Vartësja e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Gjakut, Irena Seferi po i shpërdoron fondet në tenderë pa garë. Këtë herë bëhet fjalë për procedurën që mban numrin e referencës REF-01542-04-16-2024 me një fond limit rreth 360 milionë lekë.
Objekti i prokurimit është “Karta, reagentë dhe aksesorë të tjerë për Lab e Imuno-hematologjisë, dhe Bankat e gjakut në Tiranë, përfshirë vënien e pajisjeve në përdorim”. Nëse shfletojmë dokumentacionin e këtij tenderi do të shikojmë se kanë marrë pjesë vetëm dy kompani dhe në përfundim është lënë vetëm njëra.
Konkretisht, kanë shfaqur interes firmat “Laser Med” dhe “PEGASUS” e Janis Karathanos. Firma e parë u përjashtua për mungesë dokumentacionesh dhe duke mbetur e vetme në fazën finale u shpall fituese menjëherë “PEGASUS” me propozimin gati 300 milionë lekë. Ndërkohë firma e eliminuar kishte ofertë 245 milionë lekë, pra 55 milionë lekë më pak. Këto lekë mund të kurseheshin. Kjo mund të arrihej, nëse Seferi me Koçiu do të kishin ndjekur procedurën ligjore, duke e anuluar tenderin në pritje të ofertave të përshtatshme.
Denoncimi
Open Data i ka vendosur “Flamur të kuq” këtij tenderi, për të shënuar riskun e korrupsionit. Meqenëse institucionet eprore, qoftë ministrja, apo Agjencia e Prokurimeve nuk reagojnë, kompania tjetër, Laser Med, është ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik.
Në dokument njoftohet se, “në datën 28.05.2024, nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankesa me numër ankimi elektronik e operatorit ekonomik “LASER MED” SHPK. Nga shqyrtimi paraprak i ankesës të sipërcituar, u konstatua se objekti i ankesës lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga operatori ekonomik “LASER MED” SHPK.
Pra, përmes kësaj ankese “Laser Med” ngre dyshimin se fituesi ishte paracaktuar dhe se oferta e saj është skualifikuar pa u shqyrtuar dhe vlerësuar si duhet nga komisioni i vlerësimit të ofertave.
Për këtë çështje pritet vendimi i KPP, por vlen të kujtojmë se Janis Karathanos e ka bërë rrugë me këtë procedurë, pasi çdo vit gllabëron pjesë të mëdha të buxhetit të Shëndetësisë përmes procedurave fiktive që mbysin konkurrencën.
Më poshtë tregohet se në vitin 2022, ‘PEGASUS’ mori tenderin me objekt Lot 1 “Karta, reagentë dhe aksesorë të tjerë për Laboratorin Imuno-Hematologjisë ne QKTGJ dhe Bankat e gjakut në Tirane përfshirë vënien e pajisjeve ne përdorim”. Para dy vjetësh mori një fond më të lartë, rreth 600 milionë lekë.
Duket sikur kjo histori përsëritet çdo vit pasi edhe në atë kohë është bërë një denoncim në KPP për këtë tender.
Gjithsesi, asaj kohe KPP ka qenë në krahun e Karathanos dhe ai ka vazhduar procedurat i lirë. Kështu që nuk është aspak çudi që edhe për tenderin aktual peshorja të anojë nga oligarku që favorizohet nga ministrja dhe drejtoresha.
Kujtojmë se në vitin 2022, Kontrolliit të Lartë i Shtetit referoi në organin më të lartë hetimor SPAK dosjen e koncesionit të laboratorëve të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes, si një koncension korruptiv dhe të paligjshëm.
Në kallëzimin e KLSH referohen shkelje konkrete, të cilat kanë diktuar fituesin e këtij shërbimi, në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera, me qëllim për të kanalizuar dhe ndarë paratë me përfituesit e koncensionit.
Në 23 korrik 2019 regjistrohet në Tiranë kompania LABORATORY NETËORKS, me kapital 10 milionë lekë, e cila do të zbatonte kontratën e koncensionit me vlerë 130 milionë euro të laboratorëve të analizave mjekësore. Kompania e zbatimit themelohet në qershor 2019, regjistrohet në korrik, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e kishte lidhur kontratën që në prill 2019 me bashkimin e tre kompanive fituese të koncensionit. Kompania është në pronësi të tre kompanive me vendndodhje në Shqipëri, Holandë dhe Francë. E para është LABOPHARMA SHPK, themeluar në 2007 nga shtetasi grek Ioannis Xopapas dhe Janis Karathano
Kompania Labopharma, e skeduar për mospagim detyrimesh tatimore dhe që ka një licencë për shitje barnash, ka 41.7 % të aksioneve, rrjedhimisht të koncensionit të laboratorëve.
Sot, pronar të Laboparma janë Janis Karathano me 50 % të aksioneve dhe kompania T-MEDSS me 50 % të aksioneve.
Pronar i T-MEDSS, një kompani fantazmë e themeluar në vitin 2021, është Sokol Ramizi. Sokol Ramizi është edhe administrator i koncensionit të laboratorëve. Sokol Ramizi, me anë të T-Medis është aksioner te kompania Megapharma e Rasim Hamzarajt, i njohur si daja i Petrit Vasilit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post