Në një intervistë për BIRN, Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira, BFMI, paralajmëron se mediat dhe faqet e internetit që përhapin narrativa pro-Kremlinit dhe krijojnë mosmarrëveshje etnike në Ballkan po financohen përmes reklamave algoritmike nga marka të famshme perëndimore.
Kur në gusht të vitit 2022, një mosmarrëveshje për targat e automjeteve u përshkallëzua midis Prishtinës dhe Beogradit, mediat në rajon që shpërndanin narrativa pro-Kremlinit e ekzagjeruan, duke pretenduar se në Kosovë kishin shpërthyer luftimet dhe se forcat serbe kishin hyrë në territorin e saj.
Krahas titujve që ekspertët i lidhën me një fushatë dezinformimi rus, Antoinette Nikolova – korrespondente me bazë në Bruksel dhe drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira (BFMI) vuri re se ishin postuar reklama nga marka të njohura perëndimore.
“Reklamuesit po blejnë hapësirë reklamimi nga bursat, hapësirë reklamimi nga agjenci ndërmjetësuese; ata nuk e dinë se ku po shkojnë reklamat e tyre”, tha Nikolova në një intervistë në ZOOM nga Brukseli, ndërsa shtoi se reklama nga reklamues të famshëm si Lidl ose Volvo tani po shfaqen në lajme që pretendojnë se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u vra nga CIA.
BMFI pohon se kjo është për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies në zinxhirin e furnizimit të shërbimeve të reklamave digjitale, gjë që i bën ata jo vetëm të sigurojnë fonde për mediat që përhapin dezinformim, por edhe të legjitimojnë përmbajtjet e tyre të rreme.
“Nuk është mirë që reputacioni i kompanive të mëdha të lidhet me informacione të tilla”, tha Nikolova.
Një analizë e përbashkët nga NeësGuard dhe Comscore e botuar në vitin 2021, zbuloi se miliarda euro të ardhura nga reklamat dërgohen çdo vit drejt botuesve të keqinformimeve dhe dezinformimeve, përfshirë qindra miliona të ardhura që mbështesin pretendime të rreme shëndetësore, mite kundër vaksinave, dezinformime zgjedhore, propagandë dhe forma të tjera lajmesh të rreme.
Në një raport të botuar në dhjetor 2023, BFMI dhe organizata e pavarur e shoqërisë civile me qendër në Beograd, CRTA, zbuluan se markat globale që reklamonin në Ballkan po financonin faqe në Bullgari dhe Serbi që përhapnin dezinformim rus.
Në vitin 2024, më shumë se 60 vende do të mbajnë zgjedhje, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, superfuqinë më të madhe në botë, dhe dy konflikte të mëdha ushtarake në Evropë dhe Lindjen e Mesme kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë. Raporti i Rreziqeve Globale 2024 i prezantuar në konferencën e përvitshme të Davosit, njohu keqinformimin dhe dezinformimin si rrezikun më të madh afatshkurtër.
Më 26 prill, një grup ndërpartiak anëtarësh të Parlamentit Evropian u bëri thirrje markave globale që të ndalojnë reklamat në mediat që propagandojnë aktivisht dezinformimin pro-Kremlinit në Evropë përpara zgjedhjeve të ardhshme të BE-së, duke cituar raportin e BFMI-së.
Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanke për Media të Lira, BFMI.
Nikolova vuri në dukje Rusinë dhe Kinën midis fuqive të huaja që përhapin dezinformim në Ballkanin Perëndimor. Ajo vuri në dukje se disa vende në Ballkanin Perëndimor, si Bullgaria dhe Serbia, janë tradicionalisht afër Rusisë dhe mbajnë një marrëdhënie të ngushtë.
“Ata ndajnë një përkatësi gjuhësore dhe kristiano-ortodokse dhe kjo është shumë më e lehtë për Rusinë që t’i vendosë ata nën ndikimin e saj”, vuri në dukje ajo.
