Fill pas vendimit të KQZ-së që shpalli pavlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama kërkon nga Presidenti Bajram Begaj shpalljes e datës për zgjedhjet e reja në Himarë.
Kërkesa mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Engjëll Agaçi vjen para përfundimit të afatit për ankimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kërkesa
“Në zbatim të ligjit nr.138/2015, ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike etj.
Me vendimin nr.69, datë 5.7.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet Komisionerit Shtetëror konstatoi pamundësinë e ushtrimit të detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë, zoti Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe si pasojë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të bashkisë, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj”, thuhet në dokument.
“Në lidhje me këtë vendimmarrje kemi marrë njoftim zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, ‘Për vetëqeverisjen vendore’, ju njoftojmë për krijimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor”, thuhet më tej në shkresën drejtuar Presidencës.
Seanca në KQZ
Më herët gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi pavlefshmërinë e mandatit të Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë.
Komisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se KQZ ka tagrin ligjor për të këtë vendimmarrje, pavarësisht pretendimeve të Belerit – i pranishëm në sallë i shoqëruar nga forca të shumta policie, avokates së tij dhe përfaqësuesve të opozitës,
“Me bindje të plotë tej çdo komenti që çdokush mund të bëjë, unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë,” u shpreh Celibashi, duke argumentuar se ligji i dekriminalizimit është i qartë dhe ndalon jo vetëm kandidimin e personave në konflikt me ligjin, por më shumë të atyre që janë të zgjedhur.
“Shpall të pavlefshëm mandatin,” theksoi ai, ndërsa shtoi se “kundër këtij mund të bëhet ankim brenda 30 ditëve”.
Beleri pohoi se ishte i vetëdijshëm që e kishte humbur mandatin dhe të drejtën për të qeverisur qytetarët e Himarës, por kërkoi që procedura për pavlefshmërinë e mandatit të tij të mos ishte politike, siç e konsideroi ai, por juridike dhe e drejtë. Ai theksoi se dikush do të nxjerrë gështenja nga zjarri me duart e KQZ-së.
“Institucioni që ju drejtoni ka ruajtur nderin e këtij shtetit, të gjitha institucionet e tjera janë bërë pjesë e paligjshmërisë për mua dhe banorëve të Himarës që më votuan për të drejtuar,” tha Beleri, ndërsa shtoi ai fillimisht duhet të betohet e më pas të shkarkohet.
“Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht,” tha ai më tej.
Ndërkohë avokatja e tij, Klodiana Gjyzari, pohoi se KQZ nuk e ka tagrin ligjor për të shqyrtuar këtë çështje. Sipas saj, nuk është kompetencë e KQZ që të verifikojë mandatin e Belerit në kushtet kur ai është zgjedhur, por nuk është betuar.
“S’ka asnjë depozitë të Kodit Zgjedhor që i jep të drejtë që në këtë fazë që është procesi i Belerit nga ana e KQZ të merren iniciativa të tilla. KQZ mund të kryejë verifikim të tillë vetëm bazuar në të dhënat e formularit të dekriminalizimit asnjë e dhënë jashtë formuarit s’mund të merret në verifikim nga KQZ, procedura është e pavlefshme, keni kaluar kompetencat që u parashikon ligji, kërkojmë pushimin e procedurës”, shtoi ajo.
Të njëjtën qasje pati dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso, i cili kërkoi që procedura për shkarkimin e Belerit të ndiqej nga Këshilli i Ministrave.
“Beleri është një person i zgjedhur, nuk ka ushtruar mandatin, është i dënuar, por nuk aplikohet ligji për dekriminalizimin, por ai për qeverisjen vendore. Pra në rastin konkret duhet që Qeveria ta shkarkojë Fredi Belerin dhe mos e trajtojë si patate të nxehtë çështjen. Edi Rama të marrë përgjegjësinë, të thotë se Fredi Beleri është dënuar me vendim të formës së prerë dhe ta shkarkojë”, pohoi Kaso.
Ndërsa për përfaqësuesin ligjor të Partisë Socialiste, Eridian Salianji, çështja ishte shumë e qartë dhe Beleri e humb mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
“Nëse do të ishte bërë betimi dhe do kishte nisur detyrën, atëherë Rama mund të bënte shkarkimin”, tha ai.
Rama nuk pret ankimin
Pavarësisht vendimit të komisionerit Celibashi, Beleri ka 30 ditë kohë për të ankimuar pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve vendimin dhe Vangjel Dule në përfundim të seancës deklaroi ndjekjen e çdo hapi ligjor “për të vendosur të drejtën në vend”.
Në përfundim të të gjitha procedurave ankimuese, Presidenti i Republikës duhet të shprehet me dekret për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës.
Rama nga ana tjetër, nuk ka pritur vendimin e Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave për Belerin, por i ka kërkuar me urgjencë kreut të shtetit shpalljen e datës së re për zgjedhjet në Himarë.
Urgjenca e Ramës vihet re edhe në një tjetër dokument dërguar më herët KQZ-së, ku i kërkon ta njoftojë instuciopnalisht lidhur me vendimmarrjen për Belerin.
Në shkresën drejtuar KQZ, të firmosur po nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, thuhet se “pas marrjes dijeni të njoftimit të zhvillimit të seancës publike nga ana juaj në datë 5 korrik 2024, për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, dhe në përfundimit të seancës publike, lutemi njoftimin tuaj në lidhje me vendimmarrjen”.
KQZ i është përgjigjur Këshillit të Ministrave, duke e njohur me vendimin.
Pas vendimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është thërritur në një takim zyrtar në Presidencë.
Discussion about this post