Nga Lutfi Dervishi
“Eureka-Eureka-Eureka!”
Kjo ishte britma e parë e majmunit Kiko teksa ndiqte nga televizori i një bari sarandjot se Muzeu Historik Kombëtar do vendosë drynin për të paktën 4 vite.
Në trurin e tij shkrepi një ide, njëjtë si idetë që i shkrepen gjenive, mbase si ajo që ju shkrep Galileo Galileit për të lënë universitetin e Pizës dhe për të gjetur qiellin, apo si Kristofor Kolombit të cilit ju shkrep të lerë Europën për të zbuluar Amerikën.
Edhe misionari ynë, vendosi të lëre portin e Sarandës dhe të nisë punë si guidë në kryeqytetin që siç thotë një këngë hit e viteve ‘2000, “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiron!”
Një grup i përzierë të huajsh që u gjendën Tiranë për një samit paqeje për luftën në Lindjen e Mesme ishin “klientët” e parë të Kikos.
Vendtakimi i parë me njëri-tjetrin ishte sheshi Skënderbej ku ballë tij bën hije Muzeu Historik Kombëtar.
Ja këtu, – vijoi Kiko, – përmblidhet historia 100 vjeçare e Tiranës. Në anën time të djathtë ju shihni ndikimin rus, pallatin e Kulturës, përballë meje shihni ndikimin kinez (hotel 15 katshi), dhe pas në të majtë timen është ndikimi italian (godinat qeveritare dhe banka Kombëtare).
Por gjurmët me të pashlyera në sheshin “Skënderbej”, – tha Kiko, – i ka ndikimi i oligarkëve.
-I shihni kullat rreth e rrotull?! Nuk keni parë asgjë akoma!…
Tek silleshin rreth e rrotull Muzeut Historik Kombëtar si dervishët në valle, Kiko tha se do të kryhej një meditim për të kuptuar historinë e asaj godine.
-Kam një lajm të mirë dhe një të keq! I keqi është se muzeu do të jetë i mbyllur për 1460 ditë, por i miri është se ai do të hapet sërish me 28 mars, 2028, ora 18:15. Ka një debat sepse qeveria ka kërkuar të hapet shumë më herët në orën 17:30, por kompania fituese e tenderit thotë se ka llogari të sakta dhe nuk lëviz dot nga afati.
Këtu ju jeni të lirë të përsiateni për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi që ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë.
Teksa lëmshi i trafikut dhe boritë po prishnin atmosferën medituese, Kiko e shpjegoi situatën duke thënë se përballë cirkut të Tiranës mund të ndodhë gjithçka.
-Ku se nuk po e shohim? – pyeti një turist samitist aziatik.
-Dikur ka qenë godina, por jehona i ka mbetur! – tha Kiko duke e shpjeguar mbylljen e cirkut me faktin se konkurrenca u rrit aq shumë vitet e fundit sa i gjithë aktiviteti i akrobacisë u monopolizua në parlament.
-Gjithsesi aty do të bëhet një kullë e bukur dhe për nder të cirkut të vjetër do të ketë një lokal që do të quhet “Bar Restorant Akrobacia”.
Stacioni i dytë i ndalesës tonë do të jetë Teatri Kombëtar.
Tek ecnin më tutje, turistët ndaluan para një kantieri tjetër të mbyllur.
I bëri çudi sesi mes godinave të një stili italian, hapej një gropë.
Në fillim menduan se ishte duke u ngritur ndonjë instilacion për të treguar sesi varrosen regjimet diktatoriale, por Kiko i shpjegoi se ishte gropa ku thuhet se do bëhet një teatër.
-Po të ishit me fat dhe të vinit 4 vite përpara, do të shihnit godinën e Teatrit pasi atëherë i vunë rruspat. Sipas opozitës, pasi të vijnë në pushtet ai do të ringrihet: “aty ku ishte dhe ashtu si ishte”, ndërsa sipas qeverisë Teatri do të jetë një gjë e pa parë.
Megjithatë këtij kryeqyteti vërtet i mungon teatri, por jo estrada pasi çdo të enjte e ka zgjidhur vetë politika këtë çështje.
Shpjegimet e Kikos ishin me fjalë të thjeshta, të shpejta dhe të qarta.
Teksa i printe grupit samitist tek Biblioteka Kombëtare i bëri thirrje mos afroheshin për të hyrë.
Këtu nuk lejohet hyrja e majmunëve pasi ka dekada që nuk ka vend për lexuesit. Vendin e tyre e kanë zënë libra të shumtë historikë për lashtësinë e shqipes, libra për heronjtë e panumërt të këtij vendi. Një vend të posaçëm zënë volumet për historinë e krahinave, fshatrave, fiseve dhe familjeve.
Ecejaket nëpër Tiranë vijonin.
Stacioni i tretë i qëndrimit ishte Galeria e Arteve.
-Flakni përtacinë dhe ndizni imagjinatën se çfarë ka aty brenda pasi galeria është mbyllur para 3 vjetësh për ristrukturim, por do të hapet mandatin e 4-t të qeverisë, -tha Kiko duke i ftuar të kacavirren nëpër hekurishtet e instilacionit “Reja”.