Megjithëse përpjekjet e Kinës për të ndikuar në rajon janë të krahasueshme me ato të Rusisë, Nikolova tha se Pekini është më pak agresiv se Kremlini.
“Për mendimin tim ata janë të fokusuar më shumë në përfitimet ekonomike”, tha ajo.
Nikolova vëren se narrativat anti-perëndimore në vende si Serbia, Bullgaria dhe Hungaria po përhapen shpesh nga agjencitë e lajmeve që kanë mungesë parash, të cilat, të përballura me mungesa buxhetore, nuk e përballojnë dot abonimin në burime perëndimore si Associated Press ose Reuters.
“Nëse dëshironi të citoni Associated Press ose Reuters për shembull, normalisht ju duhet një abonim, i cili është mjaft i shtrenjtë për shumicën e këtyre vendeve”, tha ajo. “Rusia po e ofron atë shërbim falas, madje Kina po paguan agjencitë shtetërore që të preventivat e tyre, për të përdorur informacionin e tyre”, nënvizoi Nikolva, ndërsa shtoi se kjo përkthehet në fuqi të butë.
Ajo vuri në dukje se deri dy vjet më parë një agjenci lajmesh në një vend ballkanas publikonte 40 lajme në ditë nga agjencia shtetërore kineze Xinhua.
“Ishte qesharake sepse mund të lexoje një raport në lidhje me Gjermaninë ose Brukselin, për shembull, jo nga dikush në Berlin apo Bruksel, por duke cituar një agjenci kineze”, shtoi ajo.
Korrespondentja veterane e huaj vëren se sot më shumë se 70 për qind e informacionit që njerëzit marrin vjen nga rrjetet sociale. Nikolova thekson se në Bullgari burimi kryesor i informacionit është Facebook dhe në vende të tjera ish-platforma Tëitter “X”. Ajo tha se ka pasur probleme me personat që moderojnë përmbajtjen e platformave të rrjeteve sociale, veçanërisht në Bullgari.
Për fat të mirë, vëren Nikolava, Direktiva e sapo miratuar e Aktit të Shërbimeve Digjitale e BE-së ka prezantuar kërkesa mbi platformat për sa i përket transparencës, llogaridhënies, zbatimit dhe aksesit të të dhënave për kërkuesit.
“Evropa është një lloj pioniereje në këtë”, tha ajo. “Megjithatë, nuk është e lehtë, sepse teknologjia po ecën më shpejt se njerëzit, organizata, rregulloret”, shtoi Nikolova.
Akti i Shërbimeve Digjitale është një direktivë e BE-së e miratuar në tetor 2022, që rregullon platformat dhe tregjet online, duke përfshirë rrjetet sociale, platformat e ndarjes së përmbajtjes, app store-t dhe platformat online të udhëtimit dhe akomodimit.
Sipas Komisionit Evropian, qëllimi kryesor i DSA-së është të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të dëmshme në internet dhe përhapjen e dezinformatave, duke garantuar sigurinë e përdoruesve, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të hapur të platformës online.
Nikolova vëren se si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe standardet për lirinë e medias, duke përfshirë DSA-në.
“Akti i Shërbimeve Digjitale është një hap i madh, sepse do t’u kërkojë platformave të moderojnë përmbajtjen, të marrin vendime për reklamat, që është një problem i madh, dhe gjithashtu të trajtojnë algoritmet e tyre, si dhe të përmirësojnë mediat që ndjekin standardet profesionale”, parashikoi Nikolova.
BMFI pohon se luftimi i dezinformimit nuk është një detyrë e lehtë dhe kërkon adresimin e çështjeve strukturore që ndikojnë në lirinë e medias, duke përfshirë pronësinë, financimin dhe rregullimin e medias. Organizata argumenton se një mjedis informativ i shëndetshëm është i rëndësishëm për lirinë e medias.
Discussion about this post