Kaosi i krijuar në sallën e seancave plenare ditën e hënë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
E ndërsa deri ditën e djeshme, protestat e deputetëve të opozitës në Kuvend po kalonin pa vëmendje ndërkombëtare, sot pati dy reagime brenda pak minutash nga Ambasada e SHBA dhe ajo e Britanisë së Madhe, që i apelonin palëve që të uleshin dhe të bashkëpunonin mes tyre.
Ndërkohë Lefigaro në Francë duke pasqyruar seancën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë shkruan se u panë skena surreale, ndërsa seanca u mbyll brenda 5 minutash, pasi mazhoranca socialiste bëri një votim në parim të projektbuxhetit të vitit 2024.
“Deputetët vendosën karrige rreth foltores së Kuvendit, ndezën tymuese jeshile dhe të kuqe dhe ndezën një zjarr të vogël i cili u përhap me shpejtësi në një tavolinë përpara se të shuhej. Lideri i opozitës dhe ish-kryeministri i krahut të djathtë, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se po përpiqet t’I mbyllë gojën opozitës, duke shtuar se ai donte “të kthente pluralizmin në Parlament”, sipas Reuters.
Akuzat për korrupsion
Opozita kërkon që komisionet hetimore të shqyrtojnë akuzat për korrupsion ndaj kryeministrit socialist Edi Rama dhe anëtarëve të qeverisë së tij. Socialistët e kundërshtojnë, duke u shprehur se Kushtetuta nuk e lejon.
Megjithatë, një hetim për korrupsion u hap kundër Sali Berishës dhe dhëndrit të tij. Lideri i opozitës, i cili pretendon se është i pafajshëm dhe e quan një komplot politik, nuk mund të arrestohej për shkak të imunitetit të tij parlamentar.
Pas votimit të turbullt në Parlament, kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën për “mbjellje të përçarjes, kaosit, dhunës” dhe siguroi se anëtarët e saj “do të shemben dhe do të rishfaqen copë-copë, si rrënojat e një anijeje të mbytur.
Ndërkohë britanikja “The Times” shkruan se politikanët e opozitës në Shqipëri ndezën tymuese dhe zjarr në parlament në një përpjekje për të ndaluar votimin e Kuvendit për buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Deputetët opozitarë po protestonin kundër asaj që ata thanë se ishte një sundim gjithnjë e më autoritar nga Partia Socialiste në pushtet, e udhëhequr nga Edi Rama, kryeministri. Kur kryeministri Edi Rama zuri vendin e tij për votim, deputetët opozitarë ndezën tymuese me ngjyra dhe grumbulluan karrige njëri mbi tjetrin, por u ndaluan nga gardistët.
Videoja e ‘protestës’ tregoi një nga tymueset shkaktoi një zjarr të vogël që u shua pasi parlamentarët hodheën ujë nga shishet.
Socialistët, të cilët kanë 73 vende në parlamentin me 140 vende, zhvilluan një votim të shpejtë dhe e mbyllën seancën në pesë minuta.
Opozita kërkon të krijojë komisione parlamentare për të hetuar korrupsionin e dyshuar që përfshin Ramën, dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Nga ana tjetër socialistët thonë se kërkesat e opozitës janë kundër kushtetutës.
Gazmend Bardhi, kreu u grupit parlamantar të PD-së, u zotua të ndalojë punën parlamentare deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. “Beteja jonë është t’i tregojmë çdo qytetari se ky nuk është parlamenti që i përfaqëson ata,” tha ai. Ndërsa Bledi Çuçi, kreu i grupit socialist në parlament, u shpreh se “Në demokraci, opozita flet me alternativa dhe jo me flakë”.
Trazirat filluan muajin e kaluar, dy ditë përpara se prokurorët të akuzonin ish-kryeministrin Sali Berisha, për korrupsion. Berisha, ka mohuar të ketë favorizuar dhëndrin e tij, i cili u arrestua dhe pretendon se çështja është e motivuar politikisht dhe se Rama qëndron pas saj.
Opozita është ndarë në të paktën tre fraksione që nga viti 2021 kur Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u ndaluan nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje të dyshuar në korrupsion. Sakaq atyre iu ndalua hyrja në Britani vitin e ardhshëm”, shkruan media britanike.
Discussion about this post