Presidenti Joe Biden këmbëngul se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë që të tërhiqet nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Por në rast se do të ndryshonte mendje, nënpresidentja Kamala Harris duket se është e pozicionuar mirë për ta zëvendësuar atë.
Harris do të kishte avantazh krahasuar me emrat e tjerë të përmendur si alternativa të mundshme nga radhët e demokratëve, si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsome dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer. Ajo është sprovuar tashmë si kandidaturë e suksesshme së bashku me Presidentin Biden, ka siguruar mbështetje prej vitesh në bazën demokrate dhe do të mund të trashëgonte menaxhimin e fondeve të mëdha nga kontributet e mbledhura nga fushata për rizgjedhjen e Presidentit Biden.
Presidenti Biden fitoi me lehtësi zgjedhjet paraprake për të marrë emërimin si kandidat zyrtar i Partisë Demokrate dhe rregullat e kësaj partie nuk lejojnë që delegatët e zgjedhur për të mbështetur kandidaturën e tij, t’i kalohen një kandidati tjetër gjatë kuvendit të Partisë Demokrate muajin e ardhshëm. Por tashmë një numër delegatësh kanë deklaruar se do ta mbështesnin kandidimin e zonjës Harris.
Nëse Presidenti Biden do të përzgjidhte zonjën Harris, kjo do kufizonte kaosin e mundshëm dhe do të shmangte përplasjet në sallën e kuvendit, që mund të shkaktonin dëm afatgjatë për cilindo që do të merrte emërimin si kandidaturë zyrtare e Partisë Demokrate për t’u përballur me ish-Presidentin republikan Donald Trump.
Zonja Harris është gruaja e parë që shërbeu si nënpresidente, si dhe gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore. Afrikano-amerikanët janë blloku më i madh dhe më besnik ndër mbështetësit e demokratëve.
Anashkalimi i një zëvendëseje historike në favor të kujtdo kandidature tjetër – qoftë edhe një alternativë popullore nga një shtet kyç – do të ishte tashmë e vështirë. Për shkak të imazhit të zonjës Harris si kryesuese e përpjekjeve për të thyer barrierat gjinore dhe racore, mund t’i lërë përgjithmonë sfidantit të saj imazhin e një personi jo besnik në zgjedhjet e ardhshme brenda Partisë Demokrate.
Në moshën 59-vjeçare, nënpresidentja është 22 vite më e re se Presidenti Biden. Me përvojën e ish-prokurores, ajo mund të bëjë një paraqitje të fortë në debate – siç u përball me zotin Biden gjatë zgjedhjeve paraprake brenda bllokut demokrat në vitin 2020, kur zonja Harris e kritikoi për kundërshtimin e tij të dikurshëm ndaj përdorimit të autobusëve të shkollave si një mjet kundër ndarjeve racore.
Përvoja e saj juridike gjithashtu mund të jetë më pranë idealeve të Partisë Demokrate të tanishme, e cila është zhvendosur kryesisht drejt qendrës për sa i përket drejtësisë penale dhe mesazheve për rendin dhe ligjin në vitet e fundit, pasi protestat mbarëkombëtare kundër padrejtësisë racore në vitin 2020 ndihmuan në mobilizimin për lëvizjen për shkurtimin e fondeve për policinë.
Presidenti Biden është përballur me një rënie të ndjeshme të mbështetjes nga radhët e afrikano-amerikanëve, një tendencë që zonja Harris do të shpresonte ta ndryshonte përpara nëntorit. Megjithatë, Presidenti Biden është përballur prej kohësh me nivele të ulëta të mbështetjes në përgjithësi në radhët e afrikano-amerikanëve dhe nënpresidentja gjithashtu nuk rezulton të gëzojë mbështetje më të mirë.
Rreth 39% e amerikanëve në moshë madhore kanë një opinion të favorshëm për nënpresidenten, çka është në përputhje me mbështetjen prej 40% për Presidentin Biden. Por një anketim i Qendrës për Studimin e Çështjeve Publike, AP-NORC, i kryer në qershor, gjeti se më pak persona kanë një pikëpamje të pafavorshme për zonjën Harris, 49% krahasuar me 57% për Presidentin Biden.
Zonja Harris gëzon një mbështetje prej 62% nga radhët e afrikano-amerikanëve, krahasuar me 37% nga amerikanët hispanikë dhe 35% nga amerikanët e bardhë. Të gjitha këto shifra janë të ngjashme me ato për Presidentin Biden, megjithëse mund të ketë më shumë mundësi që ajo ta ndryshojë opinionin. Gati 12% e amerikanëve thanë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth zonjës Harris për të dhënë një opinion, ndërsa pothuajse të gjithë të pyeturit kanë formuar një opinion për Presidentin Biden.
/VOA/
Discussion about this post