Qytetit i Himarës nuk ka shumë vende me gjelbërim sepse është i mbushur me pallate, por sërish shpenzohen miliona në tenderë për blerje barishtesh.
Kjo ndodh ndërsa kryetari i zgjedhur në maj 2023, Fredi Beleri ndodhet në burg për blerje votash, ndërsa Jorgo Goro vazhdon të jetë “kryetar në detyrë”. Madje tani në mbyllje të vitit, Goro po nxiton që të shpërndajë llokma të mëdha tek biznesmenët.
Kështu, Bashkia Himarë këtë herë po i jep qindarkat e fundit të buxhetit 2023 nipit të Sadri Abazit, Arbrit. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Mirëmbajte e gjelbërimit në hapësirat publike dhe varrezat”, me afat kohor 24 muaj. Sipas dokumenteve firma fituese do të merret me vaditjen e pemëve, shkulje bari dhe shkurres, krasitje pemësh dhe për këto shërbime do të paguhet 430 milionë lekë.
Bashkia Himare ka në territorin e saj një sipërfaqe 120000 m2 varreza publike të cilat janë të vendosura në çdo fshat. Banorët dhe më tepër komunitetet fetare i mirëmbajnë varrezat, por Goro ka vendosur t’u japë një dorë me këtë prokurim.
Një nga varrezat ndodhet përballë qendrës së Himarës në kodrën më të bukur të qytetit, rrethuar me pisha dhe qiparisa. Vështirë të gjesh aty ndonjë vend për të mbjellë pemë e shkurre dekorative. Në Pilur, varrezat janë në kodrën me lisa shekullorë (që janë monument natyror) dhe në mes të tyre është vendosur kisha e fshatit. Por Goro ka vendosur t’i zëvendësoje me fidanë të rinj. “Nga gërryerjet u kane dalë rrënjët…Është parashikuar që në këtë kodër të kemi mbjelljen me fidanë të rinj”, thuhet në projektin e Goros. Larg qoftë! Lisat janë monument natyror dhe Goro i paska lënë të thahen e t’u dalin rrënjët mbi tokë?!
Në fakt, këto janë nga ato prokurimet ku shpiket punë dhe u jepen para qyl, sipërmarrësve të privilegjuar. Në këtë rast është nipi i Sadri Abazit, i cili pasi ka marrë tenderë në gjithë Shqipërinë, zbuloi edhe Himarën e Goros.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Shohim se fillimisht kanë qenë 7 oferta nga firmat e interesuara për këtë garë, por 6 prej tyre u përjashtuan nga prokurimi qysh në fillim. Më më 31 tetor 2023 u mbajt tenderi dhe mbeti e vlefshme vetëm oferta e firmës ALKO IMPEX CONSTRUCTION më pronësi të Arbër Abazit. Edhe pse kishte në dispozicion vetëm një ofertë, Bashkisë Himarë iu desh një muaj që ta shpallte fituesin.
Kryetari në detyrë është munduar të mbajë tenderin jashtë vëmendjes, sepse ia fali Arbër Abazit duke shkelur rregullat e prokurimit. Monitoruesi Open Data e ka vlerësuar tenderin me “Red Flag”, që është një shenjë e riskut të korrupsionit. Ky tender i është shtuar listës së abuzimeve, duke iu nxjerrë nga xhepat himarjotëve 430 milionë lekë.
Epo Arbër Abazi ka xhaxha Sadri Abazin, ish-deputet dhe biznesmen me ndikim të madh në vendimmarrje. Kështu që nipi i tij mund të fitojë çdo tender, në çdo cep të Shqipërisë.
Abazi me miq në KPP
Arbër Abazi shpesh herë i fiton tenderët me urdhër të KPP-së, një rrugë për të legjitimuar marrjen e tenderëve në kushtet e paligjshmërisë. Rasti më i fundit është bërë publik së fundmi.
Kujtojmë se në maj të vitit 2022, Komisioni i Prokurimit Publik i dha të drejtën kompanisë “Alko Impeks” të shpallet fituese e një tenderi për pastrimin e Himarës.
Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me objekt Marrëveshje kuadër me kohëzgjatje 36 (tridhjetë e gjashtë muaj: “Shërbimi i pastrimit të territorit të Bashkisë Himarë”, me fond limit 2 mld lekë pa TVSH.
Më datë 19.04.2022, Autoriteti Kontraktor rezulton të ketë kryer vlerësimin e ofertave, duke skualifikuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko Impex General Construction” dhe “Alko Impex Construction” sh.p.k., të dyja nën menaxhimin nga familjar të Sadri Abazit.
Vetëm dy ditë më pas, kompania private e ankimon vendimin e skualifikimit njëkohësisht pranë Bashkisë së Himarës dhe Komisionit të Prokurimit Publik.
Komisioni i Prokurimit Publik, me vendimin e datës 16 Maj 2022 ka vendosur të pranojë ankesën e bashkimit të operatorëve dhe të detyrojë Bashkinë e Himarës që të kualifikojë në tender “Alko Impeks General Conctruction” dhe “Alko Impeks Construction”. Dhe menjëherë Bashkia Himarë ka nënshkruar kontratën.
Por, ky vendim është rrëzuar së fundmi nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila ka konstatuar se qëndrimi i Komisionit të Prokurimit Publik është hartuar në shkelje të ligjit.
Por, edhe pse gjykata arriti në këtë konkluzion, ajo ishte e pafuqishme për ndërprerë vjeljen e parave nga Abazi. Sepse me një vendim të marrë në 25 Shtator 2023, Gjykata konstatoi se kontrata mes Bashkisë së Himarës e “Alko Impeks” është miratuar dhe madje ka nisur edhe zbatimin e saj në terren.
Raste të tilla janë të shumta, kur KPP vepron në mënyrë të njëanshme dhe Jonaid Myzyri bëhet bashkëpunëtor i aferave të kryebashkiakëve dhe oligarkëve.
Goro paraqitet në SPAK
Ndërkohë që merrej me prokurimin në favor të Abazit, kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është paraqitur në 5 tetor 2023 në ambientet e SPAK.
Ndaj Jorgo Goros ka dy gjetje, kryesorja është ajo e raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka evidentuar disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera, por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës ku Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës.
Gjithashtu këtyre gjetjeve, i është bashkangjitur edhe një kallëzim nga Fredi Beleri, i cili nga paraburgimi ka përforcuar zërat jo vetëm për shpërdorim detyre, por këmbëngul se ka edhe shkelje të tjera në lidhje me detyrën dhe kompetencat e Goros. Gjetja më e rëndësishme e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka të bëjë me ndërtimin e një resorti në këtë zonë dhe me proceduat se si janë dhënë lejet e ndërtimit në zonën bregdetare të Himarës.
Goro hyri në SPAK pa praninë e një avokati, ndërsa deklaroi se ishte si një qytetar për të dhënë sqarime.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post