Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen e “Sterilizimit” dhe ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Posaçme, për kalim e çështjes në gjykim themeli.
Në total, nëntë persona janë marrë të pandehur. Zyrtari më i lartë nën akuzë është Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë, në kohën kur u dha koncesioni i sterilizimit, një prej më të kushtueshme të sektorit.
Personat e tjerë janë zëvendësi i Beqajt, Klodian Rjepaj, pronari i firmës përfituese të koncesionit nga Ministria e Shëndetësisë, Ilir Rrapaj dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertës.
Gjatë gjykimit paraprak, Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj akuzave të prokurorisë, duke konstatuar një lloj amnistie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili është nën hetim edhe për të tjera çështje të dyshuara korruptive.
Opozita po ashtu ka akuzuar se SPAK po mbron Ilir Beqajn me urdhër të shefit të tij politik, Edi Rama.
Personat e akuzuar
- Ilir Beqaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
- Klodian Rjepaj akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
- Ilir Rrapaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda.
- Marsela Serjani akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim,.
- Saimir Kadiu akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
- Petref Mersini akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
- Arben Gjata akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
- Genc Burazeri akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
- Naile Ajazi akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Të dhëna të rreme për të fryrë kostot
Hetimet 4-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini. Referuar hetimeve, vlera e koncesionit që llogaritet rreth 100 milionë euro, është fryrë fiktivisht dhe dhjetëra milionë euro.
Në një njoftim zyrtar, SPAK saktëson se ka regjistruar procedimin penal për një sërë veprash penale më 13 Janar 2020, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas hetimeve: rezulton e provuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare. Ai ka ndryshuar disa herë këto të dhëna financiare, deri në arritjen e atyre të miratuara nga Komisioni i Dhënies së Koncensionit. Këto ndryshime janë kryer me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave, në funksion të miratimit të projektit nga Ministria e Financave.
Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar, thotë SPAK, se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur Ministrisë së Financave. Gjithashtu, në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.
Gjithashtu, në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues po të pandehurin Ilir Rrapaj.
Akuzat
Për këto veprime, të pandehurit Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, akuzohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda.
“Ish-Zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, për të gjitha veprimet ose mosverpimet e sipërcituara, provohet plotësisht se kanë konsumuar elementët e veprave penale të ‘Falsifikimit të dokumentave’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Shpërdorimit të detyrës’ e kryer në bashkëpunim, pasi me veprime aktive, kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta”, shton SPAK.
Shpërdorim detyre për Beqajn
Për ish-ministrin e Shëndetësisë është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.
“Për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për koncesionet, sipas akuzës, rezulton e provuar plotësisht, se ish Ministri i Shëndetësisë, i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn”, njofton Prokuroria e Posaçme.
Sekuestrot ndaj Ilir Rrapajt
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal është proceduar me caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive, vendosur me vendimin e datës 22.01.2024, të Gjykatës së Posaçme, për pjesën takuese prej 40% të Shoqërisë “Sani Servicve” Sh.p.k.; Shoqërinë ‘Globalsher’ Sh.p.k. dhe asetet e saj, me ortak të vetëm të pandehurin Ilir Rapaj.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është kryer sekuestrimi i 40% të kuotave të shoqërisë “Sani Service” Sh.p.k.. Konkretisht, kuota që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues të pandehurin Ilir Rrapaj, si dhe është kryer sekuestrimi i 100% të kuotave të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k., duke u bërë dhe shënimet përkatëse në Ekstraktin Historik të Regjistrit Tregtar, për shoqërinë e mësipërme.
Janë sekuestruar dhe llogaritë bankare të subjektit “Globalsher” sh.p.k., një llogari në shumën prej 285,412,48 Euro dhe një llogari me balancë prej 113,610.93 Lekë (llogari që gjendeshin në një bankë të nivelit të dytë).
Janë sekuestruar 13 (trembëdhjetë) automjete të shoqërisë ‘Globalsher’ sh.p.k., nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj shoqërie, si dhe një pasuri e paluajtshme apartament 2+1, në pronësi të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k., në qytetin e Vlorës.
Hetimet vijojnë
SPAK thotë se hetimet për rastin vijojnë në një tjetër procedim të ndarë nga dosja e “Sterilizimit”
“Hetimet vazhdojnë në kuadër të procedimit penal të ndarë nr.13/1, të vitit 2020, lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin nga persona subjekte të hetimit të kësaj prokurorie gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare etj”, mbyllet njoftimi i akuzës.
Pikëpyetjet e dosjes
Hetimet për “Sterilizimin” kanë marrë kritika veçanërisht për rolin që i atribuon Prokuroria ish-ministrit Ilir Beqajt. Opozita ka akuzuar se Beqaj është koka e aferës dhe jo një ministër që veç ka hedhur firmën në allishverishet e përgatitur nga vartësi i tij, siç pasqyrohet në fashikujt e prokurorëve specialë Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi.
Një qëndrim jo shumë larg nga ky që vjen nga sfera politika, ka dhënë dhe gjyqtari paraprak i çështjes Erion Bani. Ky i fundit ka sugjeruar se ndaj Beqajt duhet të shtohej edhe akuza penale për veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë, i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burgim nga tre deri në 7 vjet. Po ashtu, ka vlerësuar se ndaj ish-ministrit duhet të caktohej masa e sigurimit të arrestit në burg dhe jo ajo detyrim paraqitjes, që kanë kërkuar prokurorët Kondili e Nakuçi.
Sipas gjyqtarit Bani, krijohet bindja se është pikërisht Beqaj që ka cilësinë e organizatorit të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje ish-ministri Ilir Beqaj i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën prej rreth 8.6 miliardë lekësh. “Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillim të procedurës, pasi gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoi nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të jetë kosto e koncesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar,” argumenton gjyqtari, ndërsa shton se pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por lidhen edhe me cilësinë e shërbimit jetik sikurse është sterilizimi i sallave operatore që lidhet drejtpërdrejtë me shëndetin e pacientëve.
Hetimi ndërkohë dështon të faktojë dyshimin se paratë e përfituara nga fryrja e kostove të koncesionit shkuan në xhepat e Beqajt dhe zëvendësit të tij. Ndaj asnjë prej të pandehurve nuk është ngritur akuza e korrupsionit.
Nisur nga konstatimet e gjyqtarit paraprak mbi dosjen, e pritshme është që gjyqtari Bami ta kthejë në SPAK për plotësim të hetimeve.
Discussion about this post