Kardio-kirurgu Edvin prifti, i cili po gjykohet në GJKKO për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ka reaguar sërish për akuzat e ngritura ndaj tij.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Prifti pretendon se SPAK ka shkelur krye tërthor çdo procedurë të mundshme me akuzën e ngritur.
Ai deklaron se dosja e tij ka fshehje faktesh, përgjimesh, shantazhe, makinacione dhe shkelje proceduriale nga më të ndryshmet.
Mjeku thotë se është informuar në mënyrë jozyrtare se ka qenë në përgjim dhe nën vëzhgim nga Operacionalja për rreth 9 muaj.
Postimi nga Edvin Prifti
Sot seanca paraprake e gjyqit tim u shty, kjo për faktin se avokati im ishte i sëmurë. Sigurisht u mërzita pasi do doja që me shpejtësi çdo element i dosjes sime të bëhet sa më parë publike në funksion të së vërtetës edhe pse prita me durim 3 vjet persekutimesh.
Dua të bëj publike për kë ka interes të informohet se ky institucion i quajtur SPAK i cili trumbetohet për profesionalizëm e nuk la trajnim pa bërë brenda dhe jashtë vendit ka shkelur krye tërthor çdo procedurë të mundshme pa e vrarë fare mendjen, sikurse është akuza ndaj meje!
Prej një muaji që u vumë në dijeni për humbjen e një dosje me 637 faqe, e cila është administruar nga kjo organizatë në 12 dhjetor 2021 dhe që një ditë të bukur nuk gjendej më?! Sot e kësaj dite nuk kemi asnjë përgjigje. Ka kaluar mëse një muaj dhe ekspertiza kontabël zyrtare ka fluturuar në ferr apo purgator në varësi se ku falen!
Por si kjo dosje ka fshehje faktesh, fshehje përgjimesh, shantazhe, makinacione, shkelje proceduriale nga më të ndryshmet dhe absurdet. Të vetmet që nuk gjenden në këtë dosje janë përgjime apo video apo asnjë fakt ndaj meje me fytyrën dhe zërin tim. Sot u vura në dijeni në mënyrë jo zyrtare pasi kështu i bëjnë gjërat me llafe kafeneje, që unë kam qenë në çdo përgjim të mundshëm telefonik dhe ambjental nga qershori 2020 deri në shkurt 2021, periudhë e pandemise kur unë zhvilloja punën normalisht dhe kur s’kisha asnjë dijeni se ç’po kurdisej ndaj meje. E sfidoj hapur SPAK që nëse ka qoftë edhe një përgjim me zërin tim ta bëjë publik, sikurse ka bërë publike çdo mesazh të pavlerë këtu e tri vjet më parë. Asnjë nga këto mijëra orë përgjime nuk janë përfshirë në dosjen time.
Pse nuk i bën publike SPAK këto përgjime? Se aty do shihej qartë se çfarë flisja dhe çfarë ju sugjeroja pacientëve në nevojë! Po sot u vura në dijeni që një strukturë tjetër Operacionalja, më ka mbajtur në vëzhgim për muaj të tërë 24 orë në ditë poshtë shtëpisë, në punë dhe kudo tjetër! Pse nuk bëhen publike dhe cila ka qenë arsyeja e kësaj mënyre trajtimi? Qindra milionë lekë të parave publike të hedhura në erë për të paguar oficerë, roje, dëshmi të paqena, shantazhe, zhdukje evidencash, pagesa OPGJ, dieta, orë pune, investime për manipulime, etj., etj. Llogaritë mund t’i bëjë çdokush? A ia vlen kjo për një individ qofte ky mjek apo shef shërbimi? Më duket një investim shumë i madh për të qenë kaq e thjeshtë?! Dhe ju e nderuar media me këto të vërteta merruni dhe jo me trillimet e deklaratave për shtyp të një degjenerimi ligjor dhe social të cilit pa dashur mbase po iu shërbeni! Nuk e di nëse edhe ambasadat apo ata që investuan për një proces i cili u transformua në kimerizimin inkuizicional të së drejtës janë të informuar për çka më sipër?! Mbase koha do gjykojë gjithçka!
Discussion about this post