Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime lidhur me një tender për rikonstruksionin e disa urave në zonën e Tropojës.
Mësohet se Byberi ka dhënë shpjegime për këtë tender, i cili tashmë është vënë në lupën e Prokurorisë së Posaçme – SPAK. Objekti i këtij hetimi janë zyrtarë të bashkisë Tropojë dhe administratorët e kompanisë fituese të këtij tenderi, Rrok dhe Verë Gega.
Për këtë rast, SPAK ka regjistruar dosjen penale me Nr.47, ku janë ngritur dyshime të forta se kompania “Rroku Guest” ka kryer punime fiktive, ndërsa autoriteti kontraktues është Bashkia e Tropojës.
Hetimi ka nisur në muajin shkurt 2024, ndërsa gjatë kësaj kohe SPAK ka kërkuar nga zyrtarët e bashkisë Tropojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që lidhet me procedurat e tenderit publik me objekt “Ndërtim e rikonstruksion urash në bashkinë Tropojë”.
Sipas dokumenteve zyrtare, për mirëmbajtjen e disa urave në zonën e Tropojës, bashkia e këtij qyteti ka shpenzuar një shumë prej 145 milion lekë të vjetra, të cilat janë arkëtuar në llogarinë bankare të kompanisë së ndërtimit “Rroku Guest”.
Kjo pagesë është kryer nga ana e Bashkisë Tropojë në 29 janar 2024, ndërsa regjistrimi i faturës së shitjes është kryer në 29 dhjetor 2023.
Kalimi i kësaj shume në llogaritë e “Rroku Gest”, që menaxhohet nga çifti Rrok dhe Vera Gega, ka ngjallur dyshime të forta, ndaj dhe prokuroria e posaçme SPAK, ka nisur hetimet për këtë subjekt ndërtimi dhe zyrtarët e bashkisë së Tropojës.
Një muaj para se Rexhë Byberi të thirrej për tu pyetur, SPAK ka kërkuar nga ana bashkisë Tropojë, ti vendosi në dispozicion faturën Nr.39 të datës 29 dhjetor 2023 si dhe situacionet e punimeve dhe urdhrin e shpenzimeve të kryera nga ana e kompanisë së ndërtimit “Rroku Guest”.
Dyshimet e SPAK, janë për paraqitje situacionesh punime fiktive me qëllimin e vetëm të lëvrimit të fondeve publike nga buxheti i bashkisë Tropojë.
Prokuroria ka kërkuar ditarin e punimeve për këtë procedurë tenderimi, kontratën e lidhur me këtë subjekt privat si dhe subjektin mbikëqyrës të punimeve që janë kryer për rikonstruksionin e disa urave në bashkinë Tropojë.
“Rroku Guest” është një shoqëri ndërtimi që ka fituar dhjetëra tendera publikë në disa bashki të zonës së veriut. Kompania administrohet nga Rrok Gega, por për shkak të problemeve me drejtësinë pasi ai u dënua për mashtrim me faturat fiktive, “Rroku Guest”, i kaloi me kontratë dhurimi bashkëshortes së tij, Verë Gega.
/Ora News/
Discussion about this post