Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, sapo erdhi në pushtet i vendosi menjëherë lidhjet me bizneset që ushqejnë korrupsionin me tenderat. Por shpejt i kanë dalë të palarat në shesh! Tenderi i zhvilluar nga bashkia së fundmi për të blerë asfalt është kthyer për rishqyrtim me vendim të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-94268-01-31-2024 dhe objekt “Blerje asfalti’ dhe fond limit 375 milionë lekë (pa Tvsh).
Ky fond limit mbase nuk do të ishte kaq i madh, por kur bëhen pazare në prapaskenë kemi fryrje të shumave që duhen shpenzuar.
Për më tepër, kryetari Qosja nuk ka nguruar që të shkelë hapur rregullat për prokurimet publike në këtë tender, prandaj edhe i valëvitet në krye ‘Flamuri i Kuq’ i vendosur nga Open Data Albania. Kjo është shenjë që vendoset për të treguar riskun e korrupsionit.
Shohim nga dokumentet se për këtë prokurim kanë paraqitur ofertat e tyre 4 kompania, ku “RRUGA URA ASFALTIM NR 2 ELBASAN” SHA, “Shkëlqimi 07” SHPK dhe BOE “BIBA X” – “BIMAK” SHPK kishin ofertat më të lira me vlerë 244 milionë lekë deri në 270 milionë lekë. Kjo do të thotë se minimalisht do t’i kursenin buxhetit të shtetit 100 milionë lekë.
Por, interesi i Qoses ka qenë që këto 100 milionë lekë t’i xhirojë në arkën e përfituesit të tenderit, prandaj i ka skualifikuar të tjerët në fazën e parë dhe ka lënë të vlefshëm vetëm propozimin e firmës “A.L Asfalt” SHPK. Kjo kompani ofroi furnizimin me vlerë 370 milionë lekë, sa 99% e fondit limit. Që këtu është bërë shkelja e parë.
Ndërsa fakti që kontratat u lidh me “A.L Asfalt” SHPK pavarësisht se ajo nuk kishte asnjë kompani përballë për të konkurruar, ishte lëvizja që i vuri vulën abuzimit.
Denoncimi
Gjithsesi njëra prej kompanive nuk ka heshtur. Bashkimi i operatorëve “BIBA X” – “BIMAK” SHPK ka dorëzuar ankesën në KPP më datë 1 mars të këtij viti. Nga shqyrtimi paraprak i ankesës të sipërcituar, u konstatua se objekti lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga BOE “Biba-X” SHPK & “Bimak” SHPK. Oferta e tyre është skualifikuar me argumentin se “Bimak” SHPK nuk është certifikuar për të prodhuar asfalt.
Por në sqarimin e bërë nga ankimuesi shprehet se ata kundërshtojnë këtë fakt, madje duke publikuar dokumentet sqarojnë se “Bimak” do të kryejë vetëm transportin e asfaltit, duke qenë se zotëron certifikata për këto zëra, ndërsa prodhimin e asfaltit do ta bëjë firma “Biba-X”.
Ndërkohë komisioni i vlerësimit të ofertave ka gjetur justifikimin më pas se dokumentet e dorëzuara nuk hapen. Në fakt për këtë pengesë Bashkia duhej ta kishte njoftuar prej fillimit operatorin konkurrues dhe jo ta s’kualifikonte ato me pretendime komike.
Gjithsesi KPP gjatë shqyrtimit të procesit i ka kërkuar ankimuesit që të dorëzojë dokumentin ku tregon se cilat detyrime do të kryejë secili nga bashkëpunëtorët dhe certifikatat e nevojshme.
“Lidhur me arsyen e skualifikimit të BOE “Biba-X” SHPK & “Bimak” SHPK” SHPK se: “Nga verifikimi i kryer për dokumentet e tenderit te paraqitura ne SPE operatori ekonomik BIBA-X nuk ka paraqitur shtojcës 8 (vetë deklarim). Dokumenti i ngarkuar nuk hapet është i dëmtuar. Është detyrë dhe përgjegjësi e OE që të ngarkojë dokumentet në sistem në mënyrën e duhur dhe të sigurohet që çdo dokument i ngarkuar është i rregullt dhe hapet”, thuhet në dokument.
Pasi ankimuesi ka dorëzuar menjëherë këto dokumente që kërkohen, KPP ka vendosur që të pranojë kërkesën e tij. Ndërsa nuk pengon bashkinë të vazhdojë me procedurat e tenderit, por i kërkon që të bëjë edhe njëherë rishikimin e drejtë të ofertave të tjera, si dhe të marrë në konsideratë ofertën më të lirë sikur e kërkon ligji.
Tjetër denoncim
Por zullumi i Qosjes është kaq i madh, sa për këtë tender paska edhe një denoncim tjetër.
Më datë 05.03.2024, pranë Komisionit të Prokurimit Publik është administruar ankesa e operatorit ekonomik “Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan”, SHPK dhe objekti i ankesës lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga ky operator ekonomik në procedurën e tenderimit. Kjo firmë gjithashtu pretendon se Fisnik Qosja ka favorizuar A.L-ASFALT në pronësi të Astrit Varakut dhe Luan Memës, ndërsa ofertat e tjera janë skualifikuar pa u shqyrtuar fare. Ndërkohë pritet vendimi i KPP edhe për këtë denoncim, që duket se do ta pengojë kryebashkiakun të çojë deri në fund vendimin që eliminon dhe “asfalton” konkurrencën ndaj fituesit të paracaktuar.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post