Një turist samitist italian refuzoi ta dëgjojë më majmunin tonë dhe në mënyrë krejt të papritur thërriti:
-Muzeu mbyllur, Biblioteka mbyllur, cirku mbyllur, galeria mbyllur, teatri mbyllur, kinemaja mbyllur, çfarë dreqin do të shohim ne këtu?
-Hmm, ju italianëve ju zgjat durimi pak ndaj keni shpikur makaronat që përgatiten shpejt! Mos u mërzitni, nesër do t’iu tregoj pse nuk ka nevojë ky vend për muze, -tha Kiko.
Në fund të ditës, ndërsa dielli lëshoi rrezet e fundit mbi sheshin “Skënderbej” dhe turistët përgatisin postimet e tyre në Instagram të mbushura me thënie të mençura dhe selfie me të, Kiko mori frymë dhe u mbush me të gjithë ajrin e freskët të marsit.
“Kanë mesuar më shumë se ç’mund të kishin imagjinuar, por nesër është meseleja. Nesër…”
***
Samitistët fjetën shpejt, pasi ecejaket nëpër Tiranë i kishin lodhur tepërmi. Në ditën e dytë të turit, majmuni Kiko i priste tek “Bar Çakalli” krah operas ku në duar mbante një dosje.
-Sot nga ky vend ju do të mësoni se pse nuk duhen muzetë në Shqipëri. Pa vështroni bri jush Skënderbeun, heroin kombëtar me kalë dhe me shpatë! Po aty, para tij ka qenë “Baba Stalini” me kapotë e mustaqe. Bulevardi që keni përpara në drejtim të veriut, sot quhet “Zogu i I”, dje quhej “Bulevardi Stalin” dhe pardje “Bulevardi Musolini”. Me baba Stalinin na lidh edhe një zonë në Tiranë, ajo e 21 dhjetorit, dita e datëlindjes së tij.
Samitistët qëndronin të ngrirë përballë rrëfimeve të Kikos s’i të ishin statuja mbi sheshin “Skënderbej”.
-Pallatin e Kulturës që shihni në të majtën time, vetëm katin e parë bënë sovjetikët, katin e dytë e ndërtuan kinezët, ndërsa katin e tretë e mbaruam me forcat tona. Ndërkohë, aty ku shihni Muzeun ka qenë godina e Bashkisë së Tiranës.
Përgjatë Bulevardit në krahun e majtë ju shihni ministrinë e Drejtësisë, por ajo ka qenë Hotel Arbëria. Pak më poshtë është stacioni i trenit, pa stacion, pa tren, pa hekur e pa udhë pasi edhe për të jemi në pritje.
Ambasada e Vatikanit ka qenë ambasada e Kubës, ndërsa rezidenca e ambasadorit italian ka qenë muzeu “Lenin-Stalin”. Ministria e Arsimit ka qenë ambasadë sovjetike. Ndërsa Ministria e Kulturës ka qenë Kinostudio.
Sot do të shohim edhe një muze tjetër, “Shtëpinë e gjetheve”, që ka qenë seli përgjimesh e Sigurimit të Shtetit, por në kohën e Mbretërisë dhe Luftës së Dytë Botërore ka qenë klinikë private gjinekologjike. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka qenë Martenitet. Spitali ushtarak ka qenë stallë e kuajve të ushtrisë italiane. Po kështu edhe Akademia e Policisë.
“Këtu çdo godinë rënkon nga pesha e historisë” -tha Kiko ndërkohë që nisi shpjegimin nga ana jugore e Bulevardit të madh.
-Kjo që shihni është Presidenca, por dikur ka shërbyer si ambasada ruse, vepër që nuk arritën ta mbaronin dot pasi u prishën marrëdhëniet vëllazërore.
-Ndërsa kjo bina e madhe që duket se është universitet ka qenë lugotenenca fashiste dhe më pas ish komandatura gjermane.
Kjo ndërtesa e bukur që sot nuk kuptohet se çfarë është dikur ka qenë hotel Dajti, ndësa përballë është Taivani. Shqipëria nuk e njeh Taivanin, por ka një lokal/zonë me këtë emër.
Po të hapni google map tani, do të kujtoni se jeni te godina e Ministrisë së Jashtme, por kjo këtu ka qenë dikur hotel për punonjësit kinezë. Sa mbaruan së ndërtuari hotelin u prishën marrëdhëniet me Kinën.
Përballë MPJ, ju shikoni Drejtorinë e Policisë së Shtetit, por këtu ka qenë hotel Arbana, ndërsa Gjykata e Apelit ka qenë dikur komisariati nr.1 i policisë dhe më parë zjarrfikëset e Tiranës.
Parlamenti ka qenë ish-pallati mbretëror, ndërsa pallati i princit ka qenë për një kohë pallati i pionierëve.
Kiko vijoi me shpjegimin e historisë së godinave, rrugëve dhe rrugicave të Tiranës dhe vendosi të mbyllë ditën duke u shpjeguar turistëve domethënien e “Zogut të Zi”.
Pasi shpjegoi me detaje domethënien, shtriqi putrat dhe pyeti:
-E kuptoni tani pse këtu nuk duhen muzetë? Në këtë vend nuk ka nevojë për muze të mbyllur, ne jemi muze në qiell të hapur.
Discussion about this post