësisë është ajo?
B: Po mbase ja kanë… mbase ja kane taks ndonjë tjetri ata ore.?
A: Po e bën Banka Botërore o burr..
B: Jo jo s’është banka botërore, Banka Botërore jep fondet po agai.. agai është ndonjë qen bir qeni , ndonjë Diana
B: Diana te ministria e Shëndetësisë ore..
A: Eh..prit një sekondë si e ka kjo..kjo e ka .. Blerina.. Blerina Duduci.
B: Po Duduci po është në Ministrinë e Shëndetësisë e?
A: Po. domethenë ke ministria e Shëndetësisë është po qe…
B; Po ti ke Joanen atje, mund të bëjë gjë ajo Joana apo jo?
A: Po nuk va… hajt se fasim po nuk është që…nuk i bën ministria e bën banka Botërore vetë.
Silvi Shehi me Vladimir Topin Biseda mes të tjerash:
B (Vladimir): Po ne Gencit ca i thamë, ne i thamë që nuk na do..na.nuk na do Diana..apo jo?
A: Po, nuk na do D***, se kshu kshu kshu, atë tenderin atje ja kishte dash me ja dhënë Harabelit..
B: Po kësaj pse i ka ngrënë b***a ksaj xhanëm?
A: Po kët se mor vesh unë tashi, pse i ka ngrënë po..
B: Po i the ti, po.. he.po mirë që e tha tamam kjo…
Biseda mes Vladimir Topit dhe Genci Shtetos më 16 maj 2025.
A: Ngrihesh vonë ti zakonisht e, po.
B: Jo mo po me kishtë rënë bateria, se di.
A: E s’ka gje jo. Bere ndonjë muhabet me naj vend andej apo jo?
B: Po po, ne rregull jemi, po s’na ka thene se per ke.
A: Ore po mos na japin nai kakardhi ato mo, skemi asnje lloi interesi, e kupton?
B: Jo jo, me zor sta jep njeri o burr, e leme po qe.
A: Një muhabet duhet bërëse edhe rahmet paste..
B: Muhabeti është bërë me nja dy mesazhe në celular o burr se tani …
A: Epo dakord, dakord. Kur e japin haberin ata apo kush e di?
B: Po tashi nuk e di, te shohim, se i tha do të të marr vetë.
A: Mirë mirë, hajt, kalofsh mire.
Biseda mes Vladimir Topit dhe Silvi Shehut më 19 maj 2023. Silvi B, Vladimir A.
A: Llafos kot, tallin bythën ata se kemi gjashtë muaj me këta këtu e ku di unë, as kafe si japin këta. Po nejse, edhe i takova, ndenja 10 minuta, e urova, thashë kshu kshu. Po ai është i mbyllur ai muhabet me tha mu o Lad. Mora këtë pastaj, o faleminderit e ku di unë.
B: He epo mirë, hajde varja. Të paktën u binden. Tashi unë desha…
Biseda mes Silvi Shehit(A) dhe Vladimir Topit (B) më 31 maj.
B: la bëra gati unë aty në një zarf, megjithatë si mori ne telefon, unë isha duke biseduar me atë
A: E mire. Merre, merre, le te vije ai, le ti marri. Se po ai do i coje, se mos…
B: Unë aq e lash, 330 (treqind e tridhjetë) e lashë.
B: E ca duan ketë, duan mut që të hanë.
Biseda mes Vladimir Topit (A) dhe Fenci Shtetos (B), më datë 31 maj.
A: Po si do piqemi ne për ato? Se i bëra gati unë.
B: Unë do vij… po vij nesër atëherë.
A: Hajde nesër ti, po unë po i le…
Biseda me Laura Shtetos (B) dhe bashkëshortit të saj më datë 31 maj.
B: Ia çoj unë direkt (paratë), ajo është gjëja me thjeshtë po neve se ngelëm tu bo korrierin…
A: Dëgjo kjo duhet mendu mirë herë tjetër, mos me u fut mo në këtë llo…
A: Marrëdhënie..ne këtë Iloj marrëdhënie..
Biseda telefonike mes Vladimirit dhe Silvit më datë 1 qershor
A: I kam lënë të paketuara unë… Do e marr unë në telefon atë. Po i them do vije Silvi kshu kshu. Mirë?
A: Ato unë i kam bërë 330 (treqind e tridhjete) mijë, numëroji po deshe.
Nga këqyrja e telefonit të Joana Duros më datë 19 maj rezulton një foto e një letre ngjyrë blu me shifrën që ka fituar tenderin shoqëria “Dricons” sh.p.k, per LOT 1, “Supervizim për rikonstruksionin e disa tenderave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës.
Lexo edhe:Mori ryshfet për tenderin, lihet në burg Joana Duro
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post