Nga Andi Bushati
Rezultati pa surprizë i zgjedhjeve të Himarës ku “greku” i Ramës i mori vendin “grekut” të opozitës kërkon një shpjegim që e kapërcen kurthin e dasisë etnike, ku e futën me pahir, prej një viti, këtë çështje. Nëse në majin e shkuar, Fredi Beleri fitoi me më pak se 20 vota, katërmbëdhjetë muaj më pas, Vangjel Tavo e njëqindfishoi diferencën në favor të tij. Pra pyetja që shtrohet është: si ndryshuan kah plot 1500 votues? Kush i bëri atyre magji? Si ndodhi kjo përmbysje në një kohë kaq të shkurtër?
Në fakt, po të jetonim në një shoqëri normale dhe në demokraci të pranueshme, kahu i gjërave do të duhej të kishte qenë tjetër.
Diferenca e ngushtë që Fredi Beleri arriti të krijonte në 14 maj 2023, do duhet të ishte shtuar prej rastit unik të arrestimit të një kandidati, dy ditë para garës. Ajo do të duhej të thellohej, pas injorimit të zbatimit të vullnetit popullor, që vendosi ta çojë atë në zyrën e kryebashkiakut të Himarës.
Zakonisht, kur janë të lirë, njerëzit reagojnë dhe revoltohen para padrejtësisë. Kur shohin një polici politike që fabrikon prova, kur ndeshen me një administratë që fallcifikon dëshmitë e penalitetit, kur kanë para syve SPAK dhe GJKKO që pranojnë dëshmitarë të rremë dhe nuk lejojnë ballafaqimin e tyre, kur përballen me prokurorë specialë që fshehin vendimet e gjykatave, kur ndjekin në aksion gjykatën e Durrësit, atë të Apelit atë të Lartë dhe Kushtetuese, që me urdhër politik bëjë ping pong me njëra-tjetrën, për ti penguar betimin një kandidati të zgjedhur, pra kur vihet përballë kësaj dhune, në kushte lirie, çdo kush ka tendencën të rebelohet. Ky rebelim mund të kishte qenë edhe më i madh, po të shikoje tredhjen e turpshme të institucioneve të pavarura: një KQZ, që zbaton standarte të dyfishta vetëm për ti shpallur zgjedhjet në ditën që ka paracaktuar Edi Rama; një president republike që, si një kapter i rëndomtë, nuk pret as kohën e domosdoshme të ankimimit, për të caktuar 4 gushtin si ditën e re të zgjedhjeve.
Pra, kjo masakër demokratike teorikisht duhet ti kishte yshtur votuesit të bënin të kundërtën e asaj që i’u qe imponuar përdhunshëm. Me këtë logjikë, do duhej të njëqinfishohej diferenca prej një dyzine votash e Beleritdhe jo të ndodhte e kundërta, të rriteshin ato pro Vangjel Tavos.
Madje madje, ky efekt kundërshtues prodhohet edhe në shoqëri thellësisht autokratike, por që duan të ruajnë një fasadë legjitimiteti popullor, si Turqia e Erdoganit. Kur në 2019, neo-sulltani vendosi të anullojë fitoren e kandidatit të opozitës Imamoglu, në Stamboll dhe shpalli zgjedhje të reja, votuesit i’u përgjigjën me një shuplakë të fortë, duke i dhënë një fitore dhe më të thellë të preferuarit të tyre, me gati 10% diferencë. Katër vite më pas, Rexhep Taip Erdogan nuk tentoi më ta ndalonte fitoren e opozitës në ish qytetin e tij. Qoftë dhe formalisht satrapi turk e kapërdiu hidhërimin duke lënë të jetojë iluzionin se në vendin e drejtuar prej tij është populli ai që vendos.
Në Himarë, Edi Rama e vrau edhe këtë iluzion. Dhe problemi nuk është se regjimi i tij është më i egër se ai i vëllait të vet anadollas, por se ndryshe nga tjetri, autokrait shqiptar nuk duron më as të përkundet në ajër shpresa qoftë dhe e rreme se, në këtë vend, mund të vendosë dikush tjetër përpos tij.
Në këtë kuptim, ajo që ndodh prej një viti në Himarë është një pikë kthese qoftë për demokracinë e çalë 30 vjeçare, qoftë dhe për vetë regjimin rilindas. Eshtë hera e parë që kundërshtarëve nga tre, i lihen vetëm dy mundësi: ose humbja ose prangat. Përveç të drejtës për të fituar ata janë zhveshur edhe nga e drejta për të shpresuar.
Ky është lajmi i ri i këtij 4 gushti. Vrasja përfundimtare e mirazhit se dikush ka forcë për të ndryshuar diçka me votën e vet. Dhe kjo është tragjedia e vërtetë e asaj që ndodhi këtë të dielë. Ajo nuk duhet kërkuar në manipulimin artizanal të votës, as tek njerëzit e ardhur me autobuza, as te shtimi i zgjedhësve të zhvendosur nga Gjendja Civile, as te pengimi i atyre me karta identiteti të skaduara, as te ndonjë joshje me dhënie tapish në zonën e lumit të Vlorës. Të gjitha këto marifete meskine kanë ndodhur edhe më parë. Risia e Himarës qëndron jo tek batakçillëqet e vogla por tek ndryshimi i filozofisë për zgjedhjet në Shqipëri: deviza e tanishme është: të votosh nuk ka më vlerë se rezultatin e shpall tjetërkush.
Këtu Himara përbën provën gjenerale të zgjedhjeve të ardhshme që na presin, ato kur në vend që të rebelohen përballë padrejtësive, njerëzit fillojnë të mësohen dhe akomodohen me to. Ky dorëzim përpara së keqes shpjegon edhe pyetjen e ngritur në fillim të këtij shkrimi se si ndryshoi kaq thellë, në kaq pak kohë, rezultati i 14 majit të shkuar. Përgjigjja e tij vjen edhe nga statistikat. Kur në kohën e opozitës, Edi Rama ishte ende i panjollë, pa investitorë strategjikë, pa plazhin e Olta Xhaçkës, pa zaptimet e trojeve dhe hotelet e 5D në bregun e Dhërmiut, PS nuk merrte më shumë se 35% në Himarë. Ajo arriti në 49% një vit më parë. Por, kur në taborët e saj përfshiu përpos këtyre aleatëve 10 vjeçarë edhe policinë politike edhe SPAK-un, edhe GJKKO edhe gjykatën e Lartë e Kushtetuese edhe KQZ-në edhe Presidentin e ngriti Vangjel Tavon në 59%. Votuesi i gjendur fillikat përballë një aparati të tërë represiv, uli duart i dorzuar, i bindur se tashmë ti drejtohesh kutive të votimit do të thotë të marrësh pjesë në një fasrë të kotë. Rama po e instalon suksesshëm këtë mentalitet dhe prandaj në të ardhmen ne do të shohim fitore triumfale Vangjelësh të tjerë që i vetëofrohen tavës së pushtetit.
/Lapsi.al/
Discussion about this post