Anketa vjetore e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) doli në përfundimin se mungesa e fuqisë punëtore dhe kostot e punës janë rreziqet më të mëdha që shohin bizneset në aktivitetin e tyre në vitin në vazhdim.
Elementet e nxjerra në pah nga kjo anketë herë pas here kanë tregues pozitivë, ashtu si edhe përkeqësime në raport me vitin 2023.
Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në periudhën shkurt-mars 2024, situata aktuale ekonomike në Shqipëri vlerësohet në rritje nga viti i kaluar, ku vihet re se 45% e kompanive e vlerësojnë situatën ekonomike si “të kënaqshme”. Gjithashtu, 22% e të anketuarve e vlerësojnë situatën me “mirë”, dhe 33% e të anketuarve e vlerësojnë atë negativisht. (2023: 18%, 36%, 45%).
“Pritshmëritë për situatën ekonomike në vend vijojnë të mbeten afërsisht në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, ku 22% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomike me “mirë”, 51% e kompanive vlerësojnë si “të pandryshuar“, ndërsa 27% e tyre e vlerësojnë negativisht (2023: 25%, 45%, 30%).
Situata ekonomike e sektorit vlerësohet gjithashtu afërsisht e njëjtë me vitin e kaluar, ku 24% e të anketuarve e vlerësojnë me “mirë”, ndërkohë që 38% e vlerësojnë si ’’të kënaqshme’’ dhe 38% e vlerësojnë negativisht. (2023: 27%, 41%, 32%).
Pritshmëritë për situatën ekonomike sipas sektorit vlerësohen nga 30% e të anketuarve në rritje, nga 48% si ’’të pandryshuar’’ dhe nga 22% vlerësohen negativisht. (2023: 34%, 39% dhe 27%)” thuhet në njoftimin e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.
E njëjta vlerëson se për sa i përket ecurisë së pritshme të të ardhurave të biznesit të tyre, 32% e të anketuarve presin rritje të të ardhurave, ndërkohë që 30% mendojnë se ato do të qëndrojnë të pandryshuara. Ajo që vihet re, në ndryshim me dy vitet e kaluara, është se një përqindje e lartë prej 38% besojnë se të ardhurat e biznesit të tyre do të ulen. (2023: 50%, 32%, 18%)
Situata për vetë bizneset vlerësohet nga 27% e të anketuarve me“mirë”, 51% e kompanive e vlerësojnë si“të pandryshuar”, ndërsa 22% e tyre e vlerësojnë negativisht (2023: 39%, 41% , 20%).
Ecuria e investimeve kapitale, ecuria e eksporteve dhe zhvillimi i parashikuar i numrit të punonjësve, vlerësohen nga më shumë se gjysma e të anketuarve të qëndrojnë “të pandryshuara”, pra në një rritje të konsiderueshme, përkatësisht me 49%, 57% dhe 54% (2023: 41%, 40%, 48%).
“Faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, të vlerësuar më pozitivisht në krahasim me vitin e kaluar përfshijnë infrastrukturën, disponueshmërinë dhe cilësinë e furnitorëve lokalë, negociatat për anëtarësimin në BE, arsimimin akademik si edhe fleksibilitetin në të drejtën e punës.
Ndër faktorët e vlerësuar më negativisht vijojnë të renditen transparenca e tenderave publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, parashikueshmëria e politikave ekonomike, disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe siguria ligjore.
Kjo përforcohet edhe nga përgjigjja ndaj pyetjes “Ku i shikoni rreziqet më të mëdha në zhvillimin ekonomik të kompanisë suaj në 12 muajt e ardhshëm?”, ku “Mungesa e forcës së punës” dhe ’’Kostot e punës’’ vlerësohen si rreziqet më të mëdha për biznesin” vlerëson anketa.
Ambasadori Gjerman, z. Karl Bergner, në nisje të aktivitetit tha se Gjermania është një partner afatgjatë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Zhvillimi ekonomik i vendit është në këtë rrugëtim po ashtu një përpjekje e madhe.
“Gjermania mbështet Shqipërinë në mënyrë intensive dhe gjithashtu në shumë nivele: përmes mbështetjes së integrimit rajonal të Shqipërisë, përmes këshillimit të Qeverisë Shqiptare në grup-kapitujt mbi tregun e brendshëm si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në sektorët e energjisë, ujit, zhvillimit të qëndrueshëm urban, arsimit profesional, startup-eve dhe inovacionit.
Megjithatë, për të rritur atraksionin e Shqipërisë si vend për investime ekonomike edhe nga Gjermania, nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët në krijimin e një klime pozitive investimi si dhe sigurimin e një fushe loje të barabartë për investitorët” tha ai.
Presidentja e DIHA-s Zj. Stephanie Sieg-Farka mbajti fjalën e saj përshëndetëse dhe theksoi se rezultatet e anketës së fundit ekonomike tregojnë se pritshmëritë e kompanive anëtare mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, por mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore dhe rritja e kostove të punës mbeten shqetësime kryesore për biznesin.
Megjithatë, pavarësisht sfidave rajonale dhe globale, vendi duhet të vazhdojë të fokusohet tek integrimi në Bashkimin Evropian.
Mbi anketimin
Nga data 19 shkurt deri më 15 mars 2024, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, së bashku me 16 Dhoma Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.
Nga të gjitha zyrat (AHK) të rajonit EQJL morën pjesë në këtë anketim 1533 kompani. Pjesëmarrësit marrin pjesë në këtë anketim online dhe përgjigjet analizohen në mënyrë anonime. Tematika dhe gama e pyetjeve është për të gjitha vendet njësoj.
Discussion about this post