Pavarësisht se është me dosje në SPAK, kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Mema vazhdon e pashqetësuar aferat. Shpesh herë Mema është denoncuar edhe nga qytetarët e Dimalit për abuzim të fondeve që mblidhen me taksat e tyre. Ndërkohë, tenderi i fundit tregon qartë se çfarë bën kjo zyrtare me paratë e taksapaguesve.
Në fund të vitit, kur të gjithë janë me pushime dimërore, më datë 28 dhjetor 2023, Juliana Mema ka bërë biznes në fshehtësi për tenderin me objekt “Rikonstruksion i Rrugës Drenovice”. Ky projekt parashikohet të zgjatë për 6 muaj dhe do të harxhojë 300 milionë lekë. Për çfarë? Për asfaltimin e 1.2 km rrugë. Me këtë fond limit, rruga që duket në hartë do të shtrohet me flori, jo me çakëll dhe zhavorr!
Jepet fond për herë të dytë
Abuzimi është dizajnuar qysh në projektin e rrugës, sepse janë shumë para për rikonstruktimin e saj, aq më tepër që ky aks është shtruar në vitin 2017. Pra, 6 vite më parë Mema u mburr në Facebook se ka shtruar rrugët e zonës së Drenovicës me cilësi të mirë dhe të vlefshme për qytetarët.
Por në fakt, qysh në dy vitet e para filluan gropat në këtë rrugë, ku Mema është shfaqur duke bërë arnimin e saj. Pra, siç duket edhe në fotot e mëposhtme, ku shfaqet gjendja aktuale e rrugës, puna para 6 vjetëve është bërë pa cilësi.
Tani Mema parashikon t’i hedh një tjetër shtresë asfalti. Në fakt, po të zbërthejmë mënyrën se si është ndërtuar tenderi do të kuptojmë që, në fakt është një aferë e radhës për përfitime nga prokurimi.
Tenderi meriton “Flamurin e kuq”
Shohim që tenderi mban “Flamurin e Kuq” në vlerësimet që bën Open Data, Kjo është shenja e riskut të korrupsionit. Kështu, Juliana Mema nuk e ka mbyllur kontratën përmes procedurave ligjore, por i ka rënë shkurt. Në fazën e parë të tenderit Mema ka përjashtuar nga gara tre oferta të tjera që ishin më të lira dhe ka lënë të vlefshme vetëm ofertën e bashkimit të operatorëve “LLUCA” sh.p.k – “BAJRAMI N.” Sh.p.k. Oferta e tyre kapte vlerën 280 milionë lekë, sa 98% e fondit limit dhe për më tepër ishte më e shtrenjta.
Cilët janë përfituesit e tenderit?
Kështu, pa garë fare dhe me ofertën më të kushtueshme këto dy firma u shpallën fituese, më saktë morën dhuratën e festave nga kryetarja Mema. Por, nuk është hera e parë për këto kompani: Lluca shpk është në pronësi të Naim Llucës, i cili më së shumti përfiton tendera në Bashkinë e Peqinit, sepse atje ka djalin, Emilian Lluca, shef finance.
Këtë herë Lluca ka gjetur një bashkëpunëtor të fortë në zhvatjen e tenderëve. Nazif Bajrami, është pronari i vetëm i kompanisë “Bajrami N”, me nipt: K02727202O, me objekt servis makinash, ndërtim, ushqimore etj. Pas vitit 2013, Bajrami ka arritur të marrë mbi 50 milionë euro tendera publikë, duke kontrolluar plotësisht bashkitë e qarkut Elbasan, bashkë me Gentian Sharrën, anëtarin e bandës së Elbasanit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se kompania “Bajrami N” vjedh fondet publike, duke mashtruar me zbatimin e kontratave, konkretisht me volumin e punimeve. Në disa raporte të KLSH, Nazif Bajrami ekspozohet shpesh në abuzimet e pushtetit vendor me paratë publike.
Bashkëshortja e tij, Anduena Bajrami (Prifti) ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, pranë Qazimi Sejdinit. Gjatë kohës kur gruaja ishte nënkryetare, Nazifi merrte tendera nga bashkia. Çifti i bënte procedurat në shtëpi, caktonin fondin limit, veten e tyre fitues, dhe shpallja e tenderit ishte vetëm një formalitet.
Vetëm gjatë viteve 2017-2020, në Prokurorinë e Elbasanit, firmat ndërtimit dhe pronarë tokash, kanë depozituar 45 kallëzime penale kundër Nazif Bajramit të firmës “Bajrami N. Shpk”, Qazim Sejdinit, për falsifikime dokumentesh, fondesh limit, procedurash dhe favorizim në tendera.
Nazif Bajrami dhe gruaja e tij në nëntor 2017 u deklaruan me dosje penale në proces hetimi nga Prokuroria e Përgjithshme.
Epo me sa shohim Juliana Mema i ka zgjedhur bashkëpunëtorët njësoj si vetja. Sepse, sikur e prekëm pak në fillim të artikullit, Juliana Mema akuzohet për shpërdorim detyre. Një kallëzim penal është regjistruar ndaj saj më 25 nëntor të vitit 2020 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Beratit.
Kryebashkiakja Mema është akuzuar nga Petrit Baho, banor në fshatin Poshnje për shpërdorim detyre, shkatërrim i pronës private, mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Por Prokuroria e Rrethit Berat ka shpallur moskompetencën lidhur me rastin duke e përcjellë kallëzimin penal për Memën në Prokurorinë e Posaçme në Tiranë, SPAK. Bashkë me kryebashkiaken Mema, Baho ka kallësuar penalisht edhe dy punonjësit e bashkisë Dimal, Agim Çunin dhe Pandi Pilon për të njëjtat akuza si eproren e tyre, por duke shtuar atë të kanosjes.
60-vjeçari Petrit Baho pretendon se i është shkatërruar prona nga fadromat e Bashkisë në 23 Nëntor 2020 dhe fill pas kësaj, ka qenë po Bashkia, ajo që i ka dhënë lejë një tjetër qytetari të vijojë ndërtimet në pronën e tij. I akuzuar për ndërtim të paligjshëm, shkatërrim prone dhe falsifikim është edhe i afërmi i tij Ramadan Baho, i cili pretendohet se është favorizuar dhe lejuar nga bashkia Dimal të ndërtojë në pronën e Petritit.
Me sa duket, Mema paska marrë garanci në SPAK se do ndiqet vetëm për këtë denoncim, jo për vjedhje tenderash!
Lexo edhe: Juliana Memaj si Veliaj, jep 25 mln pa garë për projektin e Bashkisë Dimal
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post