Mbyllja e dytë për zbutjen e pandemisë e ngadalësoi ekonominë gjermane në fillim të vitit. Rënia ekonomike doli të ishte disi më e fortë nga sa supozohej më parë.
Mbyllja e dytë për zbutjen e pandemisë e ngadalësoi ekonominë gjermane në fillim të vitit. Rënia ekonomike doli të ishte disi më e fortë nga sa supozohej më parë. Prodhimi i brendshëm bruto, në tremujorin e parë të vitit 2021, u zvogëlua me 1.8 përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, siç njoftoi të martën Zyra Federale e Statistikave. Në një llogaritje paraprake të mëparshme rënia ishte 1,7 përqind.
Gjermania pati kështu një fillimviti relativisht të dobët në krahasim me zonën e euros, e cila pësoi një humbje prej vetëm 0.6 përqind, ndërsa ekonomia më e madhe në botë, SHBA, u rrit me 1.6 përqind, edhe falë vaksinimit të shpejtë.
Konsumi privat më me humbje
Në veçanti, konsumi privat, i cili normalisht është një shtyllë solide e ekonomisë së brendshme, ka pësuar humbje. Kufizimet e zgjatura dhe deri diku të shtrënguara në luftën kundër pandemisë, e ngadalësuan sidomos xhiron e shitjes me pakicë, e hoteleve dhe restoranteve: konsumi privat ra me 5,4 përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
sektorët më me humbje është gastronomia. Shërbimet në verandën e lokaleve, siç shihet në këtë projekt pilot në Saarland, nuk lejoheshin në tre mujorin e parë të vitit 2021.
Edhe ngritja e taksës së vlerës së shtuar (TVSH) në nivelin e mëparshëm pati efekt negativ. Konsumatorët i kishin bërë blerjet e mëdha më përpara, në gjysmën e dytë të vitit 2020, kur TVSH ishte ulur si masë për ngritjen e koniunkturës. Këto blerje munguan në statistikat e konsumit për tremujorin e parë të vitit aktual.
Nga ana tjetër, tregtia e jashtme përfitoi nga rritja e kërkesës globale. Por këtu importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën dukshëm (plus 3,8 përqind) më shumë se eksportet (plus 1,8 përqind). Sidoqoftë, kompanitë i ulën investimet e tyre në makineri, pajisje, automjete dhe pajisje me 0.2 përqind. Konsumi i qeverisë u rrit me 0,2 përqind, ndërsa investimet në ndërtim u rritën me 1,1 përqind.
Goditjet e fundit të pandemisë?
Pas rënies në fillim të krizës së Koronës në pranverën e vitit 2020, ekonomia më e madhe e Evropës fillimisht u rrit për dy tremujorë radhazi. “Sado të hidhura që ishin goditjet prapakthyese në tremujorin e parë të këtij viti, ato ishin të fundit për momentin,” thotë kryeekonomisti i VP Bank, Thomas Gitzel. “Rënia e ndjeshme e incidencës dhe shtimi i imunizimit të pjesëve të gjera të popullsisë do të bëjnë të mundur hapjen. Po afrohet një verë e relaksuar, që do të sjellë më shumë para në arkat e dyqaneve.”
Tregu i materialeve gjysmëpërçuese ka rënë shumë:, çka e vuan më së shumti industria automobilistike në Gjermani
Pika e dobët e ekonomisë, megjithatë, mbetet mungesa e materialeve, sipas Gitzel. “Mungesa akute e materialeve gjysmëpërçuese është bërë një sprovë serioze për industrinë gjermane të automobilëve – të paktën në planin afatshkurtër, tha Gitzel.” Por ka edhe një mungesë materialesh në industrinë e ndërtimit, duke filluar nga druri e deri te boja. “Lajmi i mirë, megjithatë, është se efektet rikuperuese në sektorin e shërbimeve do të jenë aq të forta saqë, në planin makroekonomik, ato do të kompensojnë edhe humbjet e shkaktuara nga mungesa materiale në industri.”
Në parashikimin e saj më të fundit, qeveria federale përllogariste një rritje me afro 3,5 për qind. Prodhimi ekonomik ra vitin e kaluar me rreth 5 për qind. Por Banka Federale parashikon se niveli i para krizës do të arrihet përsëri në vitin e ardhshëm./DW