Ditën e sotme do të zhvillohen 7 takime të raundit të 19 të Seria A dhe ndër to në 5 prite të zbresin në fushë lojtarë të Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Ora 16:30 ka rezervuar takimin mes Venezia dhe Lazio, pjesë e së cilës janë Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha që luajnë për përfaqësuesen ‘Kuqezi’ dhe Vedat Muriqi që është pjesë e grupit të ‘Dardanëve’.
Dy të parët kanë fituar rolet e titullarit te Lazio, por Hysaj është i dëmtuar dhe nuk do jetë në gjendje të luajë, me Strakoshën nga ana tjetër që është pjesë e 11-shes startuese. Muriqi nga ana e tij nuk ka gjetur më hapësirë, megjithatë në mungesë të Immobile nuk do ishte habi nëse e shohim në fushën e blertë. Aktualisht Lazio renditet në vend të 8 me 28 pikë, ndërsa Venezia qëndron në vend të 16 me 17 pikë.
Ora 18:30 sjell ndeshjen mes Romës dhe Sampdorias. Te ekipi vendas luan mbrojtësi i Kombëtares sonë, Marash kumbulla, i cili ndonëse i ka qetësuar paksa gjakrat me trajnerin Jose Mourinho ende nuk dihet nëse do i besohen minuta aktivizimi.
Aktualisht ‘Verdhekuqtë’ renditen në vend të 6 me 31 pikë, ndërsa Sampdoria qëndron në vend të 15 me 19 pikë.
Po në orën 18:30 Torino e portierit Etrit Berisha ka një sfidë ‘ferri’ me Interin e vendit të parë. Gardiani ‘Kuqezi’ nuk po mundet që të gjejë minuta aktivizimi dhe po ashtu edhe sot nuk dihet nëse do të luajë, por e sigurt është që në letër ‘vuajtja’ ka për të qenë e madhe. Inter qëndron në krye të tabelës e 43 pikë, teksa Torino është i 10 me 25 pikë.
Empoli i Nedim Bajramit, Ardian Ismajlit dhe Kristjan Asllanit do të ndeshet për këtë javë me Milan, në një takim që pritet të jetë goxha i vështirë. Bajrami pritet ta nisë këtë sfidë në rolin e titullarit siç ka ndodhur në sfidat e fundit, teksa Ismajli me shumë mundësi mund të qëndrojë jashtë sot për shkak se është i dëmtuar, ndërsa Asllani nga ana e tij nuk dihet se si do e nisë këtë ndeshje, por e sigurt është që në momentin që futet në fushë bën diferencën.
Aktualisht Empoli renditet në vend të 9 me 27 pikë, teksa Milan qëndron i treti me pikë të barabarta me Napolin e vendit të dytë nga 39 secili.
Ora 20:45 e mbrëmjes do të sjellë një derbi ‘Kuqezi’ mes mbrojtësit të Kosovës që luan titullar i padiskutuar te Napoli, Amir Rrahmanit dhe sulmuesit të Shqipërisë që e ka fituar rolin e titullarit te Spezia në ndeshjet e fundit, Rei Manajt.
Ky takim pritet të jetë goxha sfidues për skuadrën e Manaj që renditen në vend të 17 me 13 pikë, të cilët përballë do të kenë Napolin e vendit të dytë të tabelës së Seria A me 39 pikë./K.T/Gijotina.com
Discussion about this post