Bashkia e Tiranës planifikon të mbledhë këtë vit një rekord të ardhurash nga taksa e ndërtesës, sidomos nga bizneset, si rrjedhojë e aplikimit të çmimeve të reja të referencës, që filloi të zbatohej nga korriku i vitit të kaluar, duke shtuar automatikisht detyrimin për këtë taksë.
Sipas raportit të realizimit të buxhetit për 8 mujorin, të Bashkisë Tiranë, për vitin 2024, Bashkia TIranë pret të mbledhë 3.8 miliardë lekë nga taksa e ndërtesës, nga e cila 2.9 miliardë lekë (77%) nga bizneset dhe 869 milionë lekë nga familjet. Kjo shumë është 80% më e lartë sesa mesatarja vjetore që është mbledhur përgjatë 2018-2023 nga bizneset e familjet, që rezulton 2.1 miliardë lekë. Në vlerë, bizneset dhe familjet do të paguajnë 1.7 miliardë lekë (17 milionë euro) taksë ndërtese këtë vit.
Realizimi faktik, për 8 mujorin 2024, ndërkohë ka qenë gati 2.5 miliardë lekë, ose rreth 20% se mesatarja vjetore e 2018-2023.
8 mujori, rritje e lartë për bizneset
Sipas të dhënave për buxhetin faktit të 8 mujorit, rritja më e lartë e arkëtimeve në 2024 për taksën e ndërtesës është për subjektet tregtare.
Për kategorinë e biznesit arkëtimet faktike të 8 mujorit janë 2 miliardë lekë (20 mln euro) sipas të dhënave të raportit të monitorimit për realizimin e treguesve të buxhetit për këtë periudhë. Krahasuar me mesataren vjetore vitin 2023 arkëtimet e periudhës janar-gusht 2024 janë rritur 11%.
Shtimi i arkëtimeve të taksës mbi ndërtesën për këtë kategori ishte i pritshëm, pasi rritja e çmimeve fiskale për 32 zonat kadastrale të Tiranës, shtoi detyrimin e bizneseve nga 5 deri 91% (sipas llogaritjeve të Monitor për 32 zonat kadastrale duke marrë shembull një njësi tregtare me sipërfaqe 100 m2).
Krahasuar në vlerë taksa vjetore e ndërtesës që u pagua nga bizneset, pas rritjes së çmimeve fiskale është gati 9 herë më tepër se pagesat e familjarëve për taksën e ndërtesës.
Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.
Po ashtu teksa për familjarët detyrimet e reja për taksën mbi ndërtesën u reflektuan nga agjenti i Ujësjellës- Kanalizimeve që në faturat e ujit të pijshëm të muajit gusht 2023. Për subjektet e biznesit bazuar dhe në orientimet e marra nga Ministria e Financave, nga drejtoria e tatim-taksave vendore, ngarkimi i detyrimeve për periudhën gusht -dhjetor 2023 u përcaktua që të bëhet me detyrimet e vitit 2024.
Për kategorinë e familjarëve arkëtimet e 8 mujorit 2024 rezultojnë se kanë arritur 460 mln lekë apo sa 53% e vlerës së parashikuar për t’u arkëtuar në 2024. Arkëtimet e 2024-s parashikohen të shtohen 30% krahasuar me 2023. Sipas llogaritjeve të Monitor (duke marrë shembull një apartament me sipërfaqe 90 m2) individëve nga ndryshimet e çmimeve fiskale iu shtua pagesa vjetore e taksës nga 5% deri në 76%.
Për vitet 2018-2022 ecuria e arkëtimit të taksës për ndërtesën rezulton të ketë qenë në nivele gati të njëjta arkëtimesh, në rreth 2-24 miliardë lekë në vit. Përjashtuar vitit 2020 ku arkëtimet për biznesin ranë 14% krahasuar me 2019-n për shkak të vendimit për uljen e detyrimit për sektorin e hotelerisë në masën 30% për detyrimin vjetor të kësaj takse.
Pjesa e detyrimeve të papaguara në vitin 2020 u arkëtua në vitin 2021 duke pasur nivelin më të lartë të arkëtimeve krahasuar me vitet e mëparshme. Ndërsa shtimi i arkëtimeve në 2023 erdhi pasi ndryshimet e detyrimit për kategorinë e familjarëve u reflektuan nga agjenti në faturat e ujit të pijshëm që në muajin gusht 2023.
Pas taksës së ndikimit në infrastrukturë, taksa mbi ndërtesën është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë Tiranë për vitin 2024 dhe përbën mesatarisht 21% të totalit të të ardhurave të veta.
Ndryshimet e vendimit të 2018-s të botuara në fund të muajit korrik 2023 që hynë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare rritën çmimet fiskale të apartamenteve për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga 5 deri 76%.
Ndërsa për 5 njësitë administrative, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Pezë çmimet fiskale u shtuan nga 29 deri 60% më shumë se 2018. Për 67 bashkitë e tjera të vendit çmimet e referencës së apartamenteve mbetën të pandryshuara.
Rritja e çmimeve fiskale shtoi automatikisht detyrimin e pagesës vjetore të taksës mbi ndërtesën, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit. Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës (si për banim dhe për aktivitet tregtar) sipas çmimeve mesatare të referencës. Për shtëpitë e banimit niveli i taksës është 0,05% e vlerës, ndërsa për njësitë tregtare 0,2%.
/Monitor/
Discussion about this